Dr :Nikolle Loka 
Arsimi në Mirditë filloi të riorganizohej menjëherë pas çlirimit të krahinës. Pas krijimit të organeve të pushtetit të ri, një nga çështjet e para që u mor në shqyrtim ishte arsimi dhe masat për hapjen e shkollave të reja. Kjo del qartë nga relacioni që Këshilli Nacionalçlirimtar i Nënprefekturës së Mirditës kishte dërguar në Prefekturën e Shkodrës:
“Ju njoftojmë se Këshilli Nacionalçlirimtar i Nënprefekturës së Mirditës, në mbledhjen e parë arsimore, datë 13 dhjetor 1944, duke parë se arsimi në Mirditë ndodhet në gjendje të mjerueshme, vendosi hapjen e 47 kurseve për luftimin e analfabetizmit, ku japin mësim 50 mësues provizorë, filloristë dhe semimaturantë…”
Këto kurse nisën rregullisht më 1 shkurt 1945.
Hapja e shkollave kushtëzohej nga niveli arsimor i mësuesit. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin shkollor 1945-1946 në Mirditë funksiononin vetëm katër shkolla të njohura zyrtarisht:
Shpali, me mësues Ndrecë Ndue Gjoka dhe Prengë Ndue Prenga,
Fani, me mësues Bibë Preng Marku,
Rrësheni, me mësues Preng Filopati,
Bozhiqi – Selitë me mësues Mark Legisi.
Këta mësues kishin përgatitje arsimore të mjaftueshme për të dhënë mësim. Ndrecë Ndue Gjoka kishte mbaruar Shkollën Normale në Elbasan dhe kishte gjashtë vite përvojë pune. Prengë Ndue Prenga kishte përfunduar gjithashtu Shkollën Normale dhe punoi si mësues në Shpal nga 19 shkurt deri më 14 prill 1945, kur u emërua sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës, me përvojë pesëvjeçare si mësues. Mark Legjisi kishte mbaruar tre klasë gjimnazi dhe kishte 18 vjet përvojë pune në arsim. Prengë Filopati kishte arsim fillor dhe njëzet vite përvojë.
Në një shkresë të datës 7 qershor 1945, Seksioni i Arsimit i Prefekturës Shkodër konfirmonte se në Mirditë ishin hapur vetëm këto katër shkolla.
Ministria e Arsimit kishte dhënë udhëzime që shkollat të ngriheshin vetëm aty ku kishte mësues të përgatitur dhe ambiente të përshtatshme, të cilat mungonin në Mirditë. Kjo bëri që procesi i masivizimit të shkollimit të ecte më ngadalë në krahasim me rrethet fqinje, ku rezultatet ishin më të dukshme.
Fillimisht, veprimtaria mësimore në Mirditë u nda në dy kategori: shkollat zyrtare, të njohura nga autoritetet dhe kurse, që ndonëse ndiqnin programin shkollor dhe frekuentoheshin nga fëmijët e moshës shkollore, nuk njiheshin ligjërisht si shkolla.
Në krahasim, në prefekturën e Shkodrës, nënprefekturat e tjera kishin këtë situatë: Lezha kishte 11 shkolla dhe 13 mësues të përgatitur, Puka dhe Dukagjini nga 5 shkolla me nga 6 mësues, ndërsa Mirdita kishte vetëm 4 shkolla dhe 4 mësues me arsim përkatës.
Edhe pas çlirimit, Kisha luajti një rol modest në arsim, sidomos duke ofruar ambiente për zhvillimin e mësimit. Në disa fshatra, për mungesë lokalesh, mësimi zhvillohej në mjediset e kishave. Në Malaj, shkolla u hap menjëherë pas çlirimit në një dhomë të qelës së kishës, me mbështetjen e priftit Dom Mati Fishta. Në Katundin e Vjetër, shkolla filloi në mars 1946 në një dhomë pranë kishës, ku mësonin fëmijët e Katundit të Vjetër (Kryezez) dhe të fshatit Bulgër. Në Domgjon, në vitin 1961, u hap klasa e pestë në një dhomë të qelës, e cila kishte gjithashtu një dyqan dhe një bibliotekë të pasur që shërbente për lexim.
Përpjekjet për zyrtarizimin e kurseve
Në një shkresë të Seksionit të Arsimit të Nënprefekturës së Mirditës me datë 30 prill 1945, drejtuar Seksionit të Arsimit të Qarkut Shkodër, Përgjegjësi I Seksionit Ndrecë Ndue Gjoka shkruante:
“Kurset për luftimin e analfabetizmit në rajonin e Mirditës janë 46, por shkolla definitive janë vetëm gjashtë: Kryezi, Përlat, Arrëz, Red, Prosek dhe Fanë. Për këto kemi caktuar si mësues provizorë personat: Pal Gjoka (7 klasë gjimnaz), Pal Nikoll Preni (5 klasë Normale), Dod Doçi (semimaturë Normale), Preng Gega (6 klasë fillore me përvojë), Pjetër Gjin Frroku (semimaturë Normale) dhe Kolë Picaku (semimaturë).”
Ndrecë Ndue Gjoka, me mbështetjen e drejtuesve të tjerë në rreth, kishte hapur, krahas shkollave edhe kurse, po me programet shkollore, të cilat, ndonëse nuk plotësoheshin të gjitha kriteret ligjore, ndiqnin programin shkollor t arsimit fillor. Zyrtarizimi i këtyre shkollave kërkonte kohë dhe këmbëngulje.
Më 17 maj 1945, Ndrec Ndue Gjoka u argumenton drejtuesve të Seksionit të Arsimit në Prefekturën e Shkodrës se “nuk ka dallim real midis kurseve dhe shkollave dhe se mungesa e teksteve mësimore po dëmtonte përparimin në mësim”. Në një tjetër shkresë të 23 qershorit 1945, ai kërkonte që mësuesit e kurseve të paguheshin. Në përpjekjen e tretë, kërkonte që këta mësues të njiheshin si “mësues filloristë të rinj”, me pagesë të barabartë me ta.
Në një informacion të datës 9 korrik 1945, theksohej se: “Kurset kanë filluar më 1 mars 1945. Shumica janë kompletuar me banka dhe dërrasa të zeza, falë ndihmës së popullit të varfër të Mirditës. Përparimi i nxënësve është i mirë. Mësuesit janë në kushte të vështira ekonomike dhe nuk kanë marrë ende asnjë shpërblim.”
Më 7 korrik 1945, Ndrecë Gjoka informon se: “Kemi ngritur 44 kurse, ku japin mësim 47 kursistë. Mungesa më e madhe janë librat. Me dërrasën e zezë janë zhvilluar germat. Presim udhëzime për lëshimin e dëftesave shkollore.” Më 11 korrik 1945, Seksioni i Arsimit i Prefekturës së Shkodrës vendosi që të gjithë mësuesit provizorë të paguheshin me 550 franga shqiptare në muaj për katër muajt e parë të vitit 1945. Vendimi u shoqërua me konstatimin:“Është e vërtetë që në këto shkolla ka të meta, por dera e shkollës është hapur në shumicën e fshatrave dhe një mësues është dërguar.”
Më 13 korrik 1945, Prefektura e Shkodrës i dërgoi Ministrisë së Arsimit pasqyrën e 47 kurseve, duke theksuar se ato frekuentoheshin nga fëmijë që i përfshinte detyrimi shkollor. Megjithëse emri “kurse” u ruajt, këto u trajtuan si shkolla të zakonshme.
Më 16 gusht 1945, Ndrecë Ndue Gjoka dërgon listën e shkollave definitive dhe të kurseve me potencial për t’u kthyer në të tilla. Ai kërkon dërgimin e mësuesve të rinj nga rrethet e tjera, që mund të mbulonin nga dy shkolla të afërta. Njëkohësisht, ai propozoi dërgimin e mësueseve femra, për të nxitur pjesëmarrjen e vajzave në shkollë.
Lëvizja për masivizimin e arsimit në Mirditë pasqyrohet edhe në shtypin e kohës. Gazeta Jehona e Shkodrës shkruante: “Me çlirimin e Mirditës, çka ka çuditur gjithkënd, në atë krahinë funksionojnë jo më pak se 51 shkolla fillore. Të gjitha katundet dhe malësitë e Shkodrës nuk kanë pasur më parë kaq shkolla… Për katër-pesë muaj është punuar pa pagesë… Më shumë se një mijë fëmijë në Mirditë kanë filluar të shkruajnë e të lexojnë. Kjo është një nga fitoret më të mëdha të procesit tonë të rindërtimit.”
Bilanci arsimor për vitin 1945 ishte domethënës:
Klasa e parë: 1.325 nxënës; klasa e dytë: 683 nxënës; klasa e tretë: 66 nxënës; klasa e katërt: 36 nxënës.
Më 16 gusht 1945, Ndrecë Ndue Gjoka i dërgoi Seksionit të Arsimit të Prefekturës Shkodër një listë me shkollat definitive dhe kurset që kishin mundësi të zyrtarizoheshin si të tilla. Në këtë dokument, ai kërkonte dërgimin e një numri të caktuar mësuesish, ku secili prej tyre do të mbulonte dy shkolla të afërta. Ai theksonte gjithashtu rëndësinë e dërgimit të mësueseve femra, të cilat do të ndikonin në përfshirjen e vajzave në arsim, çka ishte një sfidë e veçantë për zonën.
Lista e shkollave dhe mësuesve të planifikuar më 13 mars 1945:
- Prosek – Pjetër Toma
- Përlat – Kolë Picaku
- Në Ujë – Gjon Gjeta
- Bishkash – Preng Gjergji
- Lufaj – Baftjar Merra
- Gjoçaj – Rexhep Destani
- Mashtërkorë – Preng Nikoll Gjoka
- Bulshar – Pal Gjoka
- Grykë Orosh – Pashk Llusku
- Simon – Preng Marka Preçi
- Gjegjan – Ndue Përbiba
- Domgjon – Ndue Prendi
- Srriqe – Ndrec Marku
- Konaj – Frrok Margjoni
- Bizhëz – Ndrec Prenga
- Shëngjin – Dodë Prendi
- Sang-Xhuxhë – Llesh Doda
- Qafë-Mali – Ndue Zefi
- Arrëz – Bibë Preng Marku dhe Qazim Bajra
- Redi – Pal Nikolli
- Kodër Spaç – Fran Zefi
- Gurth – Zef Margjeta
- Gojan – Pjetër Marku dhe Zef Kolë Marka Kola
- Kryezi – Ndue Prend Nikolli
- Mesul – Frrok Nikoll Jaku
- Kalivaç – (pa mësues)
- Ungrej – Zef Kolushi
- Kashnjet – Prend Ndue Deda
- Gomsiqe – Çup Ndoci
- Kaçinar – Preng Ndue Nikolli
- Mnelë – Nikoll Suli
- Bargjanë – Preng Ndreca
Në total ishin planifikuar 31 shkolla, ndërsa Grykë Oroshi, Arrëzi dhe Gojani kishin secila nga dy mësues, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mësuesve në 34. Burimi: Arkivi Shtetëror Vendor, Shkodër, Dosja 366, viti 1945, f.25