30.5 C
Tiranë
E dielë, 15 Qershor 2025

Seti Pezaku Vladi

TË DUASH
Të duash gjurmën tënde shkëndi e ndezur,
lulet e mollës vello mbi degë,
amzën e fushës që era në deje ta sjell,
në tufën me yje ndizesh dhe ti.
Të duash lotin e një reje mbi tokën e djegur,
Këngën e lumit me flokët e thinjur,
Lisin e vetmuar me çerdhet e braktisura,
Ngjitesh Polar karvanet ndriçon.
Të duash hënën e ndezur netëve mbi qiparisa,
Rënkimin e derës pa bravë të varfërisë,
Dheun ku rrënjët mbjell e kokën mbështet,
Zemrën këngë viganes tokë i ke falë.
  @seti pezaku vladi
         13/03/2021
ARMATA E DIJES
Në terre lëngatash të gjata,
martirët zgalemë të diturisë
ngjeshën kollanin me shkronja alfabeti,
sollën ujëvarën e bardhësisë.
…U ngrit tufa e pëllumbave të bardhë,
si poleni u shpërnda lulnajave blerim,
këndoi gjuha shqipe me ngjyrat e ylberit
në psherëtimën e thinjur të tokës vajtim.
Armatë e dijes pa dafina kurorë,
argjendoni të heshtur si rrezet mbi brigje,
u bëtë vlagë e ngrohtë e rrënjës në shpërthim
nga jeshilojnë fusha, male, shtigje.
Avuj trëndafilash fytyrat ju ndizen
nëpër acare dimrash stuhi,
me zjarrin e shkronjave Promete udhëtoni
abetaren pergamen agimesh në gji.
Presin sytë e etur trokun e dritës
si toka shiun pas një zhegu tharë,
gurgullojnë krojet në dejet e tyre
kur historinë u mësoni shkruar me zjarr.
Jeni katarakt i bardhë dashurie paskaj,
bilbila ligjëronjës të ëndrrës së blertë,
në të njomtën kujtesë rrënjët lëshoni,
mbeteni suvenire të kombit për jetë.
   @seti pezaku vladi
           7/03/2021
MBRESA GALERIE
Bukuri shqiptare derdhur mbi telajo:
Oshtima gurrash me potere,
mugullime agimesh trëndafil të çelura,
fusha me afshe vlage pranvere.
Dallgë deti kacafyten me shkëmbinjtë
ku zgjuar me yjet rri historia,
tinzare e plagosur, shpirt i keq,
dremit e heshtur pabesia.
Nga një kanatë dritarje ndizet një dritë,
një valle fustanelle derdhet mbi valë,
një shigjetë dashurie hidhet e përvëlon,
zbret shkallët një vello e bardhë palë-palë.
Në ç’bulëza vese piktori e kish gjetur,
në ç’petale lulesh gjumi e kish zënë?!
Një bukuri e genit ardhur nëpër shekuj,
rrënjë pas rrënje në galeri kish rënë.
   @seti pezaku vladi
           26/02/2021
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.