5.5 C
Tiranë
E mërkurë, 13 Nëntor 2024

UDHËTIMI PËR JERUSALEMIN E SHENJËT

BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…

Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

Ishte viti 2007, dhe ne, gjatë një pushimi në Kemer (Turqi), u ndeshëm me një ofertë të papritur, si një thirrje që erdhi nga larg – një reklamë që na ftonte për një udhëtim të shpejtë drejt Izraelit.

Fluturimi ishte parashikuar për atë natë, një fluturim i shkurtër, vetëm një ditë për të prekur tokën e shenjtë, për të shkelur mbi një histori të përjetshme, dhe pastaj kthimi në hotel. Dukej thuajse e pamundur, si një ëndërr e cila mezi pritej të realizohej, që në kaq pak kohë të mund të përjetonim një diçka kaq madhështore.

Por ideja e Izraelit, si një thirrje e brendshme, nuk na linte të qetë. Pas darkës, u kthyem përsëri në agjenci, duke kërkuar të dimë çdo hollësi, çdo pengesë të mundshme që mund të na ndalonte. Dyshimet tona, që si hije na përcillnin, u shpërndanë shpejt me përgjigjet e sakta dhe të qarta që morëm – nuk kishte nevojë për vizë, pasaportat tona ishin të rregullta, dhe kishte ende pesë vende të lira.

Me një emocion që na mbërthente zemrat, pa asnjë hezitim, i paguam biletat dhe në orën një të mëngjesit, ishim gati për të nisur atë udhëtim të papritur, një udhëtim drejt të panjohurës dhe të madhërishmes.

Në orën tre të mëngjesit, një aeroplan boeing na çoi nga Antalia drejt Izraelit, duke na shoqëruar drejt një udhëtimi të mbushur me emocion dhe pritshmëri. Aeroplani ishte i mbushur me turistë, të gjithë të kapluar nga një habi dhe entuziazëm i ngjashëm me tonin. Kur ateruam në aeroportin “Ben Gurion” në Tel Aviv, agimi sapo kishte filluar të shfaqej. Mëngjeset e hershme gjithmonë më kanë mahnitur me qetësinë dhe misterin e tyre, dhe kjo ishte dita ideale për të eksploruar Izraelin. Me kamerat në duar dhe të veshur lehtë për të përballuar nxehtësinë që na priste, zbritëm nga aeroplani në një botë krejt të re.

Në aeroport na priti një mikpritje e ngrohtë, me fjalët “Mirë se vini në Izrael,” që na përshëndetën me një mirësjellje që ngjante si një përqafim i parë me këtë tokë të lashtë. Ishte e pabesueshme – po qëndroja në Tel Aviv, në një vend që më parë vetëm e kisha ëndërruar dhe përshkruar nga larg. Autobusët na prisnin për të na çuar drejt Jerusalemit, dhe çdo autobus kishte një guidë që fliste gjuhën e turistëve, duke krijuar një urë lidhëse mes nesh dhe historisë së vendit. Ne zgjodhëm rusishten dhe udhëtimi filloi.


Xhamia Al-Aksa, pamja më e bukur nga ky këndë i qytetit, Jerusalem, 2007

Ndërsa kalonim rrugët e Jerusalemit, ndjeva një emocion të thellë, një ndjesi që ishte e vështirë për ta përshkruar – ishte sikur isha në një planet tjetër, në një vend të bekuar që vetëm unë po e shihja për herë të parë. Jerusalemi, i njohur si zemra e botës, një qytet i përjetësisë dhe shenjtërisë, zgjedhur nga Zoti vetë. Kisha përshtypjen se në këtë qytet mijëra vjeçar, e tërë bukuria e botës ishte e përmbledhur në çdo gur, në çdo rrugë, në çdo frymëmarrje.

Në biblën hebreje që quhej Talmud është shkruar se dhjetë masa bukurie zbritën në botë, dhe nëntë prej tyre u derdhën në Jerusalem, ndërsa vetëm një u shpërnda në pjesën tjetër të botës. Kjo thënie përmbledh thellësinë e bukurisë së pashpjegueshme që rrezaton ky qytet i shenjtë. Për shkak të kësaj bukurie magjepse, rrugët më të rëndësishme tokësore ndër shekuj kanë kaluar dhe janë kryqëzuar pikërisht në zemrën e Jerusalemit.

Çdo cep i këtij qyteti të lashtë dhe hyjnor është një portë drejt historisë, që na fton të ndalemi dhe të dëgjojmë jehonën e ngjarjeve që kanë ndodhur shekuj më parë. Rrugët e tij të gurta, muret e lashta dhe tempujt e shenjtë na drejtojnë imagjinatën drejt së panjohurës, duke na sjellë pranë mistereve dhe mrekullive që kanë magjepsur njerëzimin ndër breza. Jerusalemi, me bukurinë dhe historinë e tij të pasur, është një nga vendet që gjithmonë do të zërë një vend të veçantë në zemrat tona, një qytet që tërheq shpirtin me një forcë të papërballueshme.

Jerusalemi, ky qytet i lashtë e i shenjtë, është si një perlë që ndriçon në zemrën e historisë dhe shpirtit njerëzor. Po ashtu, është vendi ku tri fe të mëdha – Islami, Krishterimi dhe Judaizmi – takohen e ngërthehen në një mozaik të përjetshëm besimi e devocioni. Në këtë qytet të shenjtë, historia bëhet e gjallë, dhe rrëfimet e shenjta na prekin zemrat ndërsa shkelim në gjurmët e lashta.

Ciceronja na thoshte se Jezusi, Njeriu Hyjnor, u torturua, u kryqëzua dhe u ringjall në këto toka të shenjta. Çdo hap nëpër rrugët e Jerusalemit është si një udhëtim nëpër kohë, duke ndjerë peshën e historisë dhe sakrificës. Gruaja-cicerone që na udhëheqëte në këtë vend, me një zë që tingëllonte si një kambanë, na thoshte të nxitojmë, sepse dita është e shkurtër për të përfshirë të gjitha mrekullitë që Jerusalemi ofron.


Sabile Keçmezi-Basha, Betlehem, korrik, 2007 (Izrael)

Ecnim drejt Golgotës, për të parë Kishën e Ngjitjes së Krishtit dhe varrin e Tij, për të prekur Murin e Lotëve dhe për të parë ato vende që fjalët s’mund t’i përshkruajnë – por ato vetë duhet përjetuar me shpirt. Në çdo hap, qyteti i vjetër zbulonte thesaret e tij – Kupola e Shkëmbit që shndrit me dritën e saj hyjnore, Xhamia Al Aksa, që përmend emrin e të përulurve, dhe shumë të tjera që ndriçojnë shpirtin me madhështinë e tyre.

Rrugët e Jerusalemit ishin të ngarkuara me kujtime e përjetime të pashlyeshme. Ecja përgjatë rrugës Jaffa është si një përqafim i ngrohtë i historisë, çdo hap të çon në thellësitë e kohës. Ajo përfundon në një shesh ku ngrihet një urë e re, një vepër madhështore e arkitektit Calatrava, duke lidhur të kaluarën me të tashmen në një harmoni të jashtëzakonshme.

Duke hyrë nga Porta e Luanit, rruga e famshme Via Dolorosa na fton të ndjekim hapat e Jezusit, të ndjejmë dhimbjen e Tij, dhe të meditojmë mbi sakrificën e tij. Ky qytet është një udhëtim shpirtëror, një thesar që nuk mund të përshkruhet me fjalë, por që kërkon të vizitohet dhe të ndjehet me zemër.

Duke ecur përgjatë Rrugës së Mundimeve të Jezusit, një ndjesi e shenjtë dhe e thellë na përshkoi shpirtin. Ciceronja na ndal në një pikë të caktuar dhe me një zë të qetë, por të ngarkuar me respekt, na njofton se kemi arritur në vendin më të shenjtë të krishterimit – Kishën e Ngjalljes së Krishtit. Kjo kishë madhështore ngrihet mbi shpellën ku trupi i Jezusit u vendos, pas kryqëzimit, në atë moment të rëndësishëm që ndau errësirën nga drita.

Ndërsa ecim në drejtim të varrit të Jezusit, secili prej nesh ndjen peshën e kohës dhe të besimit. Varri i Shenjtë është një pikë referimi që flet me gjuhën e përjetësisë, një vend ku zemrat e miliona pelegrinëve kanë gjetur ngushëllim.

