14.5 C
Tiranë
E enjte, 6 Shkurt 2025

Sinan Kërpaçi

DIKUR PALASA IME

Tek e Bukura e Dheut
kafen e pija 500 lekë,
sot e piva 2000,
ujin “Lajthiza”: 500 lekë,
sot e piva 2000,
një çadër dhe dy shezlongë
i bleja 5000,
sot: 20.000 –
aritmetikë me herës në mes.
Ku kthen rruga punohet shumë
për të ngritur madhështor një tra
me mbishkrimin “Ndal!”.
Dikur atje poshtë
të Bukurën e Dheut
e quaja Palasë
dhe s’e shikoja nga larg.

Gusht 2021

“””””””””””””””””””

TË NDJEHEM EMËR
Deti në Jug
më vjen te veshi,
ma këndon këngën
mu në bregun e tij
dhe mu në bregun e fjalës.
Shkrihen të dy brigjet
në një jonian,
më bëhen emër sot.
Nga 1 gusht e për dhjetë ditë
më thërrisni Jon
sa t’i jetoj këto pushime
që i prita një vit.
Se përsëri nesër “vdes”
i komanduar te burgu më i ri
si gur shahu
deri në vitin tjetër.
Sa të shkojë dhjetë
më thërrisni Jon
të ndjehem emër.

1. 8. 2021

“””””””””””””

REND DYSHIMI
Mot më mirë a mot më keq?!
Pyesim dhe mbetemi me shpresë
mu këtu në Shqipëri.
Ndahemi nga një takim
anë një dallge që nis deti,
pranë një flladi që nis mali,
me një përshëndetje malli:
ja kështu e jo më mirë!!
Sa shikojmë që shpresa lind
rend dyshimi që na ndjek:

mot më mirë a mot më keq?!

“””””””””””””””””

ME VËSHTRIM NGA LIRIA
Me besimin e tij në aritmetikën time
i bëra llogari ditët e burgut
mbi fletët e zhubrosura të shënimeve
që m’i zgjati me ndrojtje ai vetë
nga i heshturi në blind,
i ftohti sportel nga merr edhe bukën.
Në të majtë shënova burgun e kryer
me vite,
në të djathtë, – burgun e mbetur
me ditë,
dhe në mes
lashë një hapësirë të ngushtë
si korridori i gjatë që lidh qelitë.
Kur doli në ajrim i tregova skicën,
aritmetikën time të gishtave,
aritmetikën
dhe një shigjetë në lëvizje
nëpër korridorin e gjatë
me drejtim për nga liria jashtë.
I qe bërë në ëndërr sikur po mblidhte
plaçkat e burgut, – të mëkatit
në një qese të shqyer plastmas.

Maj 2021

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.