14.5 C
Tiranë
E enjte, 6 Shkurt 2025

Shënime kritike nga RIFAT ISMAILI

UDHËTIM NËPËR KOHË DHE VARGJE ME OLTJONA SELAMAJ
 ( me Oltjona Selamaj )Mund të jetë një imazh i Oltjona Selamaj
Kohët e fundit, kam ndeshur ne poezine e Oltjona Selamaj, dhe kam mbetur i befasuar për shume arsye. Në rradhe te pare, çdo poet, përmes poezisë, na shfaq veten e tij dhe ndjesitë e brendshme, sikurse një shelg lotues reflekton vetveten në pasqyrën e ujërave gurgullitës të një lumi, apo, si ne nje eklips shpirteror, oret e minutat e qenies së fshehur, zbardhëllojne dhe ndrisin në  horizontin e ndjenjës.
Kjo autore, ka botuar gjer tani disa libra, poezi, aforizma etj, dhe deshira e saj eshtë të shkruaje dhe botoje ende, duke u perfshirë me shumë pasion në letrat shqipe. Por ka botuar dhe ne gjuhen italiane, dhe ka marre pjese neper konkurse dhe evenimente letrare.
 Një nga poezitë më të bukura lexuar prej meje nga kjo autore, është pa dyshim ajo e titulluar ” Nuk kam kohë”…
   Tek kjo poezi, shprehet fuqishëm dëshira e poetes për të jetuar jetën e saj, për të marrë gjithçka nga kjo esencë gjer edhe në pikën e fundit, dëshirë e ngjizur me identitet dhe me kurajo prej gruaje të mençur e të vendosur në realizimin e dashurisë dhe ëndrrave të saj.
Ja si shprehet ajo në disa prej vargjeve;
” Nuk kam kohë të lë ëndrrat në sirtar
Nuk kam kohë gjithë pjalmin jetës ti marr
Nuk kam kohë të vdes së gjalli
Nuk kam kohë , të më zërë malli…”
Por nuk është vetëm kjo; është një thirrje e brendshme e saj për dashuri, për të shkuar atje ku zemra do të shkojë, për të përshkuar qiejt e synimit, tej e përtej, me sytë e nje ndjenje të pastër e sublime. Gati- gati, kjo thirrje për kohë, për më shumë kohë, kthehet në himn, dhe qëllim në vetvete. Një peshë e rëndë si ajo e Sizifit, i dënuar në përjetësi nga Zotat, te mbarte mbi nje koder nje peshe te rende. Por ketë peshë mund ta kuptojmë edhe si sakrificë e mund qe njeriu duhet te shpenzojë, në luftën e së vertetês, për të arritur idealet dhe synimet e tij.
Autorja Oltjona Selamaj shquhet dhe për shpirtin e saj fisnik dhe altruist. Nëper faqet e librave të saj ndeshim në dedikime të mrekullueshme per miq qe ka takuar ne jete, dhe sot ndodhen në parajsë, pêr shkak të sëmundjes së tumorit.
Ajo shkruan me aq dhembshuri per miken e saj farmaciste Kamelian që u shua prej tumorit, dhe po me kaq dhimbje derdh elegji e vargje ne letër dhe për burrin e tezes, i cili humbi jetën prej kthetrave të sëmundjes.
 Por kjo ndjenje humanizmi i autores ka plot ngjyra , dhe shtrihet në shumë fusha të jetës. Poezia ” Dy herë nënë”, pohon përmes vargjeve drejtimin e saj tek Mirësia dhe përkrahjes së njerëzve në nevojë. Ja sa bukur shprehet ajo;
” Kush dhimbjen e tjetrit kuron me kujdes
Kush ndjen dashuri, edhe në mungesë.
Kush shpirtin e nis kilometra detit matanë
Kush skamorit
Me gjithë shpirt
I bëhet babë e nanë.”
Këto vargje flasin vetë, nuk ka nevojë ti shtjellosh. Flet vetë shpirti, dashuria për njeriun dhe deshira qe njerëzit ta ndjejnë njëri- tjetrin, më të afërt, në nje kohë kur vlerat njerëzore po zbehen gjithnjë e më shume.
Por poetja Oltjona Selamaj, është edhe një lajmêtare e pashpallur e dashurisë. Asaj dashurie të madhe dhe të pastër, të çliruar nga interesat dhe paragjykimet, nga gjuhët dhe rracat, asaj dashurie, qe përligj qenêsinë tone njerëzore në dialog me gjithësinë dhe Zotin.
