FRIKA GREKE NDAJ KRYEPESHKOPIT VISARION XHUVANI
Një besimtar nga Tirana shkoi dje në varrin e Imzot Visarion Xhuvanit, i fshehur ky në mes të shkurreve, kodrinë pas kodre në Shijon të Elbasanit, atje ku e fshehu regjimi komunist, pas zhvarrosjes makabre nga Manastiri i Shën Gjon Vladimirit. E zhvarrosën fshehtas, për të zhdukur shenjën e pranisë së tij historike, sepse komunistët e kishin frikë edhe të vdekur.

Siç duket në fotot e dërguara nga i riu ortodoks, nuk është bërë asgjë nga Mitropolia e Elbasanit për të kthyer eshtrat e Kryepeshkopit të parë të KOASh-it në manastirin ku u varros fillimisht më 1965.
Në fakt, nëse Visarion Xhuvani nuk urrehej nga qarqet nacionaliste greke, komunistët nuk do të guxonin ta preknin varrin e tij, ashtu siç nuk prekën varret e ushtarakëve italianë të varrosur atje.

Siç duket në foto, në manastir është varri i kolonelit Fernando Raucci dhe nënkolonelit Coffredo Zignani, të pushkatuar më 17 nëntor 1943 dhe të dekoruar me Medalje Ari për arritje ushtarake.
Pllaka e sotme mbi varr ka datën 2 tetor 2003 dhe është vendosur nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri.

Kryepeshkopi i sotëm i KOASh-it, i cili funksionon në Shqipëri për disa dhjetëvjeçarë si ambasadori de facto i Greqisë, nuk lejon kthimin e eshtrave të Kryepeshkopit të KOASh-it, sepse kujtimi dhe nderimi i hierarkut martir vjen ndesh me greqizimin e komunitetit ortodoks në Shqipëri, me ndërtimin dhe shumëfishimin e varrezave ushtarake greke në jug, si dhe me hapjen e shkollave greke në shumë qytete e fshatra në gjithë vendin.
Nga ana tjetër, Mitropoliti i Elbasanit, hirësi Andoni (Artan Lutfi Merdani), shpreh përçmim për Kryepeshkop Visarionin, të cilin e cilëson si “antikomunist”, por nuk ndihet njësoj për varrin e oficerëve të ushtrisë fashiste në të njëjtin manastir.

Në një manastir ortodoks, pra, ish-murgu i manastirit dhe Kryepeshkopi i parë i KOASh-it, zhvarroset nga regjimi ateist dhe nuk pranohet më atje për 30 vjet as nga hierarkia e sotme greko-myslimane, ndërsa oficerët e një ushtrie pushtuese nderohen dhe prehen të patrazuar.
Me çfarë arsyetimi mund të shfajësohet një paradoks i tillë në Shqipëri?
POSTIME PLOTËSUESE (Atë Foti Cici)
URREJTJA GREKE PËR VISARION XHUVANIN (26 korrik 2021):
Elbasani kundër Visarion Xhuvanit (3 korrik 2020):
Mitropoliti i Elbasanit Andoni (Artan Lutfi Merdani) në WikiLeaks (25 qershor 2019):
Urrejtja e Janullatosit për Kryepeshkopin martir Visarion Xhuvani (21 janar 2019):
VARRI I VISARIONIT (II) – 26 janar 2018: