Poeti i nderuar Zymer Mehani, tashmë emër i njohur në letësinë tonë, para lexuesve kohë më parë na e kishte sjell veprën letrare të radhës me poezi, e kisha rastin dhe kënaqësinë ta lexoj dhe rilexoj disa herë. Ndër motivet më të dashura të poetit Mehani, të përfshira në vëllimin “Pranverojnë lulëkuqet tona” ishin qëndresa dhe atdhedashuria, tipare këto që gjatë rezistencës shumëshekullore e karakterizuan edhe femrën shqiptare, qoftë ajo nënë, bashkëshorte, motër apo bijë. Në këtë vëllim poetik, në çdo varg, strofë dhe poezi gjeta një shpirt të lartë prej krijuesi. Me stilin e tij të veçantë letrar, autori na e hap portën e madhe për t’u futur në botën e poezisë së tij dhe të artit letrar. Pra autori në këto poezi përkushtuese me admirim dhe kujdes i ravijëzon portretet e heroinave të popullit tonë, që luftuan, qëndruan dhe shumë prej tyre ranë me armë në dorë në luftën tonë çlirimtare, të rreshtuara në radhët e UÇK-së, momente këto sa të dhimbshme, po aq edhe krenare. Poeti Mehani me vargjet e tij lexuesit i ofron ngjyrosje emocionale të fjalës dhe të mendimit. Në vëllimin me poezi ’’Pranverojnë lulëkuqet tona’’, lexuesin e rikujton dhe e vetëdijëson se për këtë liri e derdhën gjakun dhe e falën jetën edhe vashat shqiptare, siç janë Ylfete Humolli, Antogona Fazliu, pastaj Ganimete Gjylani, Hyrë Emini…Po edhe nga poezitë e Mehanit mësojmë se për shtet dhe liri bashkë me bashkëshortët e tyre luftuan edhe heroinat, siç ishin Xhevë Lladrovci, dëshmore, që veproi bashkë me dëshmorin Fehmi Lavdovci. Shembull tipik i rezistencës dhe i atdhedashurisë është edhe luftëtarja e orëve të para për liri, zonja Sanije Rexha, që veproi dhe luftoi bashkë me bashkëshortin e saj, Abedin Rexha. Përmes vargut poeti ynë i ka ndriçuar, edhe këto figura madhore të kombit i ka ngritur në piedestalin e nderit kombëtar, e pra edhe në letërsi, kemi nevojë për ushqimn shpirtëror që i duhet njeriut. Një shëmbëlltyrë me përmasa imagjinare e krijuese të poezisë së vërtetë kushtuar heroinave tona, të cilat me gjakun e tyre dhe me vetëdije të plotë e ngritën lart moralin e kombit nëpër shekuj… Pra edhe heroinat e kombit tonë me gjakun e tyre ngritën themelet e përbashkëta të lirisë dhe të shtetit, krahas burrave të kombit. Vargjet në këtë vepër, janë kuptimplota. Ato i shquan mendimi, i lirë ritmi dhe rima, elemente, që ua shtojnë vlerën artistike. Në këtë rastë poeti bëhet kërkues të lexuesit, sepse gjërat i sheh me syrin e humanistit e të atdhetarit e ushqim shpirtëror për shpirtin e lexuesit. Prandaj duke iu referuar librit, poezive e përkushtimeve, aty gjeta përplot ide të përparuara kombëtare. Prandaj unë personalisht, por edhe lexuesit, do t’i jemi mirënjohës, autorit Mehani… Fare për fund. Ju lumtë pena, mik, shok, vëlla, bashkëpunëtor i një ideali të lartë për liri dhe drejtësi njerëzore!