Jahja Lluka

KOSOVA NGA “NAÇERTANIE”
DERI TE PAVARËSIA (1844–2008)
PROJEKTI I ILIA GRASHANINIT
PËR DËBIMIN DHE PËR ZHDUKJEN E SHQIPTARËVE
Ilia Garashanini është ideatori themeltar i nacionalizmit serb. Garashanini u bë ministër i princit të ri serb, Aleksandar Karagjorgjeviq, i cili e zëvendësoi Mihajl Obrenoviqin. Karagjorgjeviqi i krijoi hapësirë Garashaninit për zhvillimin e projektit politik për Serbinë e Madhe. Garashanini, në mënyrë të fshehtë, ia dërgoi projektin e vet Karagjorgjeviqit, i cili e përkrahu pa rezervë.
Garashanini, me “Naçertanie”, fillonte me shpartallimin e Perandorisë Osmane dhe vazhdonte me shkatërrimin e Austro-Hungarisë, të cilën e konsideronte armike të përhershme dhe shumë më të rrezikshme se sa Perandorinë Osmane.
Garashanini shkoi edhe më larg dhe vizatoi edhe hartën territoriale në të cilën duhej të shtrihej Serbia e Madhe.
Interes parësor i Garashaninit ishin tokat nën sundimin osman, e që kishin sadopak popullsi serbe. Për të, Shqipëria ishte shumë e rëndësishme, sepse politika për Serbinë e Madhe kishte nevojë për dalje në det. Kjo i duhej për të pasur mundësi të papenguar për tregti të pakufizuar me Austro-Hungarinë.
Në atë kohë, Serbia, e kishte pas vetes “nënën Rusi” dhe kjo ndikonte shumë në politikat e saj. Por, Garashanini nuk dëshironte që të gjitha të jenë në duar të Rusisë, prandaj nxiste bashkëpunim edhe me shtete të tjera që kishin peshë, siç ishte Franca.
Shumë shpejt, “Naçertanie” u bë platformë politike e nacionalizmit serb. Me ardhjen në pushtet të Partisë Radikale Serbe, të drejtuar nga Nikolla Pashiqi, ajo e pranoi “Naçertanien” e Grashaninit si program politik bazë për Monarkinë Serbe.
Që nga ardhja e Nikolla Pashiqit në pushtet, në vitin 1878, e deri në fund të pushtetit të tij, më 1903, ai i qëndroi besnik akademikut Garashanin dhe mësimeve nga “Naçertanie”.
Si rezultat i politikës së udhëhequr nga Pashiqi dhe duke u bazuar në projektin e Grashaninit, si dhe si rezultat i agresivitetit të kësaj politike gjatë luftërave ballkanike, Serbia arriti të përmbushë mbi 80 për qind të hartës së skicuar nga Garashanini më 1843, një hartë kjo e bazuar në ekspansionin territorial, në spastrime etnike dhe në kolonizim të dhunshëm, me pasoja për shumë popuj.
Ndër popujt që e pësoi më së shumti nga platforma politike “Naçertanie”, është populli shqiptar. Shqipëria dhe shqiptarët në këtë kohë përballeshin me themelimin e shtetit të pavarur. Ndërkohë, Serbia vepronte kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Pas pushtimit të Kosovës, në vitin 1912, Serbia e ndau Kosovën në pesë distrikte, ndërsa Peja, Deçani, Istogu dhe një pjesë e Drenicës mbeten nën pushtimin e Malit të Zi.
Serbia dhe Mali i Zi, në këtë periudhë, bënë shumë krime, akte gjenocidi, spastrime etnike dhe konvertime të detyruara fetare. Të gjitha këto veprime u bënë për t’u krijuar mundësi kolonëve serbë që të kenë vend në trojet shqiptare.
Për këtë, Serbia, në shkurt të vitit 1914, miratoi Dekretligjin për Reformë Agrare dhe Kolonizim.
“NAÇERTANIE”, 1844
“Serbia, edhe në këtë pikëpamje, detyrohet të zërë vend në radhën e shteteve të tjera evropiane, duke krijuar një plan për të ardhmen a saj, ose, të thuash, të hartojë për vete një politikë autoktone, sipas të cilave parime kryesore Serbia duhet të udhëhiqet vazhdimisht për një kohë më të gjatë dhe, sipas tyre, t’i drejtojë qëndrueshëm të gjitha punët e veta.
Lëvizja në mesin e sllavëve tashmë filluar dhe vërtet nuk do të ndalet kurrë. Serbia detyrohet që këtë lëvizje ta njohë shumë mirë.
Nëse Serbia llogarit mirë se çfarë është ajo sot, në ç’pozitë gjendet dhe ç’popuj e rrethojnë atë, atëherë ajo duhet të bindet për faktin se ajo ishte e vogël, se në këtë gjendje nuk guxon të mbetet dhe se ajo vetëm në bashkimin me popujt tjerë që e rrethojnë, patjetër detyrohet për të arritur të ardhmen e e vet.
Nga kjo njohuri rrjedhë vija dhe themeli i politikës serbe, se ajo nuk është e kufizuar në kufijtë e saj të tanishëm, por ka tendencë për t’i përfshirë të gjitha kombet serbe që janë përreth.
Në qoftë se Serbia nuk e ndjekë fuqishëm këtë politikë, e, çka është edhe më keq, nëse atë e hedhë dhe nuk harