Mashtrim i Berishës me gjyqin në Francë, Meçe: Ja pse e bëri këtë. Konomi: Një abuzim i një politikani.
Sali Berisha mashtroi publikun shqiptar ku nga Foltorja e tij me demokratët u shpreh se kishte gjykatësi në Paris të Francës e kishte pranuar padinë e tij dhe se sipas informacioneve të marra nga avokati i tij dosja kishte zero fakte.
“Jo vetëm gjykatësi ka pranuar shqyrtimin e padisë, por miqtë e mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero prova, zero dokumente ashtu siç ju kam thënë unë ju. Megjithatë ftoj Sekretarin e Shtetit dhe cilindo shtetas, qytetar, institucion të atij vendi e mbarë botës, që çdo fakt, provë, dokument që të ketë, ta çojë në sallën e gjyqit në Paris”, tha Berisha.
Ky mashtrim rezultoi gjatë emisionit Zona Zero ku gazetari Albi Xhunga e nxori zbuluar ish-kreun e selisë blu në emisionin Zona Zero në Top News. Vetë gazetari kontaktoi me zv/Prokurorin Vincent Plymas, në gjykatën e Parisit. Dhe sipas përgjigjes zyrtare të këtij të fundit, nuk kemi të bëjmë me një pranim të padisë, por me regjistrim ose quajtur ndryshe protokollim të saj.
Pikërisht kjo çështje ishte temë e diskutimit në emisionin Zona Zero mes analistit Arben Meçe dhe gazetares Esiona Konomi.
Gazetarja e politikës, Konomi u shpreh që nga mënyra se si e deklaroi Berisha u pa që kishte diçka që nuk shkonte, pra aludoi se ish-kryeministri po abuzonte.
“Është pranuar kërkesa, e është pranuar nga gjykatësi paraprak, në këtë element ka abuzuar ose Berisha na ka thënë një gjysmë të vërtetë, dhe u kuptua si një fitore e madhe, pra nuk kemi asgjë nga Gjykata për fajësimin e zotit Blinken apo pafajësinë e Berishës”, tha gazetarja.
Por Meçe deklaron se deklarata e Berishës që rezultoi një mashtrim nuk ka asnjë lloj impakti, u lëshua vetëm për të ndezur zjarrin e ithtarëve të tij që e ndjekin.
“Nuk është gjë tjetër veçse një depozitim i një kërkese në gjykatë, për çfarëdo lloj kërkese është normale e pakontestuar, e pa detyruar. Protokollimi nuk do të thotë nisje apo fitim çështje. Ajo që e futi shumë në dyshim është mungesa totale e një ekspozimi të një shkrese, apo një numër protokolli që gjykata e Parisit i ka dhënë avokatit në këtë rast për të bërë të besueshëm deklarimin e Berishës”, tha Meçe, i cili shtoi se ky mashtrim pati një impakt të madh.

