1.
Duke lexuar poezinë “E krijuar nga balta dhe pështyma” të Abdullah Konushevcit: rrjeti simbolik-asociativ i kësaj poezie, të shtyn tek Miti biblik i krijimit të njeriut prej baltës. Sa herë në jetën e përditshme themi: e kam gjak këtë njeri; njeri me marre; po e han marren me bukë…Por Konushevci, kësaj radhe, i ritkehehet vetëdijes ironike, kësaj poetike mbretërore lirike, të lëruar me aq sukses në librat e përparshëm poetikë; i rikthehet shfrytëzimit rikrijues të forcës shprehëse-figurative të frazeologjizmave popullorë. Me anë të këtij subversioni estetik, të shpërthimit me skatologji të shprehjes, të përmbysjes së Mitit të Krijimit, poeti thur portretin e Njeriut të pamiradishëm, Njeriut me marre e mëkate jetësore, (si do të shprehej populli). Dhe të tillin, që “përpin yje”, që e mohon mirëbërësin, krijuesin e lirisë… fatkeqësisht, do ta ndeshim në të gjitha kohët. Jepet ndërthurja poetike e dy vetëdijeve, e një Vetëdije të Zgjuar (folësit lirik ne veten e parë) që mbase, dikur, ia kishte hapur sytë për të parë se ku kishte rënë “I verbëri” dhe një vetëdije të Verbër (që vepron si vegëql e verbër, qorre, shërbëtor i verbër ndaj pushtimit, sundimit…) Hyjnitë e territ biblik ndeshen edhe në terrin e kohëve të poetit. … Te Ungjilli simbas Gjonit (9, 1-41) jepet parabola e të verbërit, të cilit Jezusi ia hap sytë një të verbëri me anë të pështymës dhe baltës dhe këtë parabolë Abdullah Konushevci e rikrijon me art fin.
