
Pjesa e tretë i zhvendos ngjarjet në Shqipëri. Kjo erdhi si pasojë e zbulimit të rrjetit të drogës nga personazhi kryesor i kësaj triologjie, Alisa Varfi, e cila, falë vendosmërisë së saj, arriti të hidhte dritë mbi plot ngjarje të një grupi të organizuar kriminal. Fatmirësisht, ky grup me gjithë përpjekjet për zhdukjen e gjurmëve të krimeve, duke bërë eleminimin e dëshmitarëve, nuk arriti të shpëtonte. Autori ndalet në problemet e kësaj lufte, e cila, për fat të keq, në vendin tonë për arsye nga më absurdet, u tregua e mefshtë, pasi në krye të grupit që përshkruan autori, ishin njerëz të veshur me pushtet. Edhe këtu në ngjarjet në Shqipëri, përsëri u veprua ashtu si në Itali, ku kokat e grupit përpiqen të zhdukin prova e dëshmitarë. Alisa kthehet në Atdhe për të njoftuar të atin, nga që do të fejohej me një djalë dhe donte bekimin e babait. Në avion ajo takon rastësisht të shoqen e një krimineli, i cili u vetëvar ne burgjet e Italisë. Në anë tjetër përfshihen në trafikun e drogës edhe bodigardi i Ministrit të Rendit, si dhe prokurorë, të cilët përpiqen që të mos arrestojnë Gazmendin, i cili për të humbur gjurmët arratiset nga Italia. Ai e ndien rrezikun e arrestimit, ndaj ikën nga Durrësi në Tiranë, por ja që edhe atje zbulohet. Ish-bashkëpunëtorët e tij të trafikut kërkojnë ta vrasin, por Alisa zbulon gjithçka. Në përpjekje për ta vrarë, ata ndiqen nga Alisa dhe mësuesi i saj i karatesë dhe pas një përleshjeje në një pyll, ajo arrin t’i mënjanojë kriminelët dhe t’i mbajë gjersa të vinte policia. Në gjyq zbulohet ploësisht veprimtaria kriminale e këtij grupi, duke bërë të mundur që personat me pushtet të japin dorëheqjen.