– Tashmë libri do të dalë…
– Besoj se nuk do duhen edhe aq shumë ditë.
– Pritej, mbasi je shprehur kohë më parë.
– Po, vërtet, ndonëse ky që po botohet është diҫka tjetër, gjithnjë duke qenë edhe ai.
– Atë desha të thosha, pra është diҫka më shumë. Si e sheh këtë botim?
– Është përmbledhje, vepra e plotë poetike, është quajtur, pra libri i të gjithë librave të mi poetikë – gjashtëmbëdhjetë si numër-. Kam punuar gjatë gjithë verës dhe gjithë vjeshtës për me e përgatitë, ndërsa shkruaja herë-herë edhe poezi të reja.
– Pra, edhe poezitë e reja po botohen…
– Po, në përmbledhjen prej më shumë se 800 faqesh, poezitë e tre viteve të fundit, që po botohen këtu për herë të parë, zënë mbi 150 faqe, të bashkuara në një libër.
– Ndoshta më shumë se ҫdo libër yti më vete…
– Po, padyshim.
– Dhe, do jetë një botim voluminoz…
– Voluminoz, por nuk do t’jetë një botim kabah, për me thanë se ky është një libër i madh; do të jetë, besoj, një libër që mbahet në duar me andje.
– Vepra i përket një kohe të gjatë krijuese…
– Është një kohë e gjatë, por ti e di që veprimtaria ime e vërtetë letrare fillon pas ’90-tës. Për këtë arsye përmbledhja hapet me librin e dytë, “E pamundura”, botuar më 1993.
– A ke ndonjë merak, a të ka mbetur peng ndonjë gjë, tani kur asgjë nuk mund të ndreqet.
– Jo, nuk ndiej se kam ndonjë peng. Ҫdo gjë e duhur është bërë, dhe ҫdo gjë është vënë në vendin e duhur. Një gjë, për mua, e plotësuar, dhe e plotë.
– Atëherë, po presim botimin. Të uroj sukses!
– Falemnderit! Shpresoj të jetë një kënaqësi edhe për ty.