Në poezinë ” Si në kullën e Babelit” , me pak penelata të gjalla fjalësh, na jep një ide të madhe duke na parashtruar kontrastin e gjuhëve të ngatërruara e të pafundme, me gjuhën e vetme të shpirtit. Se gjuha e shpirtit thotë ajo, nuk ështe e kondicionuar prej asgjëje, êshtë e njejtë për të gjithë njerëzit, dhe  i bën të komunikojnë pa fjalë, përmes vullnetit sublim të ndjenjës.
Në një tjetër poezi, me titull ” Sa vështirë të njihet e Vërteta”,  ajo shpërthen në vargje si këto;
Me lartësinë e dallgës më të ashpër matet
Me forcën e fjalës mbret
Thyen heshtjen, paragjykimet, ligësitë
Jo më kot, quhet ” E vërtetë.”
Jo më kot, synon lartësitë.”
Kjo e vertetë, për të cilën flet autorja, ka forcën për të ndryshuar botën, ka ëndrrën e lartësive, ka synime për të zgjuar ndërgjegjen njerëzore, në shërbim të së drejtës dhe së mirës. Shume njerëz i tremben se vërtetës, ndaj bota shkon si shkon sot. Shume të tjerë se duan atë. Sepse në udhën e tyre tek shkojnë në përqafim me djallin, e verteta eshtë pengesë, eshtë një zjarr i madh që u djeg flatrat e ligështisë.
Kemi poezi që në në simbiozë me njëra tjetrën, shprehin botëkuptimin e poetes, dhe kumtin e saj. Ja si shprehet ajo tek poezia ” Vijmë nga arka e Noesë” ;
” Mos fërko barkun për dhimbjen e tjetrit
Se tjetri je edhe ti, a e di?
Në kohë morti e fatkeqësie
Bashkohet njeriu me njerinë”…
Siç shikojmë , ajo ngulmon nga njera poezi nè tjetrën, idenë e saj për bashkim dhe vëllazëri, sepse të gjithë jemi, mendon, një stirpe që e ka zanafillën tek arka e Noes, nga shkrimet e Dhjatês së vjetër. Të gjithë jemi i njëjti njeri. Ta ruajmë tjetrin dhe ta duam si ruajmë dhe duam vetveten.
Duhet kohë të flasësh për autoren, dhe kjo s ‘është e mundur në parametrat e një shkrimi.
Por nëpërmjet tij, nxjerrim një ide per të, dhe çfarë thotë ajo permes shumë poezive. Në momentet e bukura të reflektimit, vihet përpara pasqyrës së ndergjegjes, dhe lexon shpirtin. Por jo vetëm shpirtin e saj. Por të gjithë botës përreth. Me fjalet, ajo kuron dhimbjet e shpirtit per cfarë ka humbur, me fjalët, do të ndalë kohën që tê bëjë më shumë për jetën dhe dashurinë, me fjalët qendis lule dhe yje në gjergjefin e madh të shpirtit.
Me fjalët dhe prej fjalëve ndjehesh perëndi.
Po e mbyllim këtë shkrim me disa nga vargjet e poezisë ” Eca në jetë” duke i uruar autores ditë të bukura dhe ëndrra të diellta, me të cilat të ndjehet e plotësuar dhe e realizuar si grua dhe si poete.
” Eca në jetë jo për të patur suksesin
Por fituar e kam me vullnet e punë…
Edhe në vdeksha
Asnjë pishman nuk më mbetet…
Sepse tek e fundit…
Jam e vëtetë…
Jam njeri…Jam unë…”
RIFAT ISMAILI
26-02-2021 Savona
“”””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
Biografia artistiko-letrare, e autores Oltjona Selamaj:
Oltjona Selamaj, lindi më 25/4/1977, në Tiranë, ku jetoi e studioi për 24 vjet, derisa kreu studimet e larta në fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës, në degën Punë Sociale.Në vitin 2001, fill pas studimeve të larta, emigroi me një pjesë të familjes drejt Italisë, ku malli për vendlindjen, e dashuria e madhe për tokën, e njerëzit e saj, bënë të hapë arkivat e shkrimeve  të para poetike, të cilat i shkroi në Facebook, që në vitin 2009-2010, e gradualisht, e nxitur nga miqtë, e familjarët e saj, filloi t’i mbledhë, duke shkruar në kompjuterin e saj, në vitin 2014 librin e  parë me titull:
“Panorama e shpirtit”, dalë nga shtypi më 2015…
Titullin, e ballinën e së cilit, i përgatiti vetë, e i’a nisi shtëpisë botuese Barleti në Tiranë.
Nderkohë, frymëzuar në gjuhët italisht-anglisht, përgatiste me shumë dashuri vëllimin e saj të dytë:”Angelica luce-“, botuar në të njëjtin vit, nga e njëjta shtëpi botuese.
Ndërkohë frymëzimi vazhdon, e nis përgatitjet për vëllimin e saj të tretë, me titull:” Shija e Lirisë”, që del nga botimet ADA, në Prill 2016, e në tetor të vitit 2016, sjell edhe vëllimin e katërt poetik, dedikuar mikes së saj farmaciste Kamelia nga Bukureshti, njohur gjatë punës në spital në Itali, e cila humbi jetën nga tumori në gji, me titull:” Lermëni të prehem”, e nderkohë, vijon me botimin poetik, dedikuar shkuarjes nga jeta të burrit të tezes, gjithashtu nga një tumor tejet i rrallë, në prill të 2017, e në tetor të po këtij viti del po tek botimet ADA vëllimi i saj i pestë me titull:” Rënkimet e vjeshtës”, duke mbyllur kështu kurorën e saj poetike të botimit, për të nisur punën me fjalët e urta në shqip- italisht, nxitur nga dëshira e miqve të saj italianë për të njohur sadopak kulturën shqiptare, e në të njëjtin vit 2017, del nga botimet ADA, libri me titull:”Saggezza popolare– Mençuri popullore”, në shqip- italisht, gjetje e saj sigurisht, si gjithmonë titulli, edhe ballina, e pasballina, edhe redaktimet e tre vëllimeve të botuara tek ADA, autorja i ka kryer vetë me shumë dashuri, e respekt për drejtshkrimin e gjuhës amëtare, të cilën, e mësoi në vegjëli, që në shkollën fillore, e tetëvjeçare Bajram Curri, nga mësuesja e saj Xhemile Topulli, mbesa e të madhit patriot Çerçiz Topulli.
Ndërkohë, Oltjona punon si redaktore e mjaft vëllimeve me epigrame, të autorit DENILU, e së fundmi, vjen para lexuesit me pasionin e saj fëminor, fabulat në gjuhën shqipe, me titull:”Përkundrejt e Hënës”, me ballinë, e pasballinë gjetur nga vetë autorja, por me ilustrime punuar me ngjyra, nga piktorja në moshë të re, shqiptarja Fabiola Bramo, me banesë në Spanjë.
Këtu mbyllet cikli i shtatë botimeve të autores Oltjona Selamaj, por sigurisht, aspak krijimtaria e saj, e cila mban nën sënduk mjaft shkrime letrare, të cilat autorja, i ruan në kompjuterin e saj me dëshirën e mirë, për t’i publikuar, kur t’u vijë koha.
Autorja, ka shkruar deri tani, në tre zhanre letrare, e në tre gjuhë europiane, të cilat, i njeh që fëmi, e janë:shqip-italisht-anglisht.Me ardhjen në Itali, ka fituar disa herë çmime nga juritë italiane, të disa konkurseve letrare, si Aletti Editore, Pagine, e Dantebus.Ka hyrë në Antologjinë italiane 2017, me titull:” Il Federiciano”, me një nga tre poezitë e saj në dy gjuhë italisht-anglisht, ku, njëra prej poezive fituese ishte në italisht, me titull: “La mia musa sei tu”, përzgjedhur mes tridhjetemijë poetëve ndërkombëtarë, lexuar nga aktorë italianë në Rocca Imperiale të Cosenza- s, mes pesëqind poetëve të përzgjedhur për Antologjinë:” Il Federiciano” të vitit 2017.
Oltjona, ka fituar çmim pjesëmarrjeje në Istog, me titullin Ibrahim Rugova, çmimin e tretë në Tiranë nga Shoqata Jehona Shqiptare”, ku Oltjona ka qenë pjesë e Antologjisë shqiptare, për dy vjet rresht, si edhe së fundmi, çmim të tretë online, nga grupi letrar:”Instikt poetik”, për poezinë e saj me titull:”Përse”…
Pjesëmarrëse disa herë, në revistën letrare “OBELISK” me poezitë e saj, nga tre vëllimet poetike, botuar tek shtëpia botuese ADA, Tiranë, e cila së fundmi, e ka përfshirë autoren në librin:” 100 poetë për dashurinë”, ku gjendet mes autorëve më të mirë shqiptarë, e botërorë.
Gazeta Telegraf, si edhe gazeta Nacional, ka botuar gjithashtu një cikël poezish të saj, si edhe dritarjaonline, edhe të tjera gazeta, e radio shqiptare të mirënjohura, si radio Tirana 3, etj.
Oltjona, ka dhënë disa intervista televizive, e radiofonike, sidomos pas përurimit të dy vëllimeve të saj të parë, organizuar në galerinë e arteve të piktorit Kuçana, në Tiranë…
Së fundmi, në Tiranë nga shoqata “Jehona Shqiptare”,  ka marrë çmim të tretë, vlerësuar me titullin: “Penda e artë”, me poezinë kushtuar poetit të madh Dritëro Agolli, e cila do të jetë edhe pjesë e Antologjisë 2021.
Reçensimet e veprave të saj letrare, janë kryer nga publicistë të mirënjohur të letrave shqipe, si i ndjeri z.Murat Gecaj, i nderuari z. Roland Lushi, publicist i shtëpisë botuese ADA, edhe kritiku, e krijuesi letrar z.Rifat Ismaili.
Ka patur disa kërkesa botimi, pasi janë vlerësuar si të denja për botim punët e saj artistike, nga shtepitë më të njohura italiane, si Pagine, Aletti Editore, Kimerik, etj, por, autorja,  i ka refuzuar, sepse dëshira e saj, janë botimet në tokën mëmë.⁴
Oltjona gjithashtu është e para femët këngëtare VIP, në karaoken ndërkombëtare organizuar nga aplikacioni online STARMAKER  , ku këndon në shtatë gjuhë, me rezultate të shkëlqyera në top 10 këngët më të klikuara, e të vlerësuara.
Oltjona është besimtare në ZOT, e si e tillë ka shumë vite, që bën bamirësi nëmënyrë personale, atje ku e nis shpirti i shenjtë.
NËNA, E MJESHTËRIT TE NDERUAR…
Të gjitha grave u kam shkruar
Se të gjitha janë të mira
Por ndër to, ti je e SHENJTA
Je MARIA, . më e dëlira…
Mjeshtri, biri yt i shenjtë
Mësuesi i madh kësaj bote
N’ a mësoi dashurinë
Që mori nga zemra jote…
Kujt më shumë i duhet shkruar
Sesa ZOTIT, që u bë bir…
A ka mjeshtër më të madh
A ka më të bujshëm hir?!
Kujt t’i shkruaj për meritat,
që i keni vetëm ju?!
Festë e gruas, edhe e mësuesit
Mishërohet veç kështu…
Kush mëson dashurinë
Drejtësinë, edhe faljen
Meriton të lëvdohet
Gjithmonë, nga njerëzit,
të marrë shpalljen.
Sa të kem frymë, do t’u lëvdoj
Ju, që botës i dhatë dritën…
Këtë muaj e gëzofshim…
Se ju e keni meritën…
Nënë e bir, njerëzinë e doni
Vini veshur përplot dritë
Poezinë m’ a bekoni..
Ju, i  bëni mrekullitë…
Autore: Oltjona Selamaj
“”””””””””””””””””””””””””””
Në sytë e ëndërrës…
Në sytë e mi, të kam veç ty…
Dritare shprese, ku shoh qiej
Në shpirtin tim, je vetëm ti
Aty, kam zemër, njëmijë diej…
Se të kam larg, o dashuri..
E vehten keq e ndjej
Por, pranë të kam në ngrohtësi
Tek ti, vehten e gjej…
Në sytë e ëndrrës, jemi bashkë
Me krahë fluturues…
Në qiej t’ kaltër, dorë për dore
Si zogjtë cicërues…
Se ty të kam, në këtë botë
Ti je fryma ime…
Se jetën, unë e dua plot
Me shpresë, e pa zhgënjime.
Ti je diamanti plot shkëlqim
Në zemër do të t’ ruaj
Unë jam perla në çdo zgjim
Shkëlqimin, mos m’ a shuaj…
Çdo natë, në ëndërr ty të shoh
E s’ ndihem e vetmuar
Në çdo agim, veç ti më zgjon
O shpirti i kulluar.
Të ndjej ethshëm, në çdo muzg
Kur dielli perëndon
Me të, shkon brenga ime e mjerë
Ky shpirt, ty të kërkon…!
Të gjej në vargje “monument”
Aty, të mbaj skalitur
Kjo zemër-shkreta, për ty rreh…
Ndonëse e raskapitur…
Të dua shumë dhe ti e di
O dashuria ime
Kështu, më duaj edhe ti…
Me zemër, pa premtime…
Se zemrat,  zgjodhën pa kriter
Siç zemrat, dinë të zgjedhin…
U zgjuan fluturat në stomak..
Sa “çorrën” edhe qiellin…
Autore: Oltjona Selamaj
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.