Dua të ndajë me ju një ditë të gëzuar për mua dhe familjen time, përvjetorin e 67 të lindjes sime. Ndihem i lumtur që jam në këmbë, që eci, punoj, krijoj, ëndërroj, që kam miq e shokë të mirë, mike të mira, që kanë qenë me mua në çdo çast të jetës sime, kanë qenë miqësi e hapur, e çiltër dhe bekim për mua.

Dorën tuaj të ngrohtë dhe inkuruajuese e kam ndier gjithmonë, por veçanërisht para disa muajve kur u përballa me armikun tinëzar që tash një vit përgjon jetën tonë, familjet tona, shëndetin dhe mirëqenien tonë. Fjalët tuaja, mbështetja juaj, inkurajimi që më vinte prej jush ishte dhe mbetet një aureolë e ndritshme në jetën time, një arkiv që do të gjallojë gjithmonë në kujtesën time si përvojë mirëdashje, si mirënjohje për ju të gjithë, miq e mikesha të mia.

Jeta është e mbushur me sprova, herë herë dhe shumë të vështira, që arrijnë gjer në kufijtë e ekzistencës, siç më ndodhi mua që u përballa me vdekjen dhe falë Zotit ia dola, sot jam shëndoshë e mirë dhe mirënjohja ime, pas Zotit dhe familjes sime, iu drejtohet juve, miq e mikesha të mia, që keni qenë me mua edhe në ato orë e ditë të rënda, kur ndihesha seriozisht i kërcënuar nga kjo flamë që na vërtitet nëpër këmbë, e egër dhe kryeneçe.
Bekim e lumturim të keni në jetë, në familjet dhe farefisin tuaj, gjithçka e mirë që ka falur Zoti në këtë Botë, le të jenë bashkëudhëtarë me Ju!
Në jetë kam zgjedhur të jem me miq e shokë, me njerëz që i dua dhe më duan, pasi një jetë në vetmi, e izoluar dhe egoiste është krejt e mangut, edhe nëse do të jetosh me shekuj e jo me vite e dekada, përsëri do të ndihesh sikur nuk ke jetuar asnjë ditë.
Ju mbeteni kurora e vyer e miqësisë së sinqertë, drejt jush udhëtoj gjithmonë, edhe kur nuk mundem fizikisht, të paktën me mendje, me shpirt, me rrugët e komunkimit virtual, jam mes jush, pjesë e juaja, dashuri e ngrohtë dhe e sinqertë, që nuk mund ta zhbëjë asnjë lloj furtune e cunami.
Miq dhe mikesha të mia!
Edhe gjatë këtij viti, ndonëse një vit i vështirë, unë kam ndarë me ju kohën dhe ëndrrat e mia, krijimtarinë time, poezitë, tregimet, shkrimet kritike, qëndrimet dhe opinionet e ndryshme rreth të ndodhurave në realitetin tonë, ku unë jam përfshirë në sferën e shkrimtarisë me statuse të veçanta në fb, të cilat i kam ndarë me ju dhe për këtë ndihem jo vetëm krenarë dhe i plotësuar, por dhe borxhli ndaj jush, për vlerësimin, mbështetjen dhe inkurajimin tuaj.

Në këtë vit të vështirë, botova një libër të ri me tregime, kam bërë gati një tjetër për botim, një përmbledhje poetike dhe shumë projekte të tjera krijuese presin në radhë, gati për t’u bërë realitet. E çfarë do të bëja pa Ju? Pa komentet tuaja, pa mbështetjen tuaj, pa mirësinë dhe fisnikërinë tuaj, që kanë qenë pjesë e udhëtimit tim jetsësor dhe letrar, do të ndihesha i mangut dhe i paploëtsuar dhe këtë ua them me zemër në dorë, miq e mikesha të mia!
Jam fatlum që duke iu përcjellë sot këtë status falenderimi e dashurie në përvjetorin e ditëlindjes sime, po ndaj me ju plot gëzim e dashuri, plot fisnikëri e shpirtdëlirësi, soleminitetin e kësaj dite, e cila pa urimet tuaja të ngrohta, do të ishte një ditë krejt e zakonshme për mua.

Nëse marr laps e letër në dorë dhe shkruaj, këtë ua dedikoj ju, sepse ju më ndiqni në çdo hap, më mbështetsni e inkurajoni, ma keni dhënë zemrën tuaj mirëdashëse në dorë dhe unë nuk gjej fjalët e duhur për të ju falenderuar dhe shprehur mirënjohjen time të thellë.
Ju uroj jetë të gjatë e të lumtur, shëndet e mbarësi në çdo hap dhe aspekt të jetës, të vazhdoni të jeni modele të niqësisë e shoqërisë, siç keni qenë deri tani, për të mësuar brezat më të rinj që të ecin në gjurmët tuaja të bukura. Unë vetë mësoj shumë nga ju, do të isha i lumtur sikur sado pak të mësoni ju prej meje…
Ju përqafoj nga larg me mall e dashuri të parrëfyer.
Me zemër gjithmonë në dorë për Ju
I Juaj
Hyqmet HASKO