NDUE TARAZHI, MËSUESI DHE SPORTISTI I SHQUAR
I RRETHIT TË KURBINIT DHE TË KRUJËS

Kujtimet për mësuesin zgjasin sa vetë jeta e njeriut. Jo vetëm çdo 7 mars, por çdo ditë sepse mësuesit kanë vendosur për ne shinat e jetës.
Si nxënës i Shkollës së Mesme të Përgjithëshme “Ismail Qemali” të Laçit në vitet 1968 – 1972, (atëhere gjimnazi mbante emrin Ismail Qemali), kam shkruar kujtime për këto vite, për mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle, por për Ndue Tarazhin vendosa të shkruaj një portret të veçantë sepse ai përbën mësuesin dhe sportistin model të kohës.
Ndue Nikoll Tarazhi është lindur me 14 shkurt 1942 në fshatin Tarazh të Mirditës. Në vitin 1946, familjarisht, ka ardhur në Fushë -Mamuras, në fermën e Thumanës. Pasioni për sportin dhe fiskulturën u shfaq te ai që në moshë të vogël që në shkollë fillore dhe atë 7 vjeçare në Mamuras.
Meqenëse në atë kohë nuk kishte shkollë të mesme në Mamurras, Ndueja ndoqi shkollën e mesme në Shkodër, shkollë me konvikt dhe vitin e katërt e ndoqi në Krujë po me konvikt.
Në Shkodër dhe më pas në Krujë ra në sy talenti i tij për sportin.
Në Krujë, Ndueja, bashkë me disa konviktorë të tjerë, me mbështetjen edhe të sportistëve dhe sportdashësve të qytetit, u bë një nxitës i veçantë në fillesat e sportit ne Krujë, sidomos të volejbollit dhe të futbollit.
Në vitin 1961 ekipi i volejbollit të Krujës “Kastrioti” ngjitet në kategorine e parë duke u përballur me ekipet elitare të Shqipërisë, Dinamon, Partizanin etj. Ndueja ishte promotori i ekipit dhe, si kapiten i skuadres, bashkë me Ilo Gaxhajn, i cili kishte ardhur nga Tirana, edhe ai konviktor, e rriti shumë cilësinë e lojës së ekipit të volejbollit të Krujës. Më vonë nga ekipi i “Kastriotit” Dinamo do të merrte në ekip Shkëlzen Hoxhën shokun tonë të gjimnazit të Krujës.
Në vitin 1961 Ndueja fiton të drejtën e studimeve në Institutin e Lartë të Fiskultures e Sporteve ” Vojo Kushi” në Tirane. Në këtë institut Ndue Tarazhi i persosi aftësitë e tij jo vetëm si sportist, por edhe si një metodist dhe organizator i talentuar i lëvizjes fizkulturore e sportive, aftësi të cilat i tregoi me punën e tij më vonë, në vitet kur punoi në arsim, në sektorin e edukimit fizik e sportiv.
Me mbarimin e Institutit të Fizkulturës, nga viti 1964 deri në vitin 1968, ka punuar si mësues i edukimit fizik në Gjimnazin e Krujës. Në këtë periudhë por edhe më pas ai ka mbetur në kujtesën e qytetarëve të Krujës e të Fushë Krujës si shpirti, motorri e nderi i sporteve.
Në vitin 1968 Ndueja emërohet në shkollën e mesme ne Laç. Shkolla e mesme në atë vit kishte vetëm dy klasa dhe dy vite mësimore, klasën e dytë dhe klasën e parë ku isha edhe unë.
Në qytetin e ri industrial të Laçit, krahas punës si mësues i edukimit fizik Ndueja nuk i’u nda punës për zhvillimin e sporteve në zonën e Kurbinit.