Edhe kur nuk është ditë feste, çdo vizitor pret me durim për të hyrë në këtë shenjtëri, ndonëse varri sot është bosh, sepse Jezusi është ringjallur. Kuvukia, e cila përmban varrin e tij, është një mrekulli e ndarë në tre pjesë: hyrja në Kapelën e Engjëjve, ku shandanistët e mëdhenj dhe llambat ndriçojnë me dritë qiellore, dhe varri ku misteri i ringjalljes është i përjetësuar.

Pas gjithë atyre mrekullive që kishim parë, ciceronja na drejtoi në një tjetër shteg të shenjtë, duke na çuar drejt Murit të Lotëve. Atë ditë aty ishte si të hyje në një botë tjetër, një botë e mbushur me shpresë dhe lot, ku çdo frymëmarrje përshkohej nga ndjenja e thellë e përkushtimit. Kur u futëm në oborrin e këtij muri të shenjtë, u përballëm me një skenë që të linte pa fjalë – një tollovi njerëzish, të gjithë të radhitur me durim, duke pritur për orë të tëra për të afruar dhe lënë letrën e tyre në çarjet e murit të vjetër.

E njëjta ndjenjë përfshirjeje më kapi edhe mua, dhe pa hezitim u bashkova me radhën e gjatë. Muri ishte i ndarë në dy pjesë – njëra anë ishte e grave dhe tjetra e burrave. Ata që kishin përmbushur ritualin e vendosjes së letrave, uleshin në stola të vegjël që i kishin sjellë me vete dhe nisnin lutjet e tyre, duke lexuar me përkushtim librat e shenjtë. Skena ishte e ngarkuar me emocione, ku lotët rridhnin nga sytë e shumë grave që luteshin me një dëshirë të thellë për dëgjim të lutjeve të tyre. Tefiku më tregoi se edhe tek burrat situata ishte e njëjtë, me zemra të rrahura fort nga pesha e lutjeve.

Presioni i vazhdueshëm nga ciceronja për të përshpejtuar hapat, për shkak të kohës së kufizuar, na mundësoi që, megjithëse pa rendin e zakonshëm, të arrinim të vendosnim letrat tona në Murin e Lotëve. Aty, në atë moment të shenjtë, shpresa dhe lutja u bashkuan në një akt të përhershëm, duke mbetur të përjetësuara në çarjet e atij muri, si dëshmi e kërkesave dhe dëshirave të pafundme që lartohen drejt qiellit.

Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, Muri i lotëve, Jerisalem, 2007

Pastaj grupi ynë i vizitorëve vazhduam për te xhamija Al Aksa, sikur dukej që na priste në gjirin e saj. Xhamia el-Aksa, e njohur ndryshe si Mesxhidi Aksa, është një margaritar i shenjtërisë në zemër të Qytetit të Vjetër të Jeruzalemit, vendi i tretë më i shenjtë në Islam. Kjo xhami, me kupolën e saj të ndritshme prej argjendi, ngrihet përkrah Kupolës së Shkëmbit, në një truall të përshkruar me devotshmëri si el-Haram esh-Sherif, “Faltorja Fisnike.” E vendosur mbi Malin e Tempullit, ky është gjithashtu vendi më i shenjtë në Judaizëm, një truall ku qielli duket më afër tokës dhe ku historia përplaset me përjetësinë.

Aty mësova se besimi mysliman mban në zemër rrëfimin se Muhammedi erdhi nga Xhamia e Shenjtë në Meka deri në el-Aksa gjatë Natës së Isrës, një udhëtim i mrekullueshëm që përshkruhet në Kur’an si një kalim nga toka në qiell. Deri në muajin e shtatëmbëdhjetë pas Hixhrës, profeti Muhammed u fal drejt këtij vendi të shenjtë, derisa Allahu e urdhëroi atë që të drejtohej nga Qabeja, një ndryshim që shënoi një kapitull të ri në historinë e fesë islame.

Emri Masjid al-Aqsa, që përkthehet nga arabishtja si “xhamia më e largët,” lidhet me këtë udhëtim të natës, ku Muhammedi kaloi nga Meka në këtë xhami dhe prej andej drejt Xhenetit. Ky emër është i gdhendur në çdo gur dhe mur të kësaj xhamie, duke i dhënë asaj një vend të shenjtë dhe të largët në zemrat e miliona myslimanëve anembanë botës.

Sabile Keçmezi-Basha, Muri i lotëve, Jerisalem, 2007

Shtrirja madhështore e Xhamisë el-Aksa dhe rrethinës së saj kap një hapësirë prej 144,000 metra katrorë, ndërsa ndërtesa vetë zë 35,000 metra katrorë, me kapacitet për të pritur deri në 5,000 besimtarë. Me një gjatësi prej 83 metrash dhe gjerësi prej 56 metrash, ajo ngrihet si një monument i besimit dhe historisë. Kupola e saj argjendi, e ndërtuar me fletë plumbi, pasqyron dritën e diellit, ndërsa katër minaret, të vendosura në anët jugore, veriore dhe perëndimore, mbajnë në këmbë thirrjen e përjetshme për lutje.

Kur futesh në brendësi të kësaj xhamie të shenjtë, ndjen një ndjenjë të thellë përkushtimi dhe nderimi. Roja, me një qetësi të përshpirtshme, kërkon që të thuash lutjen e Shahadetit, gjë që e bëmë edhe na, një lutje thelbësore për çdo mysliman, duke të kujtuar se je duke hyrë në një vend ku toka dhe qielli takohen në një harmoni të përjetshme.

Pas vizitës së xhamisë Al-Aksa, u nisëm më tej drejt një vendi të ngarkuar me dhimbje dhe kujtesë, aty ku ngrihet Muzeu i përkushtuar për të përkujtuar viktimat e pafajshme të Holokaustit. Ky vend, një dëshmi e tmerrit dhe mizorisë që ka ndodhur, më përfshiu në një drithërimë të ftohtë që më përshkoi tërë trupin. Teksa shikoja muret dhe ekspozitat, një mendim më përshkoi në heshtje: sa bukur do të ishte nëse edhe ne, në Kosovë, do të ngrinim një monument të tillë për të përkujtuar të vrarët tanë. Së paku të mos i harrojmë, të kujtojmë çdo jetë të humbur, dhe të kuptojmë se liria që gëzojmë sot nuk është një dhuratë e paçmuar, por një sakrificë e dhimbshme e shumë gjeneratave që kanë luftuar për të, që ne sot të jetojmë të lirë e të lumtur.

Kjo qendër përkujtimore, e vendosur në Malin e Kujtimit (Har Hazikaron), është një monument që ngrihet në nderim të viktimave hebreje të Holokaustit në Izrael, i themeluar në vitin 1953. Në vitin 2005, brenda të njëjtit kompleks, ishte hap një muze më i ri historik i Holokaustit, një pasqyrë e qartë e një kapitulli të errët të historisë njerëzore, i konceptuar nga arkitekti Moshe Safdia. Muzeu ekzistonte për të dokumentuar dhimbjen e gjashtë milionë hebrenjve që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kujtesë e gjallë për tmerret që njerëzimi nuk duhet t’i harrojë kurrë.

Pas kësaj vizite të rëndë, u drejtuam drejt simbolit të përjetshëm të Jerusalemit, Kullës së Davidit. Ky tempull, një fortesë madhështore që lë pa frymë çdo vizitor, qëndron krenar në oborrin e tij të rrethuar nga mbetje arkeologjike 2700-vjeçare. Pjesë integrale e Muzeut të Kullës së Davidit është kalaja e vogël pranë portës së Jaffës, një nga simbolet më të njohura të Jerusalemit të vjetër. Kjo kullë e lashtë, e ngarkuar me histori dhe lavdi, qëndron si një kujtesë e përjetshme e kalimit të kohës dhe rëndësisë së ruajtjes së trashëgimisë sonë.

Pas të gjitha vizitave të mbushura me histori dhe kujtime, ciceronja na udhëhoqi drejt një kodre në pjesën juglindore të Jerusalemit, pranë qytetit të vjetër, për të vizituar malin e Sionit. Aty, në këtë mal të shenjtë, zbuluam shtëpinë Gornica, një dhomë e thjeshtë në katin e parë, ku dikur u mbajt Darka e Fundit. Një hapësirë që dikur ishte kishë, më pas xhami, dhe sot është një vend pelegrinazhi për besimtarët nga e gjithë bota, ku kujtohet një nga momentet më të rëndësishme të historisë fetare. Ndërsa qëndronim në këtë vend të lashtë, vizituam edhe varrin e Davidit dhe kishën e Fjetjes së Zojës së Bekuar, secili prej këtyre vendeve duke bartur me vete një ngarkesë shpirtërore dhe historike të papërshkrueshme.

