10.5 C
Tiranë
E enjte, 30 Prill 2026

Sahit F. Osmani

ORA E LIGË

Dita që vjen pas si orë e ligë mos ardhtë
mbrapsht iu kthefshin akrepat kohës saj
koha le t’i shkund e shkul me gjithë rrënjë
orën e ligë mos pastë gojë që ta përmend
Ajo troket në shtratin e gjaktë të jetës
tmerr kërcënon me akrepat e ndryshkur
të dënon me vdekje nuk të lë që të lindësh
jetës së bukur në rrjedhë ia shkurton jetën

U bëftë orë e braktisur për kohë të ngrirë

e mbuloftë ndryshku dhe pluhuri i ferrit

mos pastë dorë akrepat përpara t’ia lëvizë

dita e nesërme të jetë dashuri e re që lind

“””””””””””””””””””

PORTRETI I FYTYRËS TËNDE
Fytyrën tënde për ta portretizuar
dorë e zemrës m’i kërkonte ngjyrat
emrin ta rrezatonte në gjijtë e yjeve
për ta derdhur në hark të ylberit
Furçë e luleve me buzët plot nektar
e lëmonte pëlhurën e fytyrës
harmonizonte ngjyrat me njëra-tjetrën
shpirtin tënd mos ta trazojnë

Me ngjyra të veçanta portretizonte

buzëqeshjen

pa shkaktuar ndonjë dhimbje

për ta ndezur fytyrën tënde të dielltë

dashuria kalonte edhe mbi veten

“””””””””””””””””””

EDHE KUR MESNATA FIKET
Stolia mortore nuk i mbyll plagët
në dhimbjen e tyre kullon drita qiellore
në rrugët që çojnë për në banesën e fundit
gjak purpur lëshojnë edhe lulet artificiale

Të gjithë e duam një qiell të mbërritshëm

e keqja të fundoset një herë e përgjithmonë

e mira mos të varroset të lulëzojë me yjet

edhe kur mesnata fiket në përtej – kohë.

“””””””””””””””

E PAPRITURA
Më del në rrugë e papritura
bukuriplotë më tërheq përtej
atje ku rron vetëm dashuria
atje ku prijnë fatet e jetës
E pakapshme ishte për një çast
s’guxoja që t’i afrohesha
më dukej se po më tërhiqte zvarr
më dukej se shpirti po më ndahej
Diellit mëshirë po i kërkoja
të m’i jepte dritë nga drita jetës
në rrugë e papritura më ndiqte
rrugës që çonte përtej vdekjes

“-Më duaj, nëse don të të dua

gjej fjalë të tjera për të më thënë

të prita se pa ty s’mund të vdisja

ti, fije drite e shpirtit tim!

“”””””””””””

ATY KU ÇEL DRITË FYTYRA JOTE
S’dua të jem si ti por të adhuroj
për heshtjen dhe mirësinë që ke
durimi na dhuron frutin e pjekur
athëtimi vjen nga padurimi ynë
Nga pemë e jetës cicëron bengu
në bisk të dashurisë pikon vesa
aty ku ngjizet e mrekullon jeta
aty ku frymon shembëlltyra jote

Bie si gjeth i zverdhur në vjeshtë

vargjet shemben si penda rëre

e dashuria mbetet e përjetshme

aty ku të çelë dritë fytyra e jote

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.