
NUNZIATELLA” DHE “SKËNDERBEJ” – NJË TRADITË E RUAJTUR, NJË TRADITË E NDËRPRERË
Gjatë viteve që kam kryer detyrën e Atasheut Ushtarak të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë në Itali, kam pasur fatin dhe privilegjin të vizitoj të gjitha shkollat ushtarake italiane, duke u njohur nga afër me historinë, traditat, organizimin dhe filozofinë e tyre të edukimit.
Me një emocion të veçantë i kam përjetuar vizitat në shkollat e mesme ushtarake. Sa herë që hyja në mjediset e tyre dhe shikoja të rinjtë me uniformë ushtarake, më kujtoheshin vitet e rinisë sime, kur edhe Shqipëria kishte Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, në bankat e së cilës kam marrë arsimin e mesëm dhe kam hedhur hapat e parë të karrierës sime ushtarake.
Një ndër institucionet më të vjetra dhe më prestigjioze të arsimit ushtarak në Europë është Shkolla Ushtarake “Nunziatella” e Napolit, e cila më 18 nëntor 2026 mbush plot 239 vjet nga themelimi i saj.
E themeluar më 18 nëntor 1787 nga mbreti Ferdinand IV i Burbonëve, me emërtimin Reale Accademia Militare (Akademia Mbretërore Ushtarake), ajo u vendos në kodrën e Pizzofalcone-s, në mjediset e një ish-manastiri të jezuitëve, duke marrë emrin nga kisha pranë saj. Një rol të rëndësishëm në konceptimin dhe organizimin e këtij institucioni luajti oficeri Giuseppe Parisi, i cili kishte studiuar përvojën e institucioneve të arsimit ushtarak në Francë, Gjermani dhe Austri.
Që në fillimet e saj, akademia synonte të përgatiste oficerë me një kulturë të gjerë shkencore, humaniste dhe ushtarake. Filozofia e saj pedagogjike, e sanksionuar në rregulloren e vitit 1798, mbështetej në tri shtylla themelore: “edukimin e trupit, të mendjes dhe të zemrës”.
Në historinë e saj më shumë se dy shekullore, “Nunziatella” përjetoi periudhën napoleoniane, restaurimin e monarkisë së Burbonëve, bashkimin e Italisë, dy luftërat botërore, rënien e monarkisë dhe lindjen e Republikës Italiane.
Pas bashkimit të Italisë, më 6 prill 1862, ajo u riorganizua si institucion i arsimit të mesëm, me mision përgatitjen e kandidatëve për akademitë e larta ushtarake. Reforma arsimore e vitit 1908 hodhi themelet e strukturës së saj të sotme, duke organizuar studimet trevjeçare në dy drejtime kryesore, atë klasik dhe shkencor.
Pavarësisht vështirësive të Luftës së Dytë Botërore, bombardimeve të Napolit dhe transferimit të përkohshëm në Benevento në vitin 1943, shkolla arriti të mbijetonte dhe të rimerrte vendin e saj në sistemin arsimor ushtarak italian. Më 18 nëntor 1953 mori emërtimin e sotëm, ndërsa në vitin 1954 miratoi moton që shpreh më së miri filozofinë e saj:
“Preparo alla vita ed alle armi” – “Përgatitem për jetën dhe për armët”.
Në bankat e këtij institucioni janë formuar breza gjeneralësh, strategësh ushtarakë, politikanësh, diplomatësh, shkencëtarësh dhe drejtuesish të administratës shtetërore. Ndër figurat më të njohura mund të përmendim mbretin Viktor Emanueli III; Enrico Cosenz – shefi i parë i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane; Amedeo di Savoia-Aosta – dukë dhe komandant ushtarak; Arturo Parisi – ish-ministër i Mbrojtjes i Italisë; Rolando Mosca Moschini – ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes; Salvatore Luongo – komandant i përgjithshëm i Karabinierisë Italiane;
Në vitin 1950 u krijua Shoqata Kombëtare e Ish-Nxënësve të Nunziatella-s, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e ekzistencës së shkollës, ruajtjen e traditave dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet brezave. Në vitin 2009 shkolla hapi dyert edhe për vajzat, ndërsa në vitin 2012 Asambleja Parlamentare e Mesdheut e shpalli atë “Trashëgimi historike dhe kulturore të shteteve të Mesdheut”.
Sot, Italia disponon katër shkolla të mesme ushtarake: “Nunziatella” në Napoli dhe “Teulié” në Milano, në varësi të Forcave Tokësore; Shkollën Ushtarake Detare “Francesco Morosini” në Venecia dhe Shkollën Ushtarake të Aviacionit “Giulio Douhet” në Firence.
Në këto institucione pranohen nëpërmjet konkurrimit kombëtar djem dhe vajza të moshës 15–16 vjeç, të cilët, krahas arsimit të përgjithshëm, marrin edukim moral, fizik dhe ushtarak. Pas përfundimit të studimeve, ata kanë mundësi të konkurrojnë për në akademitë ushtarake ose të vazhdojnë studimet në universitetet civile. Vetëm për vitin shkollor 2026–2027, Ministria italiane e Mbrojtjes shpalli 270 vende për pranimin e nxënësve të rinj në këto katër shkolla.
Jetëgjatësia e këtij institucioni dëshmon se shtetet me tradita të konsoliduara ushtarake, pavarësisht ndryshimeve të sistemeve politike, dinë të ruajnë dhe të modernizojnë institucionet e edukimit ushtarak, duke i konsideruar ato pjesë të trashëgimisë kombëtare.
Përvoja italiane përbën një objekt reflektimi edhe për Shqipërinë, veçanërisht për fatin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, e cila për dekada përgatiti breza kuadrosh për Forcat e Armatosura dhe intelektualë për shoqërinë shqiptare.
Si ish-nxënës i kësaj shkolle dhe si oficer karriere, gjykoj se traditat e arsimit ushtarak shqiptar nuk duhej të ishin ndërprerë, por të ruheshin, të reformoheshin dhe të përshtateshin me kërkesat e kohës dhe standardet euroatlantike.
Shkollat ushtarake nuk përgatisin vetëm oficerët e së nesërmes. Ato edukojnë qytetarë me karakter, disiplinë, përgjegjësi dhe ndjenjën e detyrimit ndaj Atdheut.