18.5 C
Tiranë
E mërkurë, 25 Mars 2026

Rrëfenjë satirike: Nga Thoma Goga

Rubrika: NGA BLLOKU I SHËNIMEVE
Kjo rubrikë ka qënë e preferuar për gazetarët e brezit tim. Po sjell ca “xhevahire” nga këto shënime:
LETRA “DORE” PËR…
Vite e vite të shkuara, po shumë vite të shkuara jam njohur me një fakt të tillë. Ka ndodhur në një nga kooperativat bujqësore andej nga anët tona. Kryetari si burrë babaxhan, i kishte dhënë një fshatari të këputur një letër dore. Dhe me të fshatari merrte gjithmonë gjysëm page mujore. Po ai kryetar e plotësoi “mandatin” dhe “e qarkulluan”. Erdhi një tjetër. Edhe ky burrë babaxhan. Thanë se ishte dhe i kalemit. I bënte mirë hesapet e kooperativës. Kështu dhe ajo “pusullja” e fshatarit që merrte gjysëm page, nuk “pinte” më ujë.
Po hallet e kooperativistëve s’kishin të sosur. Një kërkonte ndihmë me ushqime se ishte “kallaballëk” i madh në shtëpi. Një vinte për ca lëndë ndërtimi të riparonte shtëpinë e rrënuar. Dikush për punë të lehtë. Dikush për bursë e një tjetër për ndonjë kurs. Koka i zjente të ziut kryetar. Ca nga planet e prodhimit, ca nga mbledhjet e frontit. Ca nga vjedhjet e turnit “të tretë”… Me disa filloi të sillej si diplomat. Ja, i mbante varur me shpresa. “Ik sot, hajde nesër”. Pastaj edhe ky nisi avazin si ai kryetari paraardhës. Filloi të lëshonte letra dore. Po pak më të rafinuara. Lëshonte letër edhe për atë që kërkonte ndihmë me ushqime, edhe për atë vinte për ca lëndë ndërtimi, edhe për atë që kërkonte bursë, ose ndonjë kurs. Dhe të gjithëve, bashkë me letrën u jepte edhe një këshillë: “Mos ia trego njeriu se nuk i zgjidh dot të gjithë…”.Mund të jetë një ilustrim i teksti
Mirë, mirë po fshatarët nuk e “hanë thatë”. E duan më shumë njëri-tjetrin. “Fronti” i kishte edukuar që të kishte unitet në fshat. Për dy-tre ditë thuajse i gjithë fshati e mori vesh. Vetëm Çeçua nuk shkoi. E ç’do kërkonte Çeço ziu? Pensionist hesapi. Çdo mëngjes, herë burrat e herë gratë shkonin te kryetari të merrni nga një copë letër, me shpresë se do zgjidhnin hallet e tyre. Po hallet s’kishin të sosur.
Tani fillonte pjesa e dytë e “filmit”: “Letra e kryetarit”. Vinte te magazina ai që do merrte lëndë ndërtimi për shtëpinë. Nuk i “pinte” ujë letra.
– Nuk është shkresë zyrtare, – ia kthente magazinieri, – është thjesht “letër dore”.
Shkonte te dyqani fshatit ai që kërkonte më shumë ushqime se ishte kallaballëk, shitësja nuk e njihte këtë lloj letre.
– Është “letër dore”, – ia priste ajo.
Kështu ndodhte edhe me ata që donin bursë, edhe me ata që kërkonin ndonjë kurs, edhe me…
Në darkë pas punëve të ditës, pleqtë mblidheshin te lëmi i fshatit, ose te klubi Lalait. Mes tyre si gjithmonë ishte edhe Çeçua, që nuk shkoi te kryetari për ndonjë letër. Edhe ai, paçka se nuk e jepte veten, punët nuk i kishte dhe aq në terezi. Diku “i pikonte” çatia edhe atij.
– Po ti pse nuk shkove të kërkosh rritjen e pensionit?- e pyeti seriozisht dikush.
– Po ja, – gjykoi Çeçua , – po të shkojnë të gjithë, nuk zgjidhet askush. Megjithatë u bë kureshtar se çfarë shkruante letra e kryetarit.
– Pa ta shoh pak atë letër,- iu drejtua dikujt Çeçua.
Para syve të Çeços zgjatën letrat nja 5-6 veta. Dhe “ustai” i vjetër filloi të lexonte njërën. “Ndihmojeni kooperativistin……. që të zgjidhet halli i tij. Kjo letër të përdoret kur të vijë nevoja. Kryetari”. Pastaj mori një tjetër letër. Edhe ajo po ashtu lexonte. Vetëm te emri i fshatarit ndryshonte. Lexoi edhe një tjetër, një tjetër…
– Po ju, plasur i keni sytë?! – sqaroi Çeçua. – Ai u ka dalë borxh. E thotë qartë: “Kjo letër të përdoret kur të vijë nevoja”.
– Prandaj na thonë kudo “është letër dore”? – ngriti zërin njëri.
– E pra,- qeshi Çeçua, -kur t’u vijë nevoja përdore, dmth në nevojtore…
Kjo mesele m’u kujtua tani edhe pse ka vite e vite të shkuara, po shumë vite të shkuara. Se mos thotë ndonjë, ç’lidhje ka me kohën e sotme? Jo, more babam, unë e shkrova ashtu kot… Sot s’ka “letra dore”, po letra “dixhitale”. Çajnë një “det” të tërë, pa u lagur fare…
(TH.G.)
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.