Mbi bazën e gjimnazit të Laçit u krijuan ekipet e basketbollit për meshkuj dhe femra, ekipet e volejbollit për meshkuj dhe femra si dhe filloi veprimtarinë ekipi i futbollit “Industriali” ku bënin pjesë përveç Ndues që ishte trajner, kapiten dhe lojtar edhe shoku ynë i shkollës (që nuk jeton më) Alqi Lango, mbrojtës i djathtë, vëllezërit Tuna, inxhinjerë, punëtorë, ushtarë etj. Edhe sot vepron ekipi i qytetit të Laçit në superiore, me fillesat e tij në ato vite dhe në atë fushë sportive (stadium).
Sportistja dhe qitësja e njohur Shahije Billa drejtonte ekipin e qitjes që përfaqësonte “Kastriotin” e Krujës në shkallë vendi dhe ku bënin pjesë mësuesi ynë Dedë Berisha dhe shumë nxënës të gjimnazit.
Ishin jo pak, por 5 ekipe futbolli, Kastrioti, në kategorinë e dytë, Industriali në kategorinë e tretë, Kurbini i Milotit, Adriatiku i Mamurrasit dhe Iliria e Fushë Krujës që zhvillonin minikampionat midis tyre, që drejtohej nga profesori ynë Ndue Tarazhi, njeriu më energjik që kam njohur ndonjëherë.
Ndueja vinte me ne edhe në zboret ushtarake në Patok e Tale, edhe në aksionet kombëtare të rinisë në Jonufër e Lukovë. Ai ishte mësuesi dhe shoku ynë.
Ndue Tarazhi në Kurbin ka dhënë një kontribut të madh në paisjen e shkollave me mjete sportive, duke shfrytëzuar terrenet sportive brenda shkollave, por edhe mjedise të tjera në afërsi të tyre. Është për tu theksuar fakti se Ndueja është iniciatori i ngritjes se fushës së futbollit në Fushë – Mamuras, ne te cilen per shume kohe ka zhvilluar ndeshje ekipi “Kastrioti” i Krujes. Ndertimi i kesaj fushe futbolli e nxiti me shume deshiren e kurbinasve per kete sport popullor, per futbollin. Veç ekipit “Kastrioti”, pjese e te cilit ishte edhe Ndue Tarazhi, si futbollist dhe si kapiten, ne keto terrene filluan te ushtrohen e të luajne edhe ekipe te tjera, ekipe te shkollave dhe ekononomive të ndryshme të zonës, ndër ta edhe ekipi i NB Mamurras.
Ne kuader te nje aksioni ne shkalle rrethi te organizuar nga Seksioni i Arsimit te Krujes Ndue Tarazhi ndikoi qe brenda nje kohe te shkurter te gjithe shkollat e Kurbinit, si edhe ato te Krujes e Fushe Krujes, te paisen me nje baze materiale sportive shume cilesore. U ndertuan kendet e gjimnastikes me te gjitha veglat e nevojeshme, u ndertuan dhe u paisen terrenet sportive per sporte te ndryshme, per futboll, per volejboll, basketboll, etj. Nje gje e tille beri te mundur te rritet edhe pjesmarrja dhe cilesia e aktiviteteve sportive sidomos ne shkollat 8 vjeçare dhe ne ato te mesme. Ne vitin 1968 , ne saj te punes dhe perkushtimit të Ndues , pionierët e Mamurasit u shpallën kampion kombëtar në volejboll, duke eliminuar ekipe elitare, si Partzani, Dinamo, Tirana, Lushnja, etj. shkruan Përparim Mollë Bajrami, ish nxënës i Ndues.
Ndue Tarazhi së bashku me kolegun e tij Pjetër Xhuxha u bënë promotorë të zhvillimit të sporteve në Laç dhe në të gjithë rrethin e Krujës.
Ndueja është jo vetëm mësues, por edhe drejtues i mirë. Në vitin 2005 atë e gjejmë drejtor shkolle në Milot, por pa hequr dorë për asnjë çast nga sporti dhe nga fëmijët sportistë.
Edhe pas daljes në pension Ndue Tarazhi nuk është ndarë asnjë ditë nga sporti, duke drejtuar ekipet zinxhirë të futbollit, 15 dhe 17 vjeçarë.