Itali/ Një mjeke shqiptare përfaqëson Kryqin e Kuq Italian në Samitin e G20
Në Romë po zhvillohet samiti dyditor i G20-s, ku janë takuar krerët e 20 vendeve më të industrializuara. I pari samit me prezencë që prej dy vjetësh.
Temat kryesore të këtij takimi janë lufta kundër ngrohjes globale, luftimi i pandemisë Corona dhe pasojave ekonomike të pandemisë.
Në ekipin përfaqësues të Kryqit të Kuq Italian që po ndjek punimet është edhe mjekja shqiptare Barbara Shkodrani.
Shkodrani i është bashkuar Kryqit të Kuq italian në fillim të këtij viti. Bashkëpunimin me Kryqin e Kuq italian ajo e ka nisur fillimisht në zonën e Fiumcinos, në qendrën e vaksinave të Fiumicinos dhe në Qendrat e shpejta të tamponeve.
Shkodrani është diplomuar për Mjekësi dhe Kirurgji në Universitetin e Romës “La Sapienza” dhe aktualisht është regjistruar në Master në Mjekësi Estetike në Universitetin LUMSA të Romës dhe Konsorciumin e Universitetit Humanitas. Qëllimi i saj në të ardhmen është të studiojë Dermatologjinë, veçanërisht Dermatologjinë Onkologjike.