Jerusalemi na ofroi jo vetëm një udhëtim përmes vendeve të shenjta, por edhe shijen e tij të veçantë, atë që gjen vetëm në tregjet e tij të gjalla. Shpesh, rrugët që ndiqnim na çonin përmes rrugicave të ngushta dhe të mbushura plot me njerëz, ku tezgat shumëngjyrëshe shpalosnin një pasuri të pafund ushqimesh, frutash, perimesh, dhe aromash të papërshkrueshme. Në fillim, ndoshta i kalonim me njëfarë indiference, por shumë shpejt kuptuam se do të ishte një mëkat i vërtetë të udhëtoje në Jerusalem pa u ndalur në “Shuk” – tregjet që janë zemra e këtij qyteti.

Brenda këtyre tregjeve, kafenetë e vogla dhe restorantet autentike na tërhiqnin me aromat dhe specialitetet e tyre të shijshme, duke na joshur në një aventurë të vërtetë kulinare. Duke ecur ngadalë nëpër këto pazare, ndjehej atmosfera e gjallë e Jerusalemit në çdo hap, dhe pa menduar gjatë, blemë disa dhurata të vogla për Artën, Nitin,  Agonin dhe Albinën, si një kujtim i këtij udhëtimi të veçantë në zemrën e Tokës së Shenjtë.

Pas pamjes së mrekullueshme të vendndodhjeve historike dhe fetare, u zhytëm në atmosferën e pazareve të Jerusalemit, aty ku dëshira e turistëve për të bërë shopping u bë pjesë e udhëtimit tonë. Jerusalemi, një qytet që kombinon me mjeshtëri të shkuarën me të tashmen, na prezantoi me një realitet tërësisht modern, plot sfida dhe mundësi kur bëhet fjalë për blerjet.

Rrugët e ngushta na çuan në zemrën e qytetit, ku zona e këmbësorëve pulsonte nga gjallëria e dyqaneve, ndërsa më larg, qendra tregtare Malha na ftonte me premtimin e blerjeve bashkëkohore. Megjithatë, ciceronja na drejtoi drejt një surprize tjetër, qendrën tregtare Mamila, e vendosur pranë mureve të qytetit të vjetër, duke na sjellë në një hapësirë ku moderniteti dhe historia bashkoheshin në një simbiozë të përsosur.

Kur hymë në qendrën tregtare “Mamila”, pamja e dyqaneve me brendet më të njohura botërore na dha ndjesinë se kishim kaluar në një dimension tjetër, ku Jerusalemi na ofronte më të mirën e botës. Duke ecur rrugës, nuk mund të mos vëreja ndërtesat e ndërtuara me gurët e bardhë të Jerusalemit, një traditë e lashtë që rrjedh nga koha e mbretit David, i cili përmes një ligji për ndërtimin, urdhëroi që çdo strukturë të ndërtohej me këtë gur të veçantë, një rregull që ende respektohet me përkushtim të madh.

Sabile Keçmezi-Basha, Qyteti i vjetër i Jerusalemit, 2007

Pavarësisht kënaqësisë së këtij udhëtimi, më mbeti një ndjesi e lehtë zhgënjimi kur mësova se për shkak të kufizimeve të kohës, nuk mundëm të vizitonim muzeun arkeologjik, antropologjik dhe të artit, që ciceronja e përshkroi si një vend të jashtëzakonshëm, por fatkeqësisht, në atë kohë ishte i mbyllur. Ky ishte një kujtim i shkurtër, por i thellë, që Jerusalemi ka gjithmonë diçka më shumë për të ofruar, diçka që të fton të rikthehesh sërish.

Pas një dreke të shijshme dhe një çlodhjeje të këndshme, ne u nisëm përsëri me autobus në drejtim të Detit të Vdekur, një vend që e thërrasim det, edhe pse në të vërtetë është një liqen që ndodhet në Lindjen e Afërme. Ky liqen, i njohur si më i kripuri në botë, është një mrekulli natyrore e mbuluar në mister dhe magji.

