Ishte 31.01.97, ora 16:05 kur UÇK dhe populli humbën fizikisht kryetrimin, komandantin Zahir Pajaziti me strategun dhe njeriun më të afërt të tij Hakif Zejnullahu dhe syshqiponjën Edmond Hoxha. Në rrugën e tyre për luftën për liri ranë në fushën e nderit për të hyrë në histori si figurat më emblematike të UÇK-së. Sot pas 25 viteve kam të freskët takimin e fundit që kisha me ta. Vitet ikën por kujtimet mbesin fortë të ngulitura në mendjen dhe shpirtin tim. Po pse ende edhe sot rënia e tyre mbeti enigmë sikur shume enigma tjera ndaj patriotëve e luftëtarëve për liri! Pse heshtin institucionet dhe drejtësia për zbardhjen e rënies në pritë të Zahirit, Hakifit e Edmondit. Kush ishte ai person apo ata persona që dhanë informata te UDB? Deri në fillim të dhjetorit 1996 Zahiri me bashkëluftëtarët e vetë ishte bërë tmerri i Serbisë. Ai së bashku me Heroin Ilir Konushevci ishin Alfa & Omega në UÇK. Ishin aksionistët më të përgatitur që kishte UÇK. Ishin strategë të vërtetë të luftës guerile për ta goditur në çdo kohë e çdo rrethanë armikun. Të gjitha vendimet dhe strategjitë e aksioneve i merrnin në rreth të ngushtë për shkak të konspiracionit të thellë. Ishim në numër shumë të vogël si luftëtar të lirisë, karshi armikut i cili bënte represion të vazhdueshëm duke vrarë, plagosur, arrestuar dhe dhunë e terror sistematik e psikologjik ndaj popullit të Kosovës. Serbia kishte angazhuar mbi 45 mijë forca policore e ushtarake në Kosovë. Kishte sjellë inspektorë nga Beogradi për të zbuluar UÇK dhe udhëheqësit kryesor të saj. Nuk ia arritën dot të zbulonin strategjinë dhe aksionet e shumta ndaj inspektorëve e policisë që ndërmerrte UÇK e sidomos aksionet në Prishtinë e Podujevë! Por! Zgjerimi i radhëve dhe kontaktet për të gjetur përkrahje e mbështetje sidomos në logjistikë ishin të domosdoshme. Andaj! Zahiri vendosi të shkonte në Shqipëri për të gjetur mundësi nga veprimtarë por edhe oficerë të ushtrisë shqiptare për të mundësuar futjen e armatimit në Kosovë. Pas shume kontakteve në fund të dhjetorit 1996, Qerim Kelmendi – Dema kishte aranzhuar takimin e parë të Zahirit me njërin nga veprimtarët e LPK në Zvicër, Azem Sylen- Daja, që njëherit ishte i emëruar nga shokët e tij si komandant i ShP te UÇK!? Andaj! Si ishte e mundur të emëroj shtab të ushtrisë dikush e të mos veprojë drejtpërdrejtë në Kosovë. Aje Shtab nuk kishte përzgjedhur e emëruar ushtarët e UÇK, sidomos të Llapit. Sikur që Zahiri me bashkëluftëtar nuk kishte zgjedhur si përfaqësues të shtabit ata qe ishin emëruar nga Zvicra e Gjermania. Këtë më së miri e vërteton kur këta persona lëshojnë komunikatën e ShP të UÇK me rastin e rënies të Zahirit, Hakifit e Edmondit. Ku nuk kanë pasur njohuri se kush ishte dhe roli i Zahirit në luftën për liri. Ne këtë komunikatë thuhet se sot ranë 3 pjesëtarët e parë të UÇK! Ndërsa në anën tjetër Serbia deklaron se sot e vramë kryeterroristin Zahir Pajaziti. Natyrisht se serbët nuk do të deklaroheshin ndryshe…! Në këtë kontekst nuk dua që të them se ata nuk janë kontributdhënës në zhvillimet e kohës por e vërteta është e vërtetë dhe duhet që më në fund të tregohet nga protagonistet e kohës dhe ata luftëtarë te paktë që janë gjallë dhe ishin shumë të afërt, dhe që ishin hija e Zahirit, Ilirit e Hakifit. Kush e përcolli rrugës komandatin për Shqipëri, ku qëndroi dhe takimet e tij atje, jemi ne bashkëluftëtarët e afërt që ishim me ta. Si u nda i zhgënjyer nga takimi me Azem Sylën por edhe zhgënjimet tjera për t’i forcuar radhët e UÇK e sidomos në logjistikë ishin të shumta. Kur dhe pse mori vendim të kthehet para kohës së planifikuar në Kosovë dhe rrugëtimin e tij dhe kush e priti në fshatin Shishman të Gjakovës që ishte baze e UÇK janë bashkëluftëtarët e afërt dhe të besueshmit e komandantit. Si u konsultua dhe dha urdhër për aksionet në Kosovë sa ishte Shqipëri ishte pikërisht Ilir Konushevci dhe bashkëluftëtarët e afërt të tyre. Andaj! E vërteta duhet të paraqitet ashtu si ishte madhështore dhe reale në kohë dhe rrethanat e kohës. Edhe në ditën dhe rrugëtimin e fundit të tyre në luftën për liri ishin pikërisht njerëzit më të afërt të komandantit që u ndanë për herën e fundit në Prishtinë. Kjo do të thotë shumë! Kjo paraqet të vërtetën e kohës. Kjo tregon se të tjerët që flasin e kanë më të ndëgjura apo të trilluara sikur që kanë trilluar për shumë ngjarje të UÇK duke mos qenë fare pjesëmarrës direkt i vendimeve dhe aksioneve të UÇK, sidomos deri më 31.01 97. Lufta për liri ishte obligim dhe e detyruar nga okupimi serb. Andaj! Në përpjekjet e shumë brezave për të kundërshtuar dhe në forma të ndryshme për ta luftuar armikun ishte e arritura me sublime me krijimin e grupeve guerile dhe aksionet profesionale të kryera në terren. Guximi, sakrifica, vendosmëria dhe arti ushtarak e dallonin Zahirin nga ne të tjerët. Sinqeriteti, besnikëria, thjeshtësia e tij e bënte te veçantë dhe madhore në rrugëtimin drejt lirisë. Veprat dhe rrugëtimi i Zahirit me bashkëluftëtarët ishte dhe do të mbetet udhërrëfim i shumë e shumë vajzave e djemve që vazhduan me besnikëri idealin për liri, duke përkujtuar brez pas brezi figurën e Zahirit, Hakifit e Edmondit e shumë e shumë dëshmorëve e heronjve të tjerë. Mbetet në duart e institucioneve të drejtësisë dhe shtetit të Kosovës të zbardhin të vërtetën e rënies në pritë të këtyre udhëheqësve të UÇK, sikur që është obligim moral e kombëtar të thuhet dhe shkruhet e vërteta për historinë.