NË PROFIL: SHKRIMI POLIEDRIK
I MIKEL GOJANIT
Mikel Gojani tashmë e ka krijuar profilin e tij në letrat shqipe. Autor që e ka nisur krijimtarinë letrare që në vitin 1968, që i ka kaluar, pra pesë dekada me botimin e poezisë së parë te revista për fëmijë “Pionieri” e Prishtinës; ai në vitin 1990, te botuesi nacional “Rilindja” ka botuar librin e parë me poezi “Zëri i largët” e deri te ky vit, kur botoi monografinë “Frrok Gojani – misionar i shkollës shqipe” (SHB LENA Graphic – Prishtinë 2021); e ka rrumbullakësuar këtë veprimtari në fushën e letrave me afro dyzet vëllime me poezi, prozë, me letërsi historike, dokumentare e publicistike dhe e vëllime kritiko-letrare e studime monografike letrare.
Po të lexohen përnjëherësh të gjithë librat e Mikel Gojanit, si ata për fëmijë, ashtu edhe ata për të rritur, do të vëresh se këto vepra i përshkon si një fill i kuq gjeografia artistike ose gjeopoetika, sikundër thuhet në interpretimet moderne letrare. Hapësira shqiptare me historinë e saj, me frymën e aktualitetit dhe përgjithësisht qenia e identiteti nacional artikulohen, shkruhen e këndohen përqendrueshëm dhe pa u ndalur. E gjithë kjo toponomastikë poetike, kjo gjeografi e tillë shpirtërore, e shtrirë në disa forma letrare e joletrare, takohet tek të gjithë librat e tij: tek gjashtë përmbledhjet poetike, tek romanet “Ai vjen me shirat e pranverës” (1996) dhe “Rrugëtim nën zë” (2014), tek tri përmbledhjet poetike për fëmijë, ashtu sikundër kjo gjeografi e kërkimeve shpirtërore haset përqendrueshëm edhe tek librat me kritika e studime letrare. Ndërkaq, edhe tek vëllimet e publicistikës historike, të monografive publicistike jetëshkrimore, apo të udhëpërshkrimet (po i veçojmë librin “Mësonjëtorja e Zllakuqanit” me bashkautor Pal Canajn, “Kolë Mirdita edhe diellit i jep dritë” dhe “Nju Jorku, botë në miniaturë”). Tek një poezi “Dritarja e Dashurisë”, e hershme, poeti këndonte:
Shpeshherë –
Nga Dritarja e Dashurisë
Vjedh peizazhe Lure
Ndërtoj ura Bune
Ylberin mbi Tropojë, ndërtoj
Një si prolog poetik i gjeopoetikës së poetit, ku krijuesi ka investuar dashurinë e tij jetësore dhe idealin e tij krijues-estetik. Dhe, që në fillim, krijuesit i dalin në ndihmë peizazhet e Atdheut e urat…
Kur Kenet Vajt (Kenneth White, 1936), një poet, akademik dhe shkrimtar skocez, e kishte krijuar nocionin gjeopoetikë, më saktësisht, Institutin Ndërkombëtar të Gjeopoetikës, ai këtë e kishte bërë “për të promovuar më tej kërkimin në fushën e studimit ndër-kulturor, transdisiplinar, të cilin ai ishte zhvilluar gjatë dekadës së mëparshme.”
Gjeopeotika nënkupton hapjen e jo izolimin. Më aprë, qenësinë e veprës letrare të këtij domeni, Umberto Eko e kishte profilizuar si “vepër e hapur”
Nga ana tjetër, sikur e gjithë tematika e motivimi i shqetësimeve letrare e shkrimore, ngushtohet e përqendrohet vetëm te një pikë: te poetika atdhetare dhe te fryma e amshueshme e rezistimit. Kjo poetikë bartet edhe te romanet e tij “Ai vjen me shirat e pranverës” (1996) dhe “Rrugëtim nën zë” (2014), ku këtë gjeopoetikë ai e koncepton, prandaj, si ideologji të tij romanore. Më saktë, do të thoshim se personazhet ideografike e autoideografike të këtyre romaneve, mbitheksojnë idenë e autorit për tërësinë etnike e historike shqiptare.
