FORCË TË JEPTE
TË NGRIHESHE NË KËMBË
1981-ta, si sot në mendje më rri
Isha i shtrirë në Spitalin e Prishtinës
Dhimbja e plagës më therte në shpirt
Nga shtrati s’mund të lëvizja
Në dhomë hyri Njeriu i Mirë
Me shikim të patrembur shkëlqente
Dorën e vuri mbi ballin tim
-Qenke mirë, më tha,-
plaga është e shërueshme
Një çokolatë nxori nga xhepi
Më ofroi që ta merrja
Ndërsa më vështronte librin
Që herë pas here e lexoja
Në dhomë kishte dhe të plagosur
Nga plumbat që i kishin marrë
Ai aq zemërmadh që ishte
Forcë të jepte të ngriheshe në këmbë
1981-ta, si sot më rri në mendje
Dhe dhoma e spitalit ku isha shtrirë
Aty Njeriu i Mirë erdhi të më vizitonte
Njeriu që me vepër shëmbëllente
Njeriu i Mirë që nuk vdes kurrë,
Ai jeton në zemrat njerëzore…!