Në këtë fundshtator, kur vjeshta lehtas ndjehet, Zaim Elezi vjen me ekspozitën “Nana”. Janë ditë të bukura me diell që të grishin t’u gëzohesh…, janë, po ashtu, ditë me ankth, trishtim, ditë ku jeta më tepër se kurdo është e kërcënuar…
E, pikërisht, në këtë kohë, Zaimi vjen me “Nana” jetëdhënësen, hyjnoren, dashurinë e pacak. Në ato salla, ku janë ekspozuar 24 piktura dhe një skulpturë, të punuara prej rreth 40 vitesh nga biri, ndjehesh si në një oaz të magjishëm, plot ngrohtësi, ndjehesh përsëri fëmijë nën ato vështrime që të ndjekin nga çdo skaj i ekspozitës, ndjen atë lidhje jetësore plot dritë.

Nana nuk ka pozuar, “nuk ka pasur kohë”. Kësaj gruaje me paraqitje të fuqishme fizike, me një vështrim të guximshëm, vetmohues i duhet të mbajë familjen, shtëpinë. I biri diç bënte me bojra e penel kur ajo punonte, bisedonte a pinte një kafe, kur binte në mendime, thurte diçka apo shihte muzgun që binte përtej dritares.

Zaimi është fatlum! Ka fiksuar Nanën qysh prej dyzet vjetësh në pikturat e tij. Si një fill drite e ka ndjekur në çdo çast, në përditshmërinë e saj, me dashurinë e birit. Lehtas, me rrjedhën e kohës, me dhimbje i ka shtuar rrudhat, thinjat…
Ekspresiviteti i syve, fytyrës dhe duarve të bëjnë të qëndrosh gjatë para pikturës. Ngërthehen njëherësh shumë mendime në atë vështrim, në ato duar. Krahas asaj ashpërsie që i ka imponuar jeta, si një rrëke e fshehur mes gjelbërimit, gazmon ai shpirt i butë, plot dritë. E, Zaimi, përkulet para perëndeshës së tij, e rrethon me brerore drite, ashtu si Van Gogh tek “Farëhedhësi”.

I duket se nuk i mjafton peneli, bojrat, mjetet shprehëse të pikturës, ndaj realizon përsosmërisht dhe një skulpturë. E, për më tepër, ka dhe të tjera piktura të Nanës, që nuk i ka paraqitur në ekspozitë…
Faleminderit Zaim Elezi për kënaqësinë që na dhe me këtë ekspozitë!
Suksese!