NJË ËNDËRR NË GJI.
Bie nga legjendat e humnerave zgjohem,
ngjitur shekujsh e kacavjerrur ngatërruar,
stuhishëm portës hapur i afrohem,
mund e dëshirë një amanet i bekuar!
Një fjalë isha dje,por ndezur si pishtar,
kokëvarur marshova pa gjetur një përgjigje,
të buzëqesh në këtë rrugë, pa të shkoj në varr,
t’ia shijoj vendit tim, çdo aromë pishe.
I çmuar shpërtheu lajmi bërë bujë,
për veprën e argjendtë,xixëllon përkushtimi,
duartrokit magjiplotë si perëndi e jo statujë,
dhe terri i natës të verbohet nga ndriçimi.
Sikur nektar i mbledhur,sot loti im i gëzimit,
në malet e thepisura me ballin të djersitur,
më përqafon vargmalesh ura e bashkimit,
u tregon shkëmbinjve,gjurmët pabraktisur.
Më tregoi dhe mua, për ofshamën e stërgjyshit,
një copë bukë në torbë dhe ëndrrën në gji,
për flakën e syve,për hundësh shkundur shpirti,
sa mall e lot këmbëkryq,e sa shpella histori.
Udhë e mbarë,e qeshur në sytë e çdo njeriu,
si fanar për gryke të rrin varur gur i arit,
emër e besë zemrash,nga i vjetri te i riu,
akrepat e orës i ndryshon veç Rrugë e Arbrit….
…&.”Kujtime dhe mbresa nga ekskursioni me kolektivin prane Urës se Vashës”…
DHEUT TIM…
O dheu im i melodisë së shpirtit,i aromës së luleve,
distanca e zërit tënd më përplaset shtigjeve,
ritet tua si trena të ndalur në dyert e huqeve,
era të fërshëllen e hapet krahësh shkëmbinjve.
Ti baltë e ngrohtë më ndjen e pickon nën këmbë,
ëndrrën ke të lyer me ajkën e gurit të shitur,
hijeve të ditës sodit krenaria e më peshon rëndë,
si ortek i ftohtë,rrënjët grumbull më janë thinjur.
Në gjirin tënd të murgët lëkurën e kam fshehur,
tërkuzën ngatërruar, shekujt s’ma kanë kalbur,
çdo lëvizje në qelizë supeve mbështetur,
krisur degësh,syrgjynosur,fjalët më rrinë kapur.
Unë prap asgjë nuk lëviz nga hiret e tua,
sikur fryma e përrenjve kurmit tënd rri zvarritur,
rri varur kaçubesh, brinjë, duar e thua,
të jam ulur në gjunjë dhe pa gojë të jam përgjigjur.
Jo ndryshe nga dje,hienat bredhin e zhurmojnë,
të krehën me gjuhë helmi,të zhveshën , të vodhën,
tê huajt zgjasin krahun, gishtërinjtë t’i shkurtojnë,
kopshtet bosh mbetur,trëndafilat ku u mbollën?
O dhé i ëmbël dashuri,mëmëdhé gjaku im,
mjegullash përhumbur,të mbështillem e zbehtë,
në akrepat e jetës,më rrin zgjuar një vegim,
si të ta ndris fytyrën e të qeshem e vërtetë.
PUSHO MALL…
Pusho pakëz o mall…
ti fluturon nëpër shpirtra larg nga mot,
larg mbi dete,
nën qerpikët e reve,
marrosur, mbushur, syrgjynosur,
me ankth e me lot.
Pusho i bardhë në malet e përhimta,
ku zëri është i freskët,por i ngjirur,
është aromë piklash e dritash të imëta,
është erë që fshihet nëpër xhepat e kodrave,
e shalon dremitur.
Pusho njëherë o mall…
në mos mundsh vetë si kaltërsi,
nga këtu do kaptoj pendime,
zhurmë, dhimbje,
baltën e këmbës dhe llumin e zi,
do t’i ruaj,do më duhen si kujtime.
Zbrit mall në shtigjet e të vdekurve,
kërce mbi lumë,mbi oqean,
i vetmi puls që nuk qeshet,
por ndrydhet e shtypet,
kërrusur pritjes si kafshatë që s’përtypet,
në të dëshpëruarin sy që qan.
Ti malli im…
ti derdhesh ngahera gjithkund,
e psherëtin kur ka muzg,
nën pemë, nën gurë,nën gjuhë,
e sërish flet padukshëm gjer në pafundësi,
në ëndër më loz, të përkund,
dhe ajri,dhe fjala,dhe zemra vishet gri,
dhe vargu në lirikë lot pa melodi.