Dimri tallet
Dimri tallet me mua
Leckat e grisura varë krahësh
Si përbindësha më janë ngjitur
Mbi supet e mia si gur varresh
Gardianët në shtatë rradhë syskuqur
Janë xhemati i kortezhit që luan me vdekjen
Brenda telave me gjemba grisen dëshirat
Brenda shpirtit e frymës i ruaj më të mirat
Arkivoli ma bënë me sy
Kotësëkoti rrin hapur unë syrin nuk ja shkeli
Mbështillem brenda kujtimeve
Më ngrohin ëndrrat e mia, pranvera që do çeli
Ditënetët ngjasojnë me arenat
Kush do e mbushë më shumë shportën e përdalë
Të pistat i hedh me kurajo ngadalë
Mbi shpatulla mbaj akuzën
Armik i popullit.
(1986, Idrizovë) @s.h.
Ishe ti
Më bëhet sikur vallëzoj brenda vetes
Lundroj në barkun e natës plot dallgë
Ajo mundohet të hedh mëkatet
Gjithmonë duke u ruajt nga syri im
Pulsi më është rritur nga vështrimi
Sytë më digjen si qiri
Të takoj në qiellin shpuzë
Të ngrohë me flakën që digjet në buzë
Ti më flet njëjtë si më parë
Të kam futur në sy e s’bëzaj
Në lumenjtë e natës merr hov dallga
Erërat më fishkëllejnë e qielli qeshet
Vetëtimat takohen nën re
Të ruaj nga zjarri e mëkati i natës
Të mbështjelli me aromë stinësh
Nuk di në ishe ti apo ëndrra ti je? @s.h.
Sonte do e zhveshi natën
Sonte do e shtrydhi natën
Do ia kulloj terrin në sytë e mi
Rrezet do ia marr do e lë të verbër
Të bëj këmishë nate për ty
Sonte në thellësi të saj do futem
Edhe pikat e vesës në gotë do ia mbledhë
Një për buzën tënde shegë
Me tjetrën do ujis lulen e kuqe
Të më dehë me aromë çdo mëngjes
Sonte do e zhveshi natën nga errësira
Të gjithë mëkatet do ia dorëzoj lumit
Nuk do jet më mbretëreshë e misterit
S’do ketë mundësi të mi vjedhë orët e gjumit. @s.hyseni