Nga Marsida Simo (Sociologe)
“Nëse nuk do kishte ndryshim, nuk do shihnim dot flutura, por vetëm krimba”
Sa e sa herë ankohemi dhe përflasim jetën tonë jo komode dhe fatin jo lehtësues. Se ajo që jemi sot dhe çdo gjë që nuk kemi është për shkak të rrethanave, të tjerëve dhe pamundësive të herë pas hershme. Na ndodh të ligështohemi dhe të qendrojmë nën këtë hije duke i shtuar vetes vuajtje të tjera e duke i numëruar këto probleme aq sa dorëzohemi duke ngritur supet.
Ndoshta të rinjtë mendojnë se janë në fillim të jetës dhe kanë mjaftueshëm kohë të bëjnë gjëra të mira dhe të ndryshojnë. Të tjerët janë duke u marrë me rutinën e jetës për pak me tepër para, për të larë kredinë, për të blerë një makinë dhe ndryshimin e shohin më shumë si problem sesa si zgjidhje.
Ka dhe nga ata që ndryshimin e shohin të frikshëm sidomos me fazat e jetës. Shprehen se nuk janë ende gati të nisin një punë sipas profesionit, apo nuk ndihen të sigurt nëse duan të martohen, apo të bëjnë një fëmijë e me rradhë.
Madje edhe ata persona të cilët kanë kaluar një moshë të caktuar, priren të dorëzohen më lehtë duke fajësuar sistemin, kohën, shoqërinë e ngurtë. Ata nuk priren të ndryshojnë me idenë se jeta e tyre është drejt fundit.
Po çfarë është në të vërtetë ndryshimi dhe përse nevojitet?
Ndryshimi vjen në një larmi situatash, stade jete, formash dhe kërkesash. Shumica e njerëzve mendojnë se ndryshimi do të ketë një ndikim të menjëhershëm negativ në jetën ose karrierën e tyre. Kjo sepse ndryshimi është i panjohur, kërkon të riskosh dhe nuk e di përfundimin.
Së pari duhet theksuar që ndryshimi është i pashmangshëm në jetën e secilit prej nesh. Sado ta shtyjmë kohën, ngjarjen, ndryshimi do të vijë pavarësisht jo në formën apo dëshirën e pritshme. Ndaj është më e mirë përgatitja për ndryshim sesa refuzimi dhe rezistenca. Ka edhe ndryshime të vogla dhe konstante të cilat nuk i kuptojmë apo i marrim të mirëqena. Përgjithsisht ndryshimet fizike i marrim të mirëqena dhe me pak probleme nëse kemi informacion dhe njohuri. Përgjegjësitë janë ato që mund të na trëmbin më shumë dhe i friksohemi apo që i shtyjmë për më vonë.
Ndryshimi për zhvillim
Ky ndryshim ndodh kur dikush ka nevojë për të bërë përmirësime në jetën e tij.
Kjo mund të lidhet me dëshirën për një punë më të mirë, lëvizja në një qytet apo shtet tjetër etj. Po ashtu mund të përmendim ndryshimet që lidhet edhe me peshën trupore. Shumë njerëz kanë jetuar prej kohësh në një trup në mbipeshë dhe më në fund vendosin të ndryshojnë duke u ushqyer ndryshe apo duke u marrë me aktivitet fizik. Dikush tjetër ka dëshirë të heqë dorër nga vese të caktuara si duhani, droga apo vartësi të tjera që i komplikojnë jetën.
Ndryshimi kalimtar:
Ky ndryshim ndodh kur pranohet nevoja për të zbatuar një veprim krejtësisht të ri për një kohë të caktuar. Ne në jetë takojmë shumë njerëz të cilët ashtu siç vijnë edhe ikin nga jeta jonë. Ata mund të jenë më tepër në këtë fazë të jetës për arsye profesionale apo rrethana të tjera dytësorë të cilët mbartin një funksion të shkurtër.
Ndryshimi transformues
Zakonisht ky lloj ndryshimi nuk është i planifikuar dhe vjen si rezultat i rethanave të jashtme. Këtu mund të përmendim humbjen e një personi të familjes, një traumë, një fatkeqësi natyrore etj. Këto ndryshime sjellin reagime të menjëhershme dhe rikonceptim të jetës dhe vetes. Ndryshime të tilla mund të shoqërohen me probleme të shëndetit mendor, kriza financiare, por mund edhe të shërbejë si një fillim i ri dhe për tu forcuar.
Përfitimet nga ndryshimet
- Rritja personale
Gjatë ndryshimit ekzistojnë shanset që të mësohen gjëra të reja dhe të përjetohen eksperienca mbreslënëse. Zbulohen njohuri të reja rreth aspekteve të ndryshme të jetës duke zbehur paragjykimet, stereotipet etj.
- Fleksibiliteti
Ndryshimet e shpeshta bëjnë të përshtateni lehtësisht me situata të reja, mjedise të reja dhe njerëz të rinj. Si rezultat, nuk çuditeni apo tronditeni kur diçka zhvendoset papritur.
- Përmirësimet
Të gjithë kemi gjëra në jetën tonë që dëshirojmë t’i përmirësojmë duke filluar nga vetja, financat, punën, shtëpinë, etj. Të gjithë e dimë se asgjë nuk do të përmirësohet vetvetiu. Ne duhet t’i bëjmë gjërat ndryshe për ta realizuar atë. Pa ndryshime, nuk do të ketë përmirësime.
- Vlerat e jetës
Kohë pas kohe ndryshimet ju bëjnë të rivlerësoni jetën tuaj dhe të shikoni gjëra të caktuara nga një këndvështrim tjetër. Në varësi të ndryshimit, ai gjithashtu mund të forcojë vlerat tuaja të jetës.
- Nga një ndryshim i vogël tek një më i madh.
Zakonisht kemi ide se kur nisim me vetëdije një ndryshim ai duhet të tjetë i madh dhe thelbësor. Por jo pak herë edhe ndryshimet e vogla na japin më shumë siguri dhe pak nga pak shkojmë drejt ndryshimeve më të mëdha dhe të dëshirueshme.
- Rutina
A nuk mendoni se një jetë e cila jetohet me ankesa dhe në një vorbull të përsëritur është shumë e mërzitshme dhe aspak fitim prurëse. Çdo moment është i duhur për të nisur diçka të re dhe ndryshe. Kjo do u bëjë t’i shihni gjërat me optimizëm apo të ndiheni sikur po rilindni.