9.5 C
Tiranë
E enjte, 21 Nëntor 2024

Zigmund Frojdi me 6 libra në shqip – rreth 1200 faqe përkthim nga vepra e plotë e tij

Arben Çokaj - Qytetar Nderi - Malësi e Madhe
Arben Çokaj – Qytetar Nderi – Malësi e Madhe

Arben Çokaj

Pas një pune disa mujore, arritëm në fund të përkthimit të rreth 1200 faqeve nga Vepra e plotë Frojdit në anglisht, që ka 5 102 faqe gjithsejt, e cila mund të merret falas nga Libraria jonë online (në anglisht). Ndërsa Vepra e plotë e Frojdit në shqip ka një çmim, çmimin e përkthimit, prandaj sorry, nuk mund të merret falas. Siç edhe mund të shihet nga kopertinat e librave, sukjekt i përkthimit tonë janë bërë temat më të rëndësishme të trajtuara nga Frojdi gjatë jetës së tij, në veprën e tij, duke lënë mënjanë Interpretimin e ëndrrave dhe Ëndrrat, që edhe pse kanë interes publik, padyshim, kanë një volum të madh, dhe ne na duken me më pak rëbndësi, se pjesa e veprës, që kemi përkthyer. Në të ardhmen, në varësi të kërkesës së lexuesve, ka mundësi se do e marrim në konsideratë edhe përkthimin e tyre.

Unë jam shumë i kënaqur me përkthimin e këtyre veprave të Frojdit, të cilat sublimojnë në vetëvete qindra orë pune, të shtrirë në disa muaj, pranverë-verë 2024, dhe më poshtë po përshkruaj shkurt secilën vepër dhe përmbajtjen që ka.


  1. Studime mbi Histerinë

Zigmund Frojd - Studime mbi Histerinë Kjo është vepra e parë në librin e Frojdit, Complete Work në anglisht, dhe vepra e parë e  përkthyer në shqip, për interesin që ka për profesionistë dhe lexues normalë, për t’u njohur me përpjekjet e para të sqarimit mbi Histerinë.

Si fillim libri jep disa raste nga Frojdi e Brojeri – Historitë e rasteve – të personave me ndikime histerike – kryesisht femra, të cilat shkojnë deri në paralizë, për shkak të histerisë. Prandaj ky ndikim i fuqishëm psikik e neurotik nuk duhet injoruar, por është mirë të njihet, për të mos e paragjykuar dhe për të mbrojtur veten.

Pastaj kemi një trajtim teorik mbi histerinë nga Frojdi dhe Brojer, të cilët arritën në atë kohë në një përfundim të rëndësishëm, sapo zbulohen shkaqet e një neuroze që shkakton histerinë, simptomat e saj zhduken. Dhe pacienti shërohet. A nuk është mrekulli?! Në vend që të shkojë pacienti te hoxha, që ta rrahë me shuplaka e Kur’an, apo të sillet rreth Kishës së Laçit, një psiko-analist mund ta shërojë atë.

Librin në shqip, në PDF, mund ta blini online: Studime mbi Histerinë.


2. Totemi dhe Tabuja

Zigmund Frojd - Totemi dhe Tabuja Një libër tjetër, i mrekullueshëm i Frojdit, është pikërisht Totemi dhe Tabuja. Është libri i dytë në radhë në përkthimin tonë, për shkak të rëndësisë që ka. Me këtë libër, Frojdi shkon thellë në histori dhe sqaron fenomenet e neurozave që në lashtësi, që në kohën e njeriut të parë e primitiv, kur njerëzit jetonin ende në fise të mëdha, hordhi, me një kryetar fisi, i cili shkonte me të gjitha gratë e fisit, por s’i linte djemtë e tjerë në fis, të prektin gratë e fisit, se i tredhte ata ose i dëbonte ata nga fisi. Kjo situatë kaq e habitshme, gjeneroi fenomentin e vrasjes së atit, djemtë e dëbuar, e të rritur, bashkohen, e kthehen, dhe vrasin atin, kreun e fisit, dhe ia hanë mishin atij… por ndalojnë, nuk duan të bëhen si ai. Këtu fillon njeriu të mendojë, të futet morali dhe ndalesat: ne nuk do të sillemi si ati ynë, ne nuk do shkojmë me gratë e fisit dhe nuk do i dëbojmë djemtë e fisit. Nuk i tredhim ata, por u presim lafshën, u bëjmë rrethprerje, që ka efektin psikik të tredhjes. Këtu e ka pra fillesën feja, dhe njerëzit e hershëm të asaj kohe, meqë e vranë atin, krijuan një adhurim për një kafshë totem, e cila kishte edhe tabutë e saj. Janë fazat e para të krijimit të fesë ose besimit, nga një shoqëri parafetare e njerëzve primitivë.

