Duart e nënës
Nënë Maria u verbua. Në fillim me njërin sy dhe më pas me të dy. Me njërin sy dallonte vetëm dritën nga errësira. Ecte mureve dhe dyerve nga njëra dhomë në tjetrën dhe shumë punë i bënte me intuitë. Bashkëshorti e ndihmonte shumë, por jo në të gjitha punët sepse edhe ai tanimë ishte plakur.
Duart e nënë Maries, plot damarë e të rreshkura, me kallo e me plagë nga thikat e pirunjtë, kërkonin të preknin e të përqafonin djemtë dhe vajzën e saj që ishin larg,
Thonjtë i rriteshin dhe nuk kishte kush tja priste.
-Ti pres unë, ti presim ne, i thonin gratë e lagjes, të cilat e donin nënë Marien, që i lëshonte goja vetëm mjaltë.
-Jo do të vijë vajza të mi presë, më ka premtuar.
Dhe papritur hapej dera dhe hynte vajza e saj, e cila kishte udhëtuar qindra kilometra.
Akoma pa u çmallur, nënë Maria i kërkonte tja priste thonjtë e duarve, të cilët i rriteshin shpejt dhe ajo ishte shumë sedërlie.
Vajza merrte gërshërët e rrobaqepses, (në atë kohë nuk kishte prehëse thonjsh) dhe ja priste nënës thonjtë. Vajza ja puthte duart nënës e nëna ja puthte duart vajzës.
-Eh moj bijë, të bekoftë Zoti, i thoshte papushim.
Pasi thonjtë i rriteshin përsëri, nëna thoshte me vehte dhe me zë:”Më janë rritur thonjtë, do të vijë vajza të mi presë.”
Dhe nuk kalonte pak kohë dhe vajza ja befte në derë dhe si zakonisht ja priste thonjtë nënës.
Dhe nëna i jepte urime e bekime pafund.
Nëna e la me gojë që të mos e futnin në dhe’ pa ardhur vajza dhe pa ja prerë thonjtë e pa ja pastruar trupin.
Dhe kështu ndodhi. Nëna vdiq në krahët e së bijës.
Tanimë vajza është plakur dhe fëmijët i ka larg në kurbet jashtë vendit.
Kush do të ja presë thonjtë ?!