“”””””””””””””””””””””
TË KAM KËRKUAR
U ktheva gjithë dëshpërim
me shpirtin ndryrë vrer,
loti mbuloi dritën në sy
nga malli i zjarrtë m’u shter.
Të kam kërkuar pa pushim
nëpër krojet e tua,
po s’është miku yt këtu
m’u përgjigjën krojet mua.
S’është miku yt këtu
më tha i blerti monopat,
nuk është mikja m’u përgjigj
dëbora përmbi shpat.
Të huaj zërash në atë çast
i dëgjoja nga larg gjer këtu,
ma mekën frymën mua
eh, nuk është ai këtu.
O, sa kujtime pa pushim
më shkojnë nëpër mend,
përse, o mik, s’të gjeta ty
prapë në vendin tënd?
Shpresa Gashi Zurnacı
“””””””””””””””””””””””””
DUA UJË TË SHATËRVANIT
Një gotë ujë tek pi këtu larg
Dhe pak shafran malli
Eh ç’ujë kemi atje në Shatërvan
Kur rrëshqet freskia ballit
S’më bën as uji që e pi
Bashkë me këtë të djegshmin mall
Dua atje në Shatërvan të dal e të rri
Me ujin e tij ta freskoj këtë të djegshmin ballë
Shpresa Gashi Zurnaci