Të nderuar miq, ish të burgosur politikë, familjarë e të afërm!
I nderuar zoti Nebil, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve politikë,
Të nderuar zotërinj të Shoqatës Muzeu i Burgut të Spaçit,
Jemi këtu në kryqëzimin e rrugës për Spaç, e cila prej vitesh meritonte t’i vihej një emër i denjë dhe simbolizues si rrallë rruge në Shqipëri. Që prej vitit 1968, kur dhe u ngrit burgu kamp-minierë i Spaçit, ku lanë rininë dhe jetën e tyre mijëra burra të pafajshëm të këtij vendi nën një regjim shtypës brutal siç ishte regjimi komunist në Shqipëri, nëpër këtë rrugë kanë kaluar mijëra e mijëra dhimbje njerëzore.

Kësaj rruge ka kaluar mundi dhe sakrifica e atyre mijëra ish të burgosurve politikë që punonin tre turne në zgafellat e minierës, duke nxjerrë mineral bakri e piriti që do i shërbente vendit, jo në mënyrë normale si për çdo vend demokratik, por si një “gur i stërmadh i Sifizifit” që mbartej në kurrizin e plagosur të mijëra burrave të dënuar nëpër birucat e Spaçit, një nga kampet më famëkeq në gjithë Europën e Lindjes.

Por kjo rrugë mbart në vetvete dhe një kujtim tjetër po aq tragjik e më shumë. Kësaj rruge kaluan nënat, motrat shamizeza, familjarë të ardhur nga Jugu apo krahina të ndryshme të Veriut për të takuar të dashurit dhe të afërmit e tyre në burgun minierë. Kjo është një histori më vete. Një histori Gulaku njerëzor, që rrallë të ketë të dytë në botë.
Në dimrin e acartë, ku akulli shtrihej përgjatë 7 kilometrave deri tek dera e Kampit, apo në verën e mbushur me pluhur, squfur e pirit, familjet e ish të dënuarve politikë, kalonin një kalvar të papërshkruar dot si duhet, sado të flasim e shkruajmë. Çdo familje, çdo prind, fëmijë, motër a vella, nënë a baba i një të dënuari, ka historinë e vet sa një roman pikërisht kur vinte puna për të marrë rrugën drejt Spaçit.
Ka patur një axhensi udhëtimesh dikund këtu afër, aty ku me orë të tëra banorët e këtyre anëve prisnin makina për të lëvizur poshtë në drejtim të Rrëshenit a më poshtë. Por, nga ana tjetër, kush vinte deri këtu nga Shpali në makinë, nga familjet e ish të dënuarve, ishte me fat, ndërsa prej këtu rruga për tek ish burgu merrej në këmbë, sepse shoferët nuk guxonin të mbanin mbi karrocerinë e mbushur me pluhur minerali, familjet e të burgosurve politikë. Ndaj prej këtu me torba në shpinë, ata detyroheshin që këtë rrugë ferri ta merrnin në këmbë për orë të tëra. Dhe të njëtën gjë ta bënin në kthim, jo vetëm deri këtu, por dhe 5 kilometra të tjera deri në Shpal. Jo pak herë nata i zinte në rrugë dhe kjo ishte tragjedi tjetër çnjerëzore pasi as kishte hotel në këto anë, e as guxonte njeri t’i merrte nëpër shtëpi.

Në kujtim të këtyre sakrificave, dhimbjeve dhe vuajtjeve, që dhe brezat të mos i harrojnë ato që kanë kaluar të parët e tyre, me propozim të shoqatës Muzeu i Burgut të Spacit, këshilli i bashkisë Mirditë ka vendosur t’i vërë emrin “Rruga e Mundimeve”.
Brezat që do të kalojnë këtyre anëve në drejtim të ish burgut, sot Muze, kanë mundësinë që, duke filluar prej kësaj tabele emërtuese, ta përjetojnë historinë e trishtë të atyre viteve deri tek kampi-minierë, pasi të dy këto komponentë muzealë nuk do mund të kuptoheshin të plotë pa njëri-tjetrën.
Le të kujtojmë sot edhe 48 vjetorin e Revoltës së Spaçit dhe të lutemi për shpirtërat e të pushkatuarve të asaj revolte antikomuniste si dhe të ish-burgosurve të tjerë, që u ridënuan dhe maltrajtuan në burgun famëkeq vetëm se ngritën flamurin kuq e zi pa yllin komunist në të dhe aspiruan një Shqipëri demokratike si gjithë vendet demokratike të Europës.