
UNË JAM STUHIA, TI NJË DET I TRAZUAR
Unë jam stuhia,
çmenduri qiellore në forcë e pasion,
me flokët shtrëngatë
dhe sytë që shkreptijnë çdo herë që ti më shikon.
Ti je deti,
një heshtje që nuk di të heshtë,
një valë që digjet nga brenda,
një zemër që lufton dallgët e mallit si kreshtë.
Ne nuk jemi paqe,
as paqe s’na duhet,
se çdo prekje jote është përmbytje,
çdo puthje imja, rrufe që nuk shuhet.
Kur më afrohesh,
toka lëviz në boshtin e saj,
gjymtyrët e tua shndërrohen në brigje që s’më ndalin,
por as s’më mbajnë.
Dhe kur largohem,
mbetesh shkumë në bregun e kujtimeve,
e trazuar, e pafund,
si një lutje që s’arrin qiellin e përjetimeve.
Ne nuk mund të jemi pa njëri-tjetrin,
në dashurinë tonë ka luftë të gjallë,
ka britmë, ka ankth dhe ekstazë,
por ka edhe një përjetësi që digjet ngadalë.
Unë jam stuhia,
Ti je një det i trazuar.
Dhe bota le të fundoset,
për sa kohë unë të bie mbi ty,
e ti më përqafon, si tallazi qiellin.
(D&N- e merkurrë, më 14. 05. 2025)