12.5 C
Tiranë
E enjte, 21 Nëntor 2024

Pse pacientët kosovarë shkojnë për shërim në spitalet e Serbisë?!

Shkruan: Florim Zeqa, 11.10.2024

Turqeli hesapi, si palestinezët në spitalet e Izraelit

Gjatë një debati në një studio televizive për shëndetësinë, derisa politikani shpaloste premtimet elektorale për përmirësimin e sistemit shëndetësor në sektorin publik, nuk e di, rastësisht apo qëllimshëm në ekran shfaqeshin reklamat ofertuese për vizitat specialistike në sektorin privat, si në vijim; “Pako e Kolonoskopisë me anestezion në vlerë 130+45 euro Biopsia Endoskopike”, “Egzaminime Endoskopike me Kapsule Endoskopike nga 1650 euro në 870 euro”, “Pako Reumatologjike në Spitalin Amerikan (mjekët shqiptar) 2 nga 180 euro në 45 euro”, “Rezonancë Magnetike një zonë 90 euro” dhe reklama të tjera të njëpasnjëshme që ua kanë bërë jetën ferr qytetarëve të vendit tonë, të cilët më lehtë gjejnë shërim jashtë vendit sesa në spitalet tona!

Zori thonë t’çon në derë të armikut!

Edhe pse Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka buxhetin për barna me të lartin ndonjëherë, barnat esenciale mungojnë. Prej muajsh, klinikat e spitalet rajonale nuk janë furnizuar mjaftueshëm me ampula dhe antibiotik. Sipas një burimi, vetëm mungesa e njërës prej ampulave, pacientëve që e kanë të përshkruar në terapi u kushton deri në 200 euro në ditë.

Pacientët me sëmundje të rënda, në pamundësi të mbulimit të kostos financiare në vendin e tyre, përkatësisht në shtetin e lirë të Kosovës për të cilin derdhën gjak, janë duke shkuar në Spitalin e Mitrovicës Veriore dhe në qendrat spitalore në Serbi, në të cilat priten dhe trajtohen më mirë sesa në QKUK!

Zori thonë t’çon në derë të armikut!

Për këtë nuk janë fajtorë pacientët që kërkojnë shërim jashtë vendit, e në veçanti në Serbi, por ata që i sollën në këtë gjendje qytetarët e këtij vendi pas 25 vjetësh në liri!

E këta janë politikanët e të gjitha llojeve e ngjyrave politike që nuk bën asgjë për të mirën e qytetarëve që 16 vjet në shtetin e pavarur!

Përveqse nuk u ndërtuan spitale të reja, nuk u mirëmbajten si duhet këto ekzistuese nga koha e ish Jugosllavisë!

Në spitalet tona publike trajtohen mirë vetëm pacientët që shkojnë përmes lidhjeve nepotike dhe ata që i kanë xhepat plot, të varfërit i detyrojnë të presin korridoreve derisa të mërzitën për t’u larguar vet apo të alivanosen në dyshemetë e korridoreve gjatë pritjeve të gjata në spitalet tona!

Vërtetë e dhëmbshme dhe trishtuese të dëgjosh rrëfimet e pacientëve për keqtrajtimet dhe ferrin e përjetuar në spitalet tona publike!

Por, akoma më e dhëmbshme kur dëgjon që ata priten dhe trajtohen më mirë në ‘shtetin armik’ sesa në shtetin e tyre!

Spitalet private janë ‘mollë e ndaluar’ për shumicën e qytetarëve të Kosovës!

“Spitali Amerikan” vetëm emrin e ka ashtu, pasi të gjithë mjekët (mjekë që punojnë në QKUK) janë shqiptarë që rrjepin pamëshirshëm qytetarët e varfër të këtij vendi!

Tek ne, përveqse mungon përkujdesja dhe trajtimi i mirë i pacientëve nga mjekët dhe infermierët, mungojnë të gjitha barnat esenciale dhe materiali i nevojshëm sanitar, filluar nga gjërat elementare. Përveç antibiotikëve, mungojnë edhe barnat esenciale për trajtimin e pacientëve në mjekimin intenziv.

Tek ne mungojnë të gjitha për fajin e politikanëve të papërgjegjshëm dhe mjekëve të pangopshëm që e kanë harruar ‘Betimin e Hipokratit’, të cilët së bashku janë fajtorë pse pacientët kosovar kërkojnë shpëtim (shërim) në spitalet e Serbisë!

admin
adminhttp://dritare.org
Dritare.Info, Admin
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.