15.5 C
Tiranë
E martë, 15 Prill 2025

Shkruar nga:Rrahim SADIKU:

Një punim i Rrahim Sadikut kushtuar librit tim poetik “Balada nga Kosova”. Faleminderit, Rrahim, për këtë lexim letrar!
=====
BALADA TË QËNDRESËS E SHPRESËS DHE VAZHDIMËSISË
Prend Buzhala “Balada nga Kosova”, poezi, Rozafa, Prishtinë, 2021
Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.
Balada të reja në tokën e vjetër, sa vetë jeta e vdekja. të përjetësuara në botën që lindi e mori në vete njeriun e këtij trualli, përmes tmerreve e vuajtjeve, duke i krijuar shumë rrallë kushte për vdekje normale. Njohje me njerëz të nisur udhëtimit drejt përjetësisë, përmes përballjeve mijëvjeçare me të ligën e me padrejtësitë, me robërinë e me shkatërrimin dhe me vendosmërinë për të mos u dorëzuar. Ideal që ka vazhduar dhembshëm edhe në ditët tona.
Ndjejmë peshën e dhembjeve, të kënduara nga poeti Prend Buzhala dhe sikur bëjmë edhe ne betejat tona, duke luftuar me armën e pashkatërrueshme, me armën që asnjëherë nuk dorëzohet, sepse është e pavdekshme dhe e pacenueshme, me armën e shkrimit, e cila është:Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti
“E vetmja armë që nuk i dorëzohet askujt,
nuk ka as ku të dorëzohet e as kujt t’i dorëzohet”
Bashkëjetojmë ndjenjës së thellë e tragjikës së pandalshme me balada Kosove, me balada plot dhembje, me dhembje që ngulfasin të gjallët e tejkalojnë kohën, atë kohë që kthehet e rikthehet me legjendën e udhëtimit të të gjallit me të vdekurin. Ecim me dhembjen e nënës, dhembjes më të thellë për humbjen e të birit; të asaj nëne të bërë thellësisht vuajtje, me besim se pasvdekja ia ka dërguar të mirin e zemrës në parajsë. Atë të mirin që nuk iu frikësua jetës edhe në rrugët e rrezikshme, sepse “në rrugë qarkullojnë edhe të dashuruarit”. Prandaj ajo “besonte se ishte gjallë. Kot i thanë se ka vdekur.”
Baladave të zymta shpesh dalim në dritë, dritë shprese e qëndrese, në atë dritë “tek i ndriçon hapësirat e padallueshme” e mbetet “dritë që kosovon”, duke parë rrafshin me “katunde të zbrazura”, duke krijuar të vërtetën e vet. Por kjo ndritje venitet me kohë, sepse ndodhin tragjeditë e kërkimi sikur nis e zhbëhet, duke mos i besuar “të vërtetës së armikut” e madje asnjë të vërtete, sepse e kupton që nuk munden lehtë shekujt e pësimeve dhe mosbesimit në drejtësinë njerëzore. Nuk kemi si e besojmë thirrjen për paqe, derisa shohim nëna me fëmijë të masakruar në krah, duke i bartur nëpër male, derisa ngado hasim në varre-shtëpi.
Megjithatë, Kosova ishte dhe mbeti vend vrasjesh gjenocidiale, masakrimesh, torturash, ndjekjesh. Ndodh kjo edhe pse “Kosova asnjë shteg askujt nuk ia ka zanë.” Lutjet për të janë shumë njerëzore, të ndjera shumë thellë, edhe pse “ende vetëm ankth e trishtim po më çon”, besimit për “me fitue mbi trishtimin e ligësinë.”
Baladat e Prendit kanë në vete lutjet më njerëzore për shpëtimin e të pafajshmëve, po nuk largohen dot nga varret e shqiptarëve të pafajshëm, të shpërndarë anembanë botës, vetëm pse deshën lirinë e tyre, në tokën e tyre. Prandaj këto balada na lidhin eadhe me ringjalljen, me “Të ringjallurit ilirik, arbënor, ashtëror” dhe kjo “na bën hije ne të gjallëve.”