Librin në shqip, në PDF, mund ta blini online: Totemi dhe Tabuja.
Një shkrim më i gjatë rreth librit:

‘Totemi dhe Tabuja’ nga Zigmund Frojd


3. Moisiu dhe monoteizmi (E ardhmja e një iluzioni)

Zigmund Frojd - Moisiu dhe monoteizmiLibri i tretë në radhë është me një rëndësi themelore për besimin e njerëzve në fe. Frojdi për vete nuk beson në fe, dhe e konsideron fenë një iluzion, një neurozë (shtypje psikike në tru) obsesionale gjithënjerëzore. Në këtë libër, Frojdi merret me lindjen e fesë monoteiste, e cila i atribuohet Moisiut, i cili sipas tij ishte një egjiptian. Ai u largua nga puna e tij në shërbim të faraonit, thuhet se vrau një oficer egjiptian, i cili rrahu një skllav hebre, dhe afër malit Sinai, ai u kthye në bari. Ruante delet. Një ditë, atij i lindi ideja të merret me fe, dhe kështu ai mori një popull të braktisur, hebrejtë, dhe u bë udhërrëfyes i tyre, duke i quajtur ata si ‘populli i zgjedhur‘. Moisiun egjiptian e vranë, sipas sqarimeve të Frojdit, dhe vendin e tij e zuri një Moisi tjetër hebre. Por në një moment, feja u shua, nga kundërshtitë e hebrejve, për premtimet e papëmbushura, por u krijua më pas disa shekuj më vonë mbi ato baza, që ajo ishte krijuar në fillim. Më pas, Sauli nga Tarsi i Turqisë, që u bë Shën Pauli i fesë së krishterë, krijoi më vonë fenë e re, krishtërimin, duke u bazuar mbi një mëkat të madh të njerëzimit, që kishte vrarë në fillim atin. Dhe si shpërblim, filozofia e fesë së re e shpaguan mëkatin fillestar, vrasjen e atit, duke viktimizuar të birin, Jezu Krishtin. Në këtë mënyrë, i biri u bë zot, ia mori pushtetin atit.

Te pjesa e Ardhmja e një iluzioni, Frojdi trajton në një mënyrë mjaft intelektuale, se si feja (si iluzion e neurozë) do të vijë duke u zhdukur, [ përveç se në Shqipëri, ku dhiten për fe ], me kalimin e kohës, me rritjen e dijes dhe vetëdijes te njerëzit. Sa më i ditur të jetë njeriu, aq më pak beson te disa iluzione irracionale.

Librin në shqip, në PDF, mund ta blini online: Moisiu dhe monoteizmi.
Një shkrim më i gjatë rreth librit:

PSE DUHET LEXUAR FROJDI?


4. Psikologjia e turmave

Zigmund Frojd - Psikologjia e turmave Duke përfshirë edhe pjesën Përtej parimit të kënaqësisë dhe Egoja dhe Idi.

Te pjesa e parë, Përtej parimit të kënaqësisë Frojdi sqaron se njeriu është i prirur si natyrë të kënaqë veten, unin e tij. Por në jetesën në shoqëri, kjo tendencë nuk është gjithmonë e mundur, pasi fillimisht përballemi me parimin e realitetit. Nuk mund t’i bëjmë të gjitha, që duam e na kënaqin, sepse përballemi me realitetin, i cili na frenon, se ka norma morale, etj.

Ndërsa te pjesa kryesore, që i kemi vënë edhe titullin librit, Psikologjia e turmave, Frojdi ka si pikënisje veprën e Gustave Le Bon, Psikologjia e turmave, të cilën e vlerëson, dhe shkon me analiza psiko-analitike përtej saj. Në shumë raste psikologjia individuale ndryshon nga psikologjiza e grupit, apo e turmës. Te turmat, psikologjia ka një tendencë minimaliste, jo maksimaliste. Nuk fiton gjithmonë njeriu më i zgjuar, por ai mesatar.

Ndërsa pjesa e tretë, Egoja dhe Idi trajton teorinë e Psiko-analizës, teoria e psikologjisë së thellë e zbuluar nga Frojdi. Këtu kemi termat Ego, ose Uni, dhe Idi, ose e pavetëdijshmja, si dhe Superegoja, ose Mbiuni, që është një gërshetim mes normave morale shoqërore, që kanë hyrë në të pavetëdijshmen e individit dhe ajo bashkëpunon me Idin, për të godituir Egon, duke krijuar kështu stres e shqetësime për individin….

Librin në shqip, në PDF, mund ta blini online: Psikologjia e turmave.
Një shkrim më i gjatë rreth librit:

Psikologjia e turmave


5. Një studim autobiografik

Zigmund Frojd - Një studim autobiografik Duke përfshirë edhe pjesë interesante si:
1. Mbi Narcizmin
2. E pavetëdijshmja
3. Tabuja e virgjërisë
4. Neuroza dhe Psikoza
5. Seksualiteti femëror
6. Pse luftë?

Kemi përfshirë disa tema me rëndësi, siç edhe shihen nga titujt e tyre dhe kemi përkthyer edhe Një studim autobiografik, ku Frojdi sqaron punën e tij të madhe e të pandalë dhe jetën e tij në dispozicion të teorisë së Psiko-analizës, të cilës ai i dha jetë dhe ka kaq ndikim në jetën shoqërore që nga koha e tij. Frojdi është një must read! Duhet lexuar me patjetër, për ta kuptuar këtë botë më mirë.

Temat e trajtuara në këtë libër, nën titujt e renditur janë tema me mjaft rëndësi, dhe që manifestohen në shoqërinë njerëzore.

Librin në shqip, në PDF, mund ta blini online: Një studim autobiografik.
Një shkrim më i gjatë rreth librit:

Një studim autobiografik nga Zigmund Frojd


6. Teoria e seksualitetit dhe Psiko-analiza

Zigmund Frojd - Teoria e seksualitetit dhe Psiko-analiza Kemi bërë bashkë dy pjesë të rëndësishme të teorisë së Frojdit, të pandashme si duket nga njëra-tjetra. Teoria e seksualitetit, 1905, e cila është bërë subjekt kritikash ndaj autorit, merret me trajtimin e ndikimit që ka seksi te njeriu, që në fëmijërinë e tij. Madje, shumë psikoza e neuroza që krijohen në moshën e fëmijës, që kanë shkak çështjet seksuale, e ndikojnë njeriun edhe kur rritet, gjithë jetën. Edhe psirjet seksuale, në fëmijëri ndahen, ku njeriu merr orientimin e tij seksual kur rritet. Sipas Frojdit, deri në moshën 5 vjeç, fëmija është seksualisht aktiv, por i mungojnë organet seksuale, dhe kalon në një latencë, vonesë, derisa fillon mosha e pubertetit, ose pjekurisë seksuale.

Kurse pjesa e dytë e librit është më shumë teorike, ku Frojdi në një moshë të thyer, i kthehet edhe një herë teorisë së tij dhe i jep dorën e fundit. Këyu kemi përfshirë punimin Mbi psiko-analozën, 1913, Psiko-analiza, 1926 dhe Një skicë e psiko-analizës, 1940. Këto janë sqarime profesionale, të cilat përbëjnë interes për profesionistët e fushës dhe për lexuesit e kultivuar, të cilët duan të dinë më shumë rreth kësaj teorie.

Librin në shqip, në PDF, mund ta blini online: Teoria e seksualitetit dhe Psiko-analiza.
Një shkrim më i gjatë rreth librit:

Mori temash me mjaft interes, 3 libra që na përmbushin me dije, nga Zigmund Frojd

admin
adminhttp://dritare.org
Dritare.Info, Admin
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.