Dr. Pal Doçi
Një vepër historike për vendlindjen
Rreth librit “Ndwrfana” tw autorit
Gjon Marku
Shtëpia botuese “Mirdita” aktualisht po merret me një punë që lidhet me botimin e veprave me karakter historik dhe njëkohësisht letrar të autorëve mirditas. Në Mirditë duke vazhduar traditën e Prend Doçit, Prend Sulit e të tjerë, po kultivon një veprimtari krijuese letrare e shkencore, një numër i konsiderueshëm dhe e mirfilltë intelektualësh vendas, veprat e të cilëve kanë vlera sa historike ashtu edhe artistike. Kështu shtëpia botuese “Mirdita” veç vënies në qarkullim të disa vëllimeve letrare në prozë e më shumë në poezi, kohët e fundit ka botuar veprën historike: “Toka e Katedraleve” të poetit, publicistit dhe studiuesit Ndue Dedaj, si dhe një varg monografish, kushtuar personaliteteve mirditorë si “Dom Zef Skana”, “Preng Marka Prenga”, ose pjesë të veçanta të trevave të Mrditës sikurse janë: “Fani del nga muzgu” i Nikoll Lokës dhe tani së fundi “Ndërfana” e Gjon Markut. Është e njohur dhe e pranuar fjala e urtë “Gur gur bëhet kala”. Pra, pa njohur pjesët e veçanta nuk mund të njihet e tëra. Po kjo pjesë e veçantë e Mirditës, Ndërfana, ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për historinë e Mirditës në veçanti, por dhe të mbarë Shqipërisë. Kjo trevë e Mirditës, sikurse e ka dëshmuar qartë autori Gjon Marku, ka qenë epiqendra, themeli apo zemra e shtetit të Arbrit. Dihet se prej Arbërit ka vijuar Shqipëria. pra bëhet fjalë për zemrën e Shqipërisë.
Këtë të vërtet hiostorike autori Gjon Marku ka mundur të na e dëshmojë bindëshëm nëpërmjet të dhënave të dekomentuara mirfilli. Duke paraqitur një pasqyrë të përgjithshme ekonomike, gjeografike, historike dhe kulturore të Ndërfanës si një vendbanim i lashtë, del qartë në pah se kulmi i lartësisë dhe të zhvillimit të vet ky vend e arrin në shekullin e XII-të e XIII-të, si qendër kryesore e Principatës së Arbrit.
Duke pasur një pozitë kyçe në rrugën Shkodër – Mirditë – Kukës- Prizren -Nish, Ndërfana për hirë dhe të pasurive të veta minerale, pyjore dhe ujore, zhvillohet në qendër qytetare me rëndësi ekonomike, kulturore dhe administrative-politike. Pikërisht në këtë trevë mirditore u ruajt kultura e lashtë dhe e pasurua dhe më tej me tradita të reja iliro-shqiptare duke i bërë ballë burrërisht asimilimit. E ngritur në mes të maleve, Ndërfana i qëndroi si trysnis, byzantine dhe asaj sllave. Jo më kot dijetari gjerman F. Huppe shkruan: “vetëm në malet shqiptare u zbraps furia e valës sllave”
Autori Gjon Marku sjell të dhëna bindëse se Ndërfana ishte qendër e rëndësishme kulturore. Për disa shekuj aty ka ekzistuar një kolegj, në të cilin përgatiteshin klerikë për të gjithë Dalmacinë deri dhe për Raguzën. Aq peshë kishte abacia e këtij vendi, sa abati i saj ishte i ngarkuar nga Papa për t’u paraqitur si i dërguar i tij në Shqipëri, Dalmaci dhe Greqi, pra, në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Nga kjo del edhe më në pah rëndësia e kësaj treve për kohën që flitet në këtë libër.
Ndërfana pas pushtimit osman
Një pjesë të veçantë të librit zë tema e ruajtjes së prestigjit të saj edhe pas pushtimit osman të Shqipërisë. Në vitin1595, pikërisht në manastirin e Abacisë u mblodh një kuvend ndërkrahinor i cili iu drejtohet për ndihmë disa shteteve të Europës për t’u çliruar prej zgjedhës osmane. Kështu kjo trevë e Mirditës qëndroi deri afër mesit të shekullit të XII-të si një qendër e rëndësishme e lëvizjes për liri kundër pushtuesit osman.
Ndërfana e paraqitur në rrjedhat e shekujve jepet në librin e autorit Gjon Marku, i cili mban të njëjtin titull jo vetëm si një pjesë e trevës së Mirditës, por dhe me lidhjet e saj ndërkrahinore dhe ndërkombëtare.
Nëpër faqet e kësaj monografie lexuesi nuk njihet vetëm me historinë e lashtë e të lavdishme të kësaj trevë të rëndësishme të Mirditës por kryesisht me kulturën popullore shumë interesante dhe sidomos me doket dhe zakonet e saj.