Kripësia e tij ishte aq e theksuar sa që në këtë masë ujore nuk ka jetë të dukshme, përveç disa mikroorganizmave të pakët, që gjejnë strehë në thellësitë e tij. Deti i Vdekur, i ndarë mes Izraelit dhe Jordanisë, është një det i mbyllur që ushqehet nga lumi Jordan. Kripësia e tij, që arrin deri në 30%, është dhjetë herë më e lartë se uji i zakonshëm i deteve. I gjatë 67 kilometra dhe i gjerë deri në 18 kilometra, me një thellësi të mrekullueshme prej 330 metrash, ky liqen ofron një peizazh të jashtëzakonshëm dhe të papritur.

Kur e pamë për herë të parë, u duk se ky liqen ishte një vend i qetë dhe i paprekur, pa shenja të jetës që zakonisht gjendet në ujërat e tjera. Nuk kishte as peshq dhe as alge që të lundronin në ujërat e tij të kripur. Ky është ndoshta një nga arsyet pse e ka emrin Deti i Vdekur. Megjithatë, edhe pse nuk ka shumë jetë, është një nga vendet më të mrekullueshme në planet. Disa shkencëtarë e kanë studiuar këtë mrekulli natyrore dhe kanë zbuluar se në disa kratere në fund të liqenit, disa specie bakteresh janë të afta të mbijetojnë në kushtet ekstreme të tij.

Ciceronja na sqaroi se, në fakt, Deti i Vdekur nuk është det, por një liqen masiv. Në hartë, ky liqen është një entitet i veçantë që nuk ka asnjë lidhje me detet e tjera dhe, për shkak të avullimit të shpejtë të ujit të tij, nuk ka mundësi të zgjeron sipërfaqen e tij. Një ndjesi e veçantë e qetësisë dhe misterit mbetet mbi këtë liqen, duke na ftuar të ndalim dhe të shijojmë bukurinë e tij të veçantë.

Nga ana tjetër, kripa që mbush këtë vend vjen nga shkëmbinjtë, të cilët janë të mbushur me një kripë të thellë, ashtu si minierat e kripës që gjenden në Gjermani. Shiu, që gjithmonë bart një komponent të lehtë acidik për shkak të substancave që ndodhen në atmosferë, bie mbi këto shkëmbinj dhe i gërryen ngadalë. Ky proces nxjerr kripën dhe ndihmon në përqendrimin e saj në ujë.

Në afërsi të këtij deti, vërejtëm një njoftim në një tabelë ku shkruante se liqeni është 420 metra nën nivelin e detit, një depresion natyror që është krijuar me kalimin e shekujve. Po të ishte e mundur që të lidheshin me ndonjë det tjetër, pas disa qindra vjetësh ky do të shkaktonte përmbytjen e shumë qyteteve përreth.

E ne, sapo arritëm dhe sapo pamë detin, u ngutëm të hyjmë dhe të laheshim në të, por menjëherë pasi hodhëm dy hapa, këmbët tona u ndaluan si në një grusht të pamëshirshëm dhe nuk mundëm të notonim. Uji kishte një densitet të lartë kripe dhe ishte e pamundur të notonim, por mund të qëndronim të ngritur në sipërfaqe, si të rrethuar nga një forcë e padukshme.

Pastaj, dikush na tregoi me një buzëqeshje se duke u lye me baltën e këtij deti, për dhjetë vjet do të mbetemi më të rinj. Si të drejtuar nga një fuqi magjike, të gjithë turistët, me një zell të çuditshëm, u mbuluam me baltën e zezë të detit, duke besuar me gjithë zemër në premtimin e rinimit dhe pastërtisë që ajo sillte. Kur ciceronja na vërejti të zhytur në ujë, pa qenë krejtësisht të përgatitur, na paralajmëroi me një zë të butë, duke na kujtuar se notimi në këto ujëra është i pamundur, dhe se ky ujë është i rrezikshëm nëse pihet apo hyn në sy

Buzë Detit të Vdekur, mes kafiterive të shumta që qëndronin si oaze të qeta, ne u ndalëm pas larjes me baltën magjike të detit, duke u ulur të shijojmë atë bukuri që na magjepsi që në takimin e parë. Të lodhur nga ecjet e pafundme në rrugët e Jerusalemit, u rehatuam në autobusin komod dhe freskues, një oazë e vogël qetësie për trupat tanë të përvëluar nga dita. U nisëm drejt një restoranti që qëndronte diku mes rrugës për Tel Aviv.

Është e habitshme se si, kur arritëm në restorant, nata kishte rënë qetësisht mbi peizazhin, por kur dolëm nga autobusi, ndjeva një valë të papritur ngrohtësie që përshkoi gjithë trupin tim, duke më shtyrë të hy brenda me nxitim, sikur po ikja nga një zjarr i padukshëm. Pas një qëndrimi të këndshëm dhe një darke të pasur që ngrohu shpirtrat tanë, diskutimet mes turistëve u ngritën si një bisedë e hareshme nën dritat e yjeve. Flisnim për gjithçka që pamë, dhe në fund, të gjithë ramë dakord se dita ishte e mbushur me përvoja të paharrueshme, por një ditë nuk mjafton për të përjetuar gjithë ato mrekulli që ky vend ofron.

Pas darkës së begatë, u ngjitëm në autobus, i cili, si një përbindësh i uritur, përpiu rrugën e asfaltuar, duke na çuar pa frymë drejt aeroportit “Ben Gurion”. Aty, nën dritën e yjeve dhe hijen e përshëndetjeve të fundit, nisëm rrugëtimin për t’u kthyer në vendin nga ku kishim ardhur, duke mbartur me vete kujtimet e një udhëtimi që do të mbetej përgjithmonë i skalitur në shpirt.

Ndërsa tani, e rehatuar në shtëpinë time, shfletoj internetin dhe zbuloj disa fakte të mrekullueshme për Izraelin dhe qytetin e Jerusalemit. Izraeli, zyrtarisht i njohur si Shteti i Izraelit, shtrihet në Azinë Perëndimore, një tokë që përbën një lidhje të veçantë mes kontinenteve. Ky vend është i rrethuar nga kufijtë e ndryshëm: në veri nga Libani, në verilindje nga Siria, në lindje nga Jordania, në jug nga Deti i Kuq, në jugperëndim nga Egjipti, në perëndim nga Deti Mesdhe, dhe në lindje nga territoret palestineze – Bregu Perëndimor dhe në jugperëndim nga Rripi i Gazës.

Tel Avivi është zemra ekonomike dhe teknologjike e vendit, ndërsa qeveria ka selinë e saj në kryeqytetin e shpallur, Jerusalemin. Megjithatë, statusi i Jerusalemit Lindor si pjesë e territorit izraelit mbetet i pa pranuar ndërkombëtarisht. Izraeli ndodhet në zemrën e Levantit, një rajon i njohur për bukurinë dhe pasurinë e tij të natyrshme, i vendosur në Gjysmëhënën e Pjellshme.

Sipas të dhënave nga viti 2008, Izraeli ka një popullsi prej 7,412,200 banorësh. Territori sovran i Izraelit, i përcaktuar nga Marrëveshjet e Armëpushimit të vitit 1949 dhe duke përjashtuar territoret e pushtuara gjatë Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967, shtrihet në rreth 20,770 km² (8,019 mi²), prej të cilave rreth 2% janë ujë. Megjithatë, për shkak të ngushtësisë së territorit të Izraelit, i cili është 100 km në gjerësi dhe 400 km nga veriu në jug, zona ekskluzive ekonomike në Detin Mesdhe është dyfish e më e madhe se sipërfaqja tokësore e vendit. Sipas ligjit Izraelit, sipërfaqja totale e territorit, duke përfshirë Jerusalemin Lindor dhe Lartësitë e Golanit, është 22,072 km² (8,522 mi²). Në tërësi, sipërfaqja që ndodhet nën kontrollin izraelit, duke përfshirë territorin e kontrolluar nga ushtria dhe atë pjesërisht të qeverisur nga palestinezët në Bregun Perëndimor, është 27,799 km² (10,733 mi²)

Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, më duket se kemi ndjekur një rrugë të mrekullueshme dhe të çmuar duke udhëtuar në Izrael, pavarësisht shpenzimeve të mëdha që solli. Ky udhëtim ka mbetur një nga përvojat më të thella dhe të paharrueshme në udhën e jetës sime, si një relikt të ndritshme që ndriçon në kujtesën time.

admin
adminhttp://dritare.org
Dritare.Info, Admin
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.