HISTORIA POETIKE E GJUHËS SONË MARTIRE*
“Gjithmonë, antologjia paraqet fytyrën e dyfishtë të së tepërtës dhe të së paplotës”
Jacques Imbert
Tashmë, është një fakt i njohur dhe domethënës që në vendin tonë janë krijuar e po krijohen antologji poetike, si një prirje drejt sistemimit të vlerave më të mira dhe shkallëzimit të tyre. Duke ua lënë të tjerëve analizën e kësaj prirjeje, dëshiroj të theksoj se prej shumë kohësh më kishte bërë përshtypje mungesa e një antologjie kushtuar gjuhës mëmë, “gjuhës martire”, siç thotë I. Kadare, gjuhës shqipe, themelit të kombit, thesarit të kulturës kombëtare dhe shenjës më dalluese të kombësisë, ndërkohë që nuk mungonin ato për Partinë (e Punës), për ushtrinë, gruan…
“Gjuha e zjarrtë…” – Pesë shekuj poezi, Njëqind poetë – është fryt i një pune shumëvjeçare e me dashuri për hulumtimin, përzgjedhjen dhe përgatitjen e kësaj antologjie me poezinë më cilësore që poetët shqiptarë i kanë kushtuar gjuhës shqipe. Vecoria më dalluese është se në këtë antologji tematike janë përfshirë autorë, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora, pra është mbarëkombëtare dhe, së dyti, është ndjekur kriteri kronologjik.
Antologjia poetike “Gjuha e zjarrtë…” në njëfarë mënyre është një biografi, është historia poetike e gjuhës sonë martire, aty janë protagonistët kryesorë të saj, që në altar të atdheut si apostuj rrinë, që siç thotë poeti “shqiponjat ia gdhendin profilin në shkrepa/Emrin ia shkruajnë në trungje ulliri”; aty do të gjesh rrënjët dhe kronikën e shqetësimeve të shqiptarëve të mëdhenj, mes të cilëve do të veçoja ata që na vijnë si postulate biblike nga thellësia e shekujve, herë si themele, herë si amanete të gjithëkohshme:“Un të pagëzonj pr emënit Atit e t’Birit e t’Shpirtit shenjt” (Qarkore kishave për t’i pagëzuar fëmijët me këtë formulë në gjuhën shqipe, nga kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, mik e bashkëpunëtor i Skënderbeut). “Unë Gjon Buzuku, tue mos gjetë nga shkrimet e shenjtë kurrgja në gjuhën teme, i shtymë nga dëshira për atdhe temin u mundova… e veprën teme e mbarova me 5 kallnuer 1555”. (Meshari” i Gjon Buzukut, 1555).“Zoti nuk i ndigjon uratët e atyne që luten në gjuhë të huaj për pa kuptue vështrimin e fjalës që thotë” (Pjetër Budi “Doktrinë e Krishterë”).“…me ndihmuom gluhen tanë që po bdardhet e po bastardohet sa ma parë të ve“(Frang Bardhi, parathënia e fjalorit të parë latinisht – shqip).
Dhe, padyshim, si në çdo zanafillë, kryet e vendit e zënë poetët pararendës që nga fillimet e Rilindjes sonë Kombëtare, në krijimtarinë e të cilëve çështja e gjuhës shqipe ka qenë një ndër shqetësimet parësore të tyre, për të ardhur deri në ditët tona, kur, edhe në fillim të mijëvjeçarit të tretë, te poetët vëren shqetësimin për riciklimin e travajeve të hershme të gjuhës sonë, ata u bien këmbanave të alarmit që gjuha jonë “po bdardhet e po bastardohet”, se sulmet ndaj saj ende vazhdojnë e, megjithatë ajo si amebë rilind e rilind, se sërish është shfaqur drama e madhe e malldjegies për të folur shqipen, se refreni i ditës së emigrantit është “Buongiorno”,”Ciao”,”Salve” dhe përshëndetja “Mirëmëngjes” dhe “Si ke gdhirë” tashmë janë kthyer ta huaja… Në dhjetëra poezi dedikative evokohen disa nga protagonistët më të shquar të gjuhës shqipe si Buzuku, Bogdani, Budi, Bardhi, Naim Frashëri, Leonardo de Martino, Konstandin Kristoforidhi, Jeronim De Rada, Fan Noli, Eqrem Çabej, Petro Nini Luarasi etj. çka është një monument tjetër që u ngrihet për veprën e tyre të pavdekshme e, në të njëjtën kohë një homazh për kontributin e tyre të madh në themelet e kombit tonë.
“Gjuha e zjarrtë…” do të ishte veç të tjerash, dhe një “album poetik”, i vlefshëm për mbarë lexuesit, nxënësit, studentët e qytetarët, të cilët do të shihnin në të rrugën e mundimshme të përshkruar dhe travajet e gjuhës shqipe në shekuj e deri në ditët tona, ajo është si një enciklopedi prej nga burojnë mesazhe aktuale atdhetare e kulturore… Në këto kontekste, jam vërtet i kënaqur për kurorëzimin e punës time dhe jam i lumtur, që si autor i kësaj antologjie, ndoshta, mund të kem vënë një themel. Të tjerë, me siguri, që do ta vazhdojnë më mirë këtë punë, jo përmes copy-past-eve (sic bëri një botues kohët e fundit, ende i pandëshkuar), e cila ka patur si inspirim thënien e njohur “Më mirë një punë e kryer, se sa njëqind e në mendje”.
Secila nga antologjitë që kam botuar deri më sot si “45 poetë për Lezhën” (1996), “Baladë për Fran Ivanaj” (2000) dhe “Pas Migjenit” (2001), si akte në biografinë time krijuese, më kanë dhënë kënaqësi, por antologjia e gjuhës shqipe më ka dhënë një kënaqësi të veçantë edhe pse mbështetja nga dhjetra e dhjetra autorë, të cilët janë treguar të gatshëm të më ofrojnë krijimtarinë e tyre, të botuar ose jo, ka qenë e madhe. E ndjej për detyrë të theksoj se thjesht për arsye jashtëletrare, një pjesë jo e vogël e kësaj krijimtarie kushtuar gjuhës shqipe në këtë botim po mbetet jashtë, me besim se në një botim të dytë, do të kemi një antologji edhe më të plotë për “Gjuhën e zjarrtë”, në të cilën, natyrisht, do të përfshihen edhe ato poezia më e arrirë e atyre autorëve, të cilët thjesht për mungesë informacioni të plotë mund të mos gjenden në këtë botim. Me të drejtë është thënë se “Gjithmonë, antologjia paraqet fytyrën e dyfishtë të së tepërtës dhe të së paplotës”(Jacques Imbert)
Në mbyllje të kësaj pasthënie, do të ishte e udhës të përshëndesja të gjithë ata që në mënyra të ndryshme mbështetën botimin e kësaj “Historie poetike të gjuhës shqipe”, por në pamundësi t’i apeloj të gjithë do të veçoja shokun tim të kahershëm, poetin e talentuar Visar Zhiti, i cili iu përgjigj ftesës time dhe shkroi një POEMË të re për gjuhën shqipe, do të thosha, të titulluar “Frymë(zi)me nga (zj)ar(r)i i gj-uh-ës” të cilën nuk e rendita së bashku me krijimtarinë e tij poetike, por e vura si parathënie të kësaj (dh)urate që po i bëjmë gjuhës shqipe.
Tiranë, nëntor 2003