SHKRUAN: NEHAT JAHIU
TËRË NATËN KISHIN LEHUR QENTË
Thoshin se atë vit ishte një dimër shumë i vështirë, një dimër me acar, dëborë e furtunë… Nuk mbahej mend që një dimër i tillë të kishte zgjatur aq shumë. Ishte dimër me dhëmbë. Kishte dhëmbë ujku. Atë vit edhe ujqit ishin shtuar shumë dhe sulmonin natën ose mëngjesve kopetë e bagëtive. Për çudi hynin edhe brenda shtëpive.
Tërë natën deri në mëngjes atë natë ra dëborë edhe në fshatin Lulemali të malësisë së Karadakut. Së bashku me dëborën, të ftohtin, furtunën, shtrëngatën, nuk pushonin as ulërimat e ujqve dhe qenve. Ujqit ishin futur brenda në fshat dhe kërkonin të hynin në shtëpinë ku banonte mësuesi dhe atdhetari Flamur Drenica. Ai kishte ardhur para disa vitesh me shumë mësues të tjerë nga të gjitha trojet shqiptare për të ndihmuar arsimin shqip në këto treva. Atje mungonin kuadrot arsimorë. Mësuesit erdhën për të mbjellë farën e diturisë në trojet shqiptare. Për këtë mision kishte ardhur edhe mësuesi e atdhetari Flamur Drenica bashkë me familjen e tij. Ai kishte tre vjet që punonte si mësues me nxënësit në fshatin Lulemali. Banonte në një shtëpi të vogël që ia kishte dhënë një banor i fshatit. Mësues Flamuri punonte edhe jashtë orarit mësimor. Atë gjithnjë e gjeje në shkollën që ndodhej në skaj të fshatit tek vendi i quajtur “Thanat”. Ishte një shkollë një katshe, me dy mësonjëtore dhe një zyrë e vogël për mësuesin. Ai e kryente me shpirt profesionin e tij të mësuesisë për vogëlushët e fshatit të malësisë që t’u jepte dituri. Mësimet ua zhvillonte nxënësve ditën. Gjatë mbrëmjeve në odat e fshatarëve u tregonte ngjarje historike të lavdishme të popullit shqiptar dhe heronjve kombëtarë.
Mësuesi Flamur Drenica përcillej nga ujqit dhe pritej një ditë ose një natë që këtë mësues ta mbysnin ujqit, sepse u mësonte fëmijëve shqiptarë e banorëve të fshatit Lulemali historinë shqiptare dhe heronjve shqiptarë etj. Ishte përgatitur edhe skenari, se kur do të sulmohej mësuesi nga ujqit. Kjo do të bëhej një natë, mu gjatë këtij dimri të egër kur ujqit ulërinin tërë natën dhe mbysnin gjithçka.
Atë natë ujqit ia kishin mësy shtëpisë ku banonte mësuesi. Pas mesnatë kur mësues Flamuri dhe familja e tij ishin në gjumë filluan të lehurat e qenve në oborr. Ata vraponin dhe turreshin pranë gardhit të oborrit të shtëpisë. Qentë nuk i lejonin ujqit të futeshin në oborr dhe ulërinin përtej gardhit, sepse donin të futeshin brenda. Lehja e qenve, ulërima e ujqve, stuhia dhe dëbora me shtrëngatë e zgjuan nga gjumi mësuesin Flamur Drenica. Ai u ngrit nga shtrati, iu afrua dritares së vogël të odës dhe filloi të shikonte dëborën që binte pareshtur me erën që sillte stuhinë. Mësuesi nuk e kuptoi atë natë pse po lehnin qentë në oborr dhe ujqit ishin futur brenda në fshat, duke ulëritur pranë gardhit të shtëpisë. Ai shikonte nga dritarja. Nuk kishin të ndalur të lehurat e qenve dhe ulërimat e ujqve. Pas pak kohësh, kur u dëgjuan krisma armësh zërat e qenve ndaluan. Ujqit u futën brenda gardhit në oborr dhe i mbytën qentë. Iu afruan derës duke e rrethuar shtëpinë. Njëri nga ujqit me dhëmbë bishe të tërbuar ia mëshoi me këmbë derës dhe e hapi atë. Mësuesi ishte mbështetur në skaj të murit. Gruaja me fëmijët e mësuesit që ishin duke fjetur në shtrat u ngritën të tronditur në këmbë. Me shpejtësi e kapën mësuesin dhe ia vunë prangat në duar. Gruan dhe fëmijët i drejtuan me fytyrë nga muri duke u vënë pas shpine tytat e revoleve e pushkëve që të mos lëviznin. E morën mësuesin dhe e nxorën në oborr. Dolën së bashku me mësues Flamurin duarlidhur përtej gardhit. Pas keqtrajtimeve që iu bënë gruas dhe fëmijëve u larguan edhe ujqit e tjerë duke dalë nga oborri. Dëbora dhe stuhia nuk pushonin. Ujqit e kishin marrë mësuesin duarlidhur dhe këmbëzbathur duke e dërguar në bjeshkë. Gjithë natën e torturuan. E pyesnin për gjithçka. Mësuesi Flamur Drenica edhe pse gjendej në mes të stuhisë së asaj nate të egër dimri qëndroi si një lis me rrënjë të thella i palëkundur, deri pa zbardhur drita, kur ujqit e pabesë e vranë, mu aty pranë përroit. Sapo nata u ndërrua me ditën, ujqit u larguan duke e lënë mësuesin të shtrirë për tokë te përroi mbi fshat. Gruaja dhe fëmijët gjithë natën e pritën mësuesin Flamur Drenica, por ai nuk u kthye më.
Edhe pse ishte një natë me shumë dëborë e stuhi, nxënësit në mëngjes shkuan në shkollë. Dera e shkollës ishte e mbyllur. Pritën disa kohë të vinte mësuesi. Kur e panë se ai nuk erdhi, nxënësit u kthyen në shtëpi dhe iu treguan prindërve të tyre. Të gjithë fshatarët dolën nga shtëpitë dhe u nisën në drejtim të shkollës. Pasi arritën aty u afruan pranë derës. Ata e kuptuan se dera ishte e mbyllur, pra, mësuesi nuk ishte aty. Kryeplaku i katundit me disa banorë më të moshuar u nisën në shtëpinë, ku banonte mësuesi Flamur Drenica. Ata e thirrën disa herë emrin e mësuesit para shtëpisë, por nuk e dëgjuan përgjigjen e tij. Në ato çaste doli gruaja e mësues Flamurit dhe i mikpriti duke i futur në dhomë. Gruaja e tij ua tregoi ngjarjen se çfarë kishte ndodhur. Atëherë ata u ngritën në këmbë dhe u larguan nga shtëpia e mësuesit. Dolën të gjithë banorët duke u ndarë në grupe për të kërkuar mësuesin. Pas një kërkimi të gjatë në dëborë e stuhi pranë përroit, e gjetën mësuesin dhe atdhetarin e shtrirë të vdekur në tokë. Banorët kur panë trupin e tij të vdekur i kaploi një pikëllim i madh.
E morën në krah duke e bartur deri në shtëpinë e familjes së tij. Të gjithë u pikëlluan shumë. Me lot në sy fshatarët, nxënësit dhe familja e tij e pritën mësuesin Flamur Drenica. Pasdite e varrosën trupin e mësuesit me miratimin e familjes dhe dëshirën e banorëve të fshatit në oborrin e shkollës. Ujqit që uluritën gjithë natën për ta mbytur mësues Flamurin e realizuan skenarin e tyre makabër duke e vrarë mësuesin. Ai dha jetën pa u gjunjëzuar para ujqve. Ideali i tij hyri thellë në shpirtin e nxënësve e banorëve të fshatit Lulemali. Mësuesi Flamur Drenica mbeti dhe do të mbetet brez pas brezi fanar i diturisë së arsimit shqip. Mbi varrin e tij, gjithë natën rri e ndezur një dritë.