PËR LIRI TË REJA
E flijon dielli trëndafilin e kuq të tij
perëndon majë kreshtash të mprehta
derdhet gjak i ajrtë diellor në horizont
ta luftojë terrin që kohën terrorizon
Hutohet drita që shfaq ndryshimin
si lodër e frikshme në sy të botës
me diellin e jetës duke marshuar
dhe zemrën që shpërthen në zjarrr
Trishtohet jeta për gjakun e derdhur
të rrezeve të dritës, – yjeve qiellorë
nëpër udhët e luftës për ndryshimin
përpjekjet e heronjve për liri të reja
“””””””””””””””””
NË JETËN TONË TË PËRBASHKËT
Sa ajër ka hyrë nëpër mushkëritë
sa gjak ka rrjedhur nëpër zemër
bashkë me mjerimin e pikëllimin
bashkë me dashurinë e urrejtjen
Bashkë e përqafojmë njëri-tjetrin
me fytyra të buta dhe të ashpra
se kush më të fortë e ka goditjen
në këtë jetën tonë të përbashkët
Duart rrokin armët shkathtësisht
të drejtën njerëzore që ta vrasin
sa ajër ka hyrë nëpër mushkëritë
sa gjaku ka rrjedhur nëpër zemër
Sërish qëndrojmë lindim e vdesim
përbashkuar thërrasim njëri-tjetrin
dikush me pastërtinë shpirtërore
dikush me hipokrizinë çnjerëzore
“””””””””””””””””””
SA HERË SHIKOJ FOTOGRAFINË TËNDE
Sa herë e shikoj fotografinë tënde
dhe kujtesa e ndjenjave më zgjohet
sytë e tu me buzëqeshje më flasin
ndalin dhimbjet dhe ankthet nëpër ëndrra
Shikimi më përlind kohën e shkuar
ku për shkak të tjerëve veten ngatërronim
vetë dashuria trishtohej dhe tërhiqej
i kalonte tejpërtej mosmarrëveshjet
Të mirë janë sytë e tu edhe në fotografi
shndritin me dritën e dashurisë
udhës së përjetshme drejt së ardhnes
duke më marr me vete edhe mua
“”””””””””””””””””””
PËRSIATJE
Si mund të të harroj ty
kur në të njëjtën kohë
si nyjë gordiane m’pate lidhur
perlat e dashurisë qenë ngjizur
Tani kërkoj në ëndërr të flas me ty
të të them atë që zemra dëshiron
por ti vazhdimisht e fsheh fytyrën
në kutinë e zezë të kujtesës
Arrij që t’i prek buzët e tua
dhe në çast më merret fryma
sikur më përqafon hije e vdekjes
i fërkoj sytë të zgjoj ëndrrën
Dashuria nga gjijtë mëkon jetën.
më ngacmon me rrezen e dritës
të zgjoj harresën,të fshij kujtesën
kujtesën që si përket kokës sime