E të gjallët nuk lirohen dot nga pasha e kujtimeve dhe nga shtytja për të kënduar dhembjen, mallin e qëndresën dhe vazhdojnë ecjes për të mundur vërragët e kohës, të shndërruar në legjendë të murimit, në pamje “urash pa lumë” dhe takimeve me aq të nevojshmin ngushëllim, sepse shpesh më të dashurit tanë janë “na ikin pa lamtumirë.” Luhet kështu ajo drama e përjetshme e shpirtit, e shkruar kujtimeve për humbjet shkretëtirave të panjohura, qyteteve që nuk ua dimë as emrin, ndarjeve nga grigja së cilës i përket. Dhe nxjerr kokë gjithnjë e gjithnjë balada e qëndresës:
“Zërat përreth u nemitën,
por Fjala e Poetit mbushi botën me këngë
mori zërin e vet midis pikave të gjakut
i dha jetë mushkërisë së plagosur të Atdheut
ajëri frymëzënë zuri të merrte frymë”
dhe vazhdon me metaforën e mundjes së të keqes: “Nga ditëlindja në ditëlindje/ për ta krijuar të bukurën/ në jetë e në poezi”
Vazhdojmë baladave të mundjes me vdekjen, të fëmijërive të vrara, të dashurive të humbura, të shpresave të bjerra. të lotëve që rrjedhin edhe pa dashje, “mbasi tash nuk po mund të këndoj.” E si të këndohet, e si të durohet dhembja, kur “pleqtë e tij kishin rënë te Pragu i Shtëpisë”, kur edhe “shtëpia po digjej”, ndoshta duke “shndërruar vdekjen në ringjallje, besimit e shpresës se nga e gjithë kjo “të bëhem luftëtar i dritës.”
Prendi ka prekur thellë një temë të përjetshme dhe shumë të pranishme në popullin tonë, atë të nënës përballë fëmijëve të saj të vrarë e të masakruar. Janë nëna më shumë se të prekura, më shumë se të vuajtura, madje edhe më shumë se të vdekura për së gjalli, derisa i luten Zotit “na dërgo te fëmijët tanë, në një tjetër mbretëri.” Dhe takohemi mandej me mbretërinë e varrit, ku dëshmorët e Atdheut thonë “Jam ndër të gjallët e përjetshëm”, ku nënat ngushëllohen duke parë varrin e fëmijëve të tyre të vrarë nga gjakatarët si për lojë. Takohemi me ato nëna që në moshë të re janë të thinjura dhe që thinjat e vuajtjes nuk i ngjyrosin. Kurse baladat e dëshmorëve, të shndërruara në rrëfim të sotëm, na dalin shumë prekëse, sepse më to shohim zhgënjimin, zbehjen e besimit në liri dhe bjerrjen e shpresave, sepse del “rrëfim i shenjtë që të merr gjithçka në jetë.” Por, dorëzimi e pranimi i së keqes nuk arrihet, pasi “Jam kthyer pas gjithë kryqëzimeve./ Si Luftëtar i dritës/ Fitimtar drite i dashurisë.”
Në tokën e baladave të përjetshme autori frymëzohet edhe nga baladimi i zhgënjimit. Ai zhgënjehet nga fati i të burgosurit politik, që ka humbur rininë e të ardhmen në burgjet e armikut dhe nuk përfillet nga askush e bërtet: “Falemndetit, Republika ime,/ që më ndderon/ me 75 euro pension.” Zhgënjimi vazhdon në Ditën e të Zhdukurëve, kur ata që humbën më të dashurit nuk gjejnë prehje askund, në vendin që po braktiset nga banorët dhe që “shkuan në dhomat e tyre/ fshehtas të qanin”, duke pyetur veten: “Athua kah po shpërndahet në copa/ shpirti i Kosovës?”
Poeti vërshohet nga baladat. Jetëvdekjet e vdekjejetët përballen në frymëzimin e tij, në dhembjen e tij dhe në mundimet e tij. Atë e mundojnë heshtjet, për të cilat duhet të flitet, e tundon harrimi e atyre që duhet të kujtohen; e pagosin shtëpitë e zbrazëta e bukuritë e rrejshme, ndjen dhembje e tronditje me nënën që mbanë në duar eshtrat e birit e bijës të vrarë, të gjetur pas njëzet vitesh.
Prendi është plot dhembje e frumëzime baladash, duke qarë për humbjet e rreziqet në liri, për bjerrjen e heshtur të indit kombëtar, për ikjen nga historia e vazhdimësia e rrugës së të parëve, për tragjeditë e shpeshta e të mëdha që po përjellin kombin tonë; për vdekje e kohëve të fundit nga pandemia, duke kujtuar humbjet shqiptare në Sanxhakun e Nishit…
Shikuar nga këto që thamë e edhe nga shumë të pathëna për librin “Balada nga Kosova” të Prend Buzhalës, mund të përfundojmë se përballemi me një libër që thellon e ngre lart krijimin shqip, që madhëron poetikën shqiptare dhe që lidh e ndërlidh traditën e krjimit e vargnimit shqip me modernen.
Komogllavë, 9 shkurt 2022
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.