Nëse romani i parë trajton temën e të burgosurit poltik shqipatr për Repbulikë, si dhe tri shetgtiemt e tij nëpër viset etnike (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi); edhe romani i dytë, me protagonistin mësues, Marin Shpati, na shfaqet si prototip i Mësuesit Ndrecë Ndue Gjoka, për të cilin Mikeli ka shkruar dhe një libër të tërë (i botuar si fejton në vazhdime në “Rilindja”), ndërkohë që gjurmëve të tij jepet edhe protagonisti që kërkon këto gjurmë, Nini. E pra, mjediset e veprës janë këto afër nesh e pranë nesh, të këtyre fshatrave përreth, me etnopsikologjinë, etnografinë shpirtërore, me rrënjët e veta historike të identitetit kombëtar. Historia i riaktualizon imazhet e kujtesës e të tragjedive të jetuara; sfondet narrative të të dy romaneve i mbulon metafora e trazimit shpirtëror. Ndonëse tema qendrore e romanit të parë është ajo e shqetësimit atdhetar, kurse te i dyti ajo e mësuesit, e arsimimit, e iluminizmit kombëtar dhe e atdhedashurisë; megjithatë, nëpërmes përshkrimeve, shtresave narrative, reminishencave historike apo të kronologjisë shpirtërore, jepen edhe një fokus i gjerë temash, si ajo e dashurisë mes Dritanit e Fjoralbës te romani i parë, te i dyti është dashuria e Ninit dhe Siborës.
Ç ‘kërkime të mistershme kërkojnë këta personazhe, me të cilat autori preokupohet me dekada të tëra?!
Tema e kërkimit!
Te “Ai vjen me shirat e pranverës” ky kërkim është i një “Çelësi të ekzistencës” një metaforë kërkimi përgjatë gjithë veprës; kërkimi bëhet në dy plane: si kërkim i jashtëm, përmes udhëtimesh, takimesh, njohjesh e rinjohjesh: kurse ai i brendshmi, është i një interesi shpirtëror, deri te ai ekzistencial, thelbësor.
Kurse te romani tjetër ajo e kërkimit të gjurmëve të së kaluarës (si “Historia e pazbuluar e varreve”), ajo e vetëmohimit për kulturën, ndërsa shtresime më vete, përbëjnë pjesët, sidomos ato të fundit, për përplasjet e dilemat hamletiane mes jetës e vdekjes.
Duke e botuar edhe poezinë për të rritur përgjatë gjithë viteve ’70 të shekullit që e lamë pas e deri më sot; fryt i këtyre frymëzimeve janë gjashtë librat poetikë: “Zëri i largët” (“Rilindja” Prishtinë 1990), “Udhëtimi pas Kalvarit të Vdekjes” (“Fjala” Prishtinë 1994), “Në profil kah Jugu”, ( KL “Vorea Ujko”, Klinë 1996), “Diell dhe reshje mbi Morenë” (Prishtinë 2005), “Fund i pritur” (arsEST, Prishtinë 2010) dhe “Hija që më rri varur”, SHB LENA, Prishtinë 2019).
Poeti udhëton drejt vetes, në këtë apo në një mënyrë tjetër. Përpara do t’i kenë dalë ato rrugëtime të trishta nëpër mote dhune, nëpër luftëra e sfida të pasluftës. Në vend që të reagojë ndaj të këqijave përreth, poeti i drejtohet gjendjes së tij, vetvetes. Kohët qenë ato që ngërthejnë anën irracionale, për të mos thënë dhe groteske, sepse të gjitha këto “tri rrugë” a tri kohë, tejkaloj në logjikën e jetës.
Poeti shndërrohet në ndërmjetësues midis të përjetuarës personale dhe përvojave të të tjerëve. Pothuajse poezia bën përpjekje të shqiptohet si katarsis, kur ajo shkruhet edhe si tragjedi e ekzistencës sonë.
Mikel Gojani poezinë për fëmijë e shkruan që nga bankat e fillores. E krijon edhe tregimin për fëmijë. Letërsinë për fëmijë përfshirë në vëllimet poetike për fëmijë “Shëti nëpër Atdhe” (1995), “Kroi që rrjedh rrëzë bjeshkës”, (1996) dhe “Udha e shkronjave” (1997). Do theksuar se gjatë viteve ’90, sa ishte mësimdhënës në Shkollën fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan, ai botonte edhe revistën e filloristëve, mjaft e pasur e simpatike për fëmijë me titullin “Mëngjesi”.
Mikel Gojani deri më tash pra, ka shkruar e botuar në disa fusha të shkrimit e të krijimtarisë: libra poetikë, letërsi për fëmijë, libra publicistikë dhe në zhanrin e romanit, kurse viteve të fundit edhe libra me studime, kritika letrare e me intervista. E nis me vëllimet “Traditë dhe bashkëkohësi” (2007) dhe “Mendësi krijuese” (2008), e vazhdon me “Bota e mendimit (shënime letrare dhe intervista), KSH “Vorea Ujko”, Klinë 2012), “Libra nga sirtari (studime, recensione, intervista dhe shkrime te tjera), botoi “arsEST”, Prishtinë 2015, “Individualitete dhe ligjërime artistike”, botoi “Rozafa”, Prishtinë 2016, “Reflektim mesazhesh”, botoi “arsEST”, Prishtinë 2015, “Poetika e prozës së Nasi Lerës” (monografi), SHB “”Rozafa”, Prishtinë 2017 dhe “Sprova për interpretim”, Prishtinë 2019.
Do theksuar se shumë nga interesimet e tij kritiko-letrare, sidomos ato për traditën e letërsinë e përndjekur, lexuesi ka pasur rast t’i lexojë në shtypin e kohës që para luftës.
Mikel Gojani në këtë mënyrë dëshmon se interesimet e tij për traditën i ka të vazhdueshme. Këto interesime mbi traditën dhe të kaluarën tonë shpirtërore apo historike, kulturore apo artistike, të lexuara e të studiuara tash dhe këtu, hyjnë në një rreth të ri përjetimesh dhe bëhen burim i ri përvojash, atë që Hans Rober Jaus te estetika e tij e receptivit e quante repetim dhe veprim, si konvergjencë të tekstit dhe të strukturave dinamike në horizontin e ndryshuar të pritjes. Duke e lakuar leximin e tij kritik për portrete e vepra të etërve intelektualë e veprues shqiptarë, si Gjeçovi, Vinçenc Prenushi, Marjan Prelaj, Donat Kurti, Viktor Volaj e Lazër Shantoja, apo për vepra bashkautorësh, si “Bibla dhe tradita”, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, apo për vepra, si “Kujtime të një jete së kaluese” të Ndoc Nikajt, “Mjeda (1)” të Mentor Qukut, “Nji monument nën dhe” të Fritz Radovanit de Angelis, “Lidhja e Prizrenit, themeluesi e udhëheqësi Ismet Berisha” të autorëve Tomë Mrijaj e Klajd Kapinova; apo vepra që iu kushtohen Marije Shllakut, Ndue Përlleshit e vepra që iu kushtohen historisë sonë më të re, sikundër është periudha e UÇK-së të disa autorëve të tjerë, te libri “Traditë dhe bashkëkohësi”; autori pikësynon për të shpalosur autorë që ose kanë qenë të anatemuar e të përndjekur në të kaluarën bashkë me veprat e tyre, ose që nuk kanë qenë të njohura për opinionin tonë. Nga ana tjetër, kjo ecje interesimesh nëpër të kaluarën e artit dhe historisë, edhe në këtë libër, është një lëvizje kah përjetimi vetanak i traditës, ashtu sikundër është vepruar në të gjithnjë kaluarën. Me këso preferencash është strukturuar edhe libri i dytë “Mendësi krijuese”, në të- cilin lexohen libra dokumentarë për Shkodrën, si ai i Dr. Nevila Nikës, për Lezhën i Selami Pulahës e Agim Parrucës, për selinë e shenjtë dhe krizën në Kosovë i Da mario Agnes, për famullinë e Zllakuqanit i Dom Lush Sopit, për Mirditën të Gjetë Ndocit apo të Tomë Mrijajt, apo për libra të Shefqet Kelmendit, Ali Berishës etj.
Me interes janë shikimet për ta dëshmuar një jetë letrare të gjallë e me vlera, në shkrimet për autorët nga Klina, në shumicën e vëllimeve, ku ai ishte redaktor, apo autor që ka mbajtur fjalët e rastit në dhjetëra këso përurimesh letrare e ku është dëgjuar fjala e tij e gjallë, vlerësuese dhe me peshë mendimi.
6. Librat për arsimin shqip
Duke qenë, për dekada të tëra, mësimdhënës që ka ligjëruar Gjuhën e letërsinë shqipe, Mikel Gojani me respekt, me pasion e me përkushtim të veçantë shkruan edhe për arsimin shqip. Të shumta janë reagimet e tij në vitet e vështira të paraluftës, shkrimet për ta ndriçuar të kaluarën tonë, si dhe kumtesat që trajtojnë problematikën arsimore e pedagogjike.
Monografia “Mësonjëtorja e Zllakuqanit”, e botuar më 1997, në bashkautorësi me Pal Canajn, paraqet rrugën 100-vjeçare e historike të shkollës fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi” të Zllakuqanit (1897-1997).Tradita arsimore e kësaj ane del me një paraqitje të plotë kronologjike për një shekull bëmash. Monografia është konceptuar në tre kapituj: “Një udhë e gjatë shkronjash”, “Rruga historike e shkollës shqipe në Zllakuqan” dhe “Mësuesit që lanë gjurmë”.
Të kësaj hullie hulumtimesh janë edhe monografitë “Mësuesi në kujtesë “Drita”, Prizren 2009, kushtuar mësuesit Prekë Gojani, “Vesel Zeka – gjurmë arti dhe edukimi” “Vesel Zeka, gjurmë arti dhe edukimi” (Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2014) në bashkautorësi me Hajdin Morinën dhe “Frrok Gojani – misionar i shkollës shqipe” (2021) që u përgatit për një kohë të gjatë. Ndërsa vëllimi “Emra që lanë gjurmë”(Prishtinë 2011), po ashtu përfshin portrete mësimdhënësish.
Meqenëse është autor që boton vepra letrare (poezi, roman) dhe studime e kritika letrare; e kësaj fryme është edhe poema për fëmijë “Udha e shkronjave”, e cila është botuar më 1997 nga “Mëngjesi” (Zllakuqan 1997). Po “Mëngjesi” kush ishte? Ishte revistë për fëmijë që Mikeli e botonte së bashku me nxënës e arsimtarë të shkollës fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi” gjatë viteve ’90. Edhe te ndonjë vepër tjetër e karakterit historiko-dokumentar e publicistik ky autor ka shpalosur kapituj të arsimit shqip në këto anë, sikundër është monografia “Gojanët e Dugajevës nëpër rrjedhat e kohës” (HIERONYMUS, Klinë, 2018). E pra, do thënë se janë të shumënduarta edhe veprimtaritë tjera arsimore të Mikelit nëpër vite: njëri ndër themeluesit e vepruesit e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) gjatë viteve ’90; themelues e veprues i manifestimeve që mbahen për Gjeçovin prej viteve ’90 e këndej… , manifestime që patën jehonën e tyre të madhe.
Janë të rrallë shembujt në kontributin e arsimit shqip, sikundër na dalin figurat arsimore nga Gojanët e Dugajevës.
Kështu, në vitet ’90, kur arsimi shqip luajti rolin kryesor dhe kyç në zhvillimet kombëtare përballë pushtuesit serb, Mikel Gojani ngjall interesimet për të kaluarën tonë edhe me veprimin konkret: ai arrin që shkolla e Zllakuqanit ta heqë emrin e një komunist sllav dhe të pagëzohet me emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit. Në pjesën e parë të Nga ana tjetër, me intelektualë klinas, angazhohet që ta ringjallë manuifestimin kushtuar Gjeçovit e shkollës shqipe
Pas tërë këtij bagazhi në fushën e letrave e të veprimtarisë arsimore-kulturore, Mikel Gojani vjen me një monografi tjetër me titullin ““Frrok Gojani – misionar i shkollës shqipe”. Por Frroku nuk ishte vetëm i Dugajevës, as vetëm i Klinës. Ishte i shumë viseve tjera të Kosovës, do ta quaja legjendë e gjallë e arsimit shqip. Lirisht le ta themi: ishte dhe mbetet një krye-emër i arsimit shqip ndër ne. Dhe të përballesh me anë të këtij libri, me një jetë të tërë kushtuar arsimit, të bashkëbisedosh e shfletosh ato kohë të rënda përplot vështirësi e sakrifica për dije, emancipim e arsim, nuk është punë e lehtë.
7. Shkrimi diskursiv: nga ai publicistik e deri te ai dokumentar, historik e i udhëpërshkrimit
Në fund, na vijnë vëllime të tëra me përmbajtje publicistike, dokumentare-historike dhe të zhanrit të udhëpërshkrimit. Kësisoj, na shfaqe profili shumëdimensional i tij, profili i tij poliedrik e që e shpalos prirjen e tij në disa drejtime.
Këtë interesim, të shfaqur që nga libri “Llesh Gjon Lleshaj”, monografi me bashkautor
Pal Canajn (botuar nga “Forumi i Krijuesve të Artit” – Prishtinë 1995), do ta vazhdojë pas luftës po me libra të tillë monografikë dokumentarë e historikë, si: “Kolë Ndrecë Mirdita” (monografi), SHB “Anton Pashku”- Prishtinë 2003; “Dedë Daka – në kujtesën historike (monografi), Klubi Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë 2009; “Anton Frrokaj – në piedestalin e përjetësisë”, (bashkautor me Rrok Berishën), SHBG “Fishta”, Prishtinë 2010; “Marjan Cubi – Njeri urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës, “Drita”, New York – Prishtinë 2010; “Prekë Brahimi – shembulli i veprimtarit dhe atdhetarit në diasporë (monografi), “Fishta”, Prishtinë 2013; “Mhill Gjuraj: Vlera e humanizmit dhe atdhetarizmës në Amerikë” (monografi), “Fishta”, Prishtinë 2013; “Kolë Mirdita edhe diellit i jep dritë” (monografi), “Zef Serembe”, Prishtinë 2013; “Mesazhe nga podiumi, botoi “arsEST”, Prishtinë 2015,“Konica”, Prishtinë 2014; “Fryma dhe rezistenca tereziane e humanizmit – bashkautorë me Prend Buzhalën, “Rozafa”, Prishtinë 2016; “Marash Gojani – veprimtar dhe humanist në diasporë (bashkautorë me Çerkin Bytyqin), botoi SHB “Shkëndija”, Prishtinë 2017; “Gojanët e Dugajevës nëpër rrjedhat e kohës”, HIERONYMUS, Klinë, 2018;
Një strukturim tekstual më vete përbëjnë librat “Sytë e saj pikonin dashuri” (me Verën katër dekada bashkë), botim i Lena Graphic, Prishtinë 2020 që ia kushton bashkëshortes së tij të ndjerë, libri “Shpirtëzime krijuesish në kohë të acarta- Impresione vizitash e takimesh me krijues në Shqipëri prej vitit 1990 e këndej”, botoi Lena, Prishtinë 2020 dhe “Libri i shënimeve dhe i kujtesës”, botoi ShB Hieronymus, Klinë 2020 (libër rrëfimesh e shënimesh autobiografike).
8. (Në parantezë I): shënime biografike
Mikel Gojani u lind më 27 prill 1956 në fshatin Dugajevë të Klinës. Shkollën fillore e kreu në Drenoc (fshat afër vendlindjes), ndërkaq Fakultetin Filologjik – Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Mikel Gojani është shkrimtar me një përvojë të gjatë krijuese i angazhuar shumë herët në veprimtari letrare dhe kulturore. Ishte kryetar shumëvjeçar i Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” në Klinë. Është laureat i Çmimit letrar “Ora e Tahir Deskut” – Klinë 2009, i disa çmimeve tjera të LKSH-së, Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” etj. Një kohë të gjatë (1980-2001), ka punuar mësues i gjuhës shqipe, po ashtu, edhe bibliotekar në shkollën fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës. Gjatë viteve të ’90-ta ishte i angazhuar në asociacione që funksionin në atë kohë. Ishte anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) “Naim Frashëri” – dega në Klinë dhe në Këshillin Qendror të këtij asociacioni në Prishtinë. Ka dhënë një kontribut të madh në shumë aktivitete kulturore që janë zhvilluar në komunën e Klinës dhe nëpër qendra të ndryshme shqiptare. Pjesë e veprimtarisë së tij profesionale janë edhe shkrimet dhe hulumtimet e natyrës dhe problematikës pedagogjike, të cilat i ka botuar në revistën pedagogjike “Shkëndija” në Prishtinë, e cila revistë tashmë ka shuar botimin e saj, për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Pas përfundimit të luftës, ka kryer disa punë. Për një kohë të caktuar punoi si koordinator në bibliotekën e qytetit “Kongresi i Manastirit” në Klinë, dhe pas luftës e riaktivizoi këtë bibliotekë, e cila ishte shkatërruar nga regjimi i atëhershëm serb. Një kohë ka kryer detyrën e zyrtarit për informim publik pranë Kuvendit komunal të Klinës, ndërkaq tash kryen punën e lektorit në Kuvendin e Komunës në Klinë. Ka punuar edhe gazetar në të përditshmen kombëtare “Bota sot”. Me krijimtari letrare merret qysh herët. Poezinë e parë e ka botuar më 1968 në revistën për fëmijë “Pionieri” në Prishtinë dhe “Jehona e Dukagjinit” në Klinë. Ka bashkëpunuar me shumë revista në gjuhën shqipe në Kosovë, Shqipëri, Amerikë, Maqedoni, Mal të Zi, dhe Lubjanë, si “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, Jeta e re”, “Fjala”, “Nëntori”, “Drita”, “Koha”, Alternativa”, “Republika” “Illyria”, “Dielli”, “Flaka e vëllazërimit”. Me kumtesa nga fusha të ndryshme ka marrë pjesë në disa sesione e simpoziume shkencore në Kosovë dhe jashtë. Paraqitjet e tij janë pritur mirë nga auditoriumi prezent.
9. (Në parantezë II): VEPRAT E BOTUARA
Poezi për të rritur:
• Zëri i largët (poezi) – “Rilindja” – Prishtinë 1990;
• Udhëtimi pas kaluarit të vdekjes (poezi),”Fjala”, –Prishtinë 1994;
• Në profil kah Jugu (poezi) – Prishtinë 1996;
• Diell dhe reshje mbi Morenë (poezi) – Prishtinë 2005;
• Fund i pritur (poezi), arsEST, Prishtinë 2010;
• Hija që më rri varur, SHB LENA, Prishtinë 2019;
Poezi për fëmijë dhe poema:
• Shëti nëpër atdhe (poezi për fëmijë), “Pena” – Prishtinë 1995,
• Kroi që rrjedh rrëzë bjeshkës (poezi për fëmijë), Prishtinë 1996;
• Udha e shkronjave (poemë) “Mëngjesi”, Zllakuqan 1997;
Romane:
• Ai vjen me shirat e pranverës (roman), “Forumi i Krijuesve të Artit” – Prishtinë 1996;
• Rrugëtim nën zë, (roman) ”Zef Serembe”, Prishtinë 2014;
Libra studimorë e kritiko-letrarë:
• Tradita dhe bashkëkohësia, (studime, vështrime letrare, intervista), botoi “arsEST” – Prishtinë 2007;
• Mendësi krijuese (vështrime letrare dhe intervista), Prishtinë 2008,
• Bota e mendimit (shënime letrare dhe intervista), KSH “Vorea Ujko”, Klinë 2012;
• Libra nga sirtari (studime, recensione, intervista dhe shkrime te tjera), botoi “arsEST”, Prishtinë 2015;
• Individualitete dhe ligjërime artistike, botoi “Rozafa”, Prishtinë 2016;
• Reflektim mesazhesh, botoi “arsEST”, Prishtinë 2015;
•Poetika e prozës së Nasi Lerës, SHB “”Rozafa”, Prishtinë 2017;
• Sprova për interpretim, Prishtinë 2019;
Letërsi dokumentare, publicistike, dokuemntare e historike:
• Nju Jorku, botë në miniaturë, “arsEST”, Neë York – Prishtinë 2010;
• Llesh Gjon Lleshaj (monografi-bashkautor
me Pal Canajn), “Forumi i Krijuesve të Artit” – Prishtinë 1995;
•Mësonjëtorja e Zllakuqanit (monografi- bashkautor me Pal Canajn) – Klinë 1997;
• Kolë Ndrecë Mirdita (monografi), SHB “Anton Pashku”- Prishtinë 2003;
• Mësuesi në kujtesë (monografi), “Drita”, Prizren 2009;
• Dedë Daka – në kujtesën historike (monografi), Klubi Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë 2009;
• Anton Frrokaj – në piedestalin e përjetësisë, (bashkautor me Rrok Berishën), SHBG “Fishta”, Prishtinë 2010;
• Marjan Cubi – Njeri urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës, “Drita”, Neë York – Prishtinë 2010;
• Emra që lanë gjurmë (monografi), Prishtinë 2011;
• Prekë Brahimi – shembulli i veprimtarit dhe atdhetarit në diasporë (monografi), “Fishta”, Prishtinë 2013;
• Mhill Gjuraj: Vlera e humanizmit dhe atdhetarizmës në Amerikë (monografi), “Fishta”, Prishtinë 2013;
• Kolë Mirdita edhe diellit i jep dritë” (monografi), “Zef Serembe”, Prishtinë 2013;
• Vesel Zeka – gjurmë arti dhe edukimi, (monografi),
• Mesazhe nga podiumi, botoi “arsEST”, Prishtinë 2015,“Konica”, Prishtinë 2014;
• Fryma dhe rezistenca tereziane e humanizmit – bashkautorë me Prend Buzhalën, “Rozafa”, Prishtinë 2016,
•Marash Gojani – veprimtar dhe humanist në diasporë (bashkautorë me Çerkin Bytyqin), botoi SHB “Shkëndija”, Prishtinë 2017,
• Gojanët e Dugajevës nëpër rrjedhat e kohës, HIERONYMUS, Klinën 2018,
•Frrok Gojani – misionar i shkollës shqipe, monografi, 2021,
•Sytë e saj pikonin dashuri (me Verën katër dekada bashkë), botim i lëna Graphic, Prishtinë 2020,
•Libri i shënimeve dhe i kujtesës, Botoi Shb Hieronymus, Klinë 2020,
•Shpirtëzime krijuesish në kohë të acarta- Impresione vizitash e takimesh me krijues në Shqipëri prej vitit 1990 e këndej”, botoi Lena, Prishtinë 2020.
Në dorëshkrim ka edhe disa libra të tjerë të zhanreve të ndryshme.
Është laureat i disa çmimeve letrare.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Shkrimet e mia personale për veprat e Mikel Gojanit, kanë zënë fill që nga libri i tij i parë i botuar. Është, pra, ky një libër imi, i shkruar nga viti në vit, nga dekada në dekadë, në përcjellje të një krijimtarie e veprimtarie shkrimore. Këtu morën formën e një tipi të leximit monografik, ndonëse mbesin ende jashtë këtij formati lexime të tjera.
Është një borxh imi personal, që vjen si rrjedhojë e një bashkëpunimi të gjatë me Mikelin në fushën e letrave e të veprimtarive letrare e kulturore dhe të veprimtarive tjera.
Libri vjen në 65-vjetorin e lindjes së Mikel Gojanit e të daljes së tij në pension. Pra, vjen pas një përvoje të përbashkët, të gjatë krijuese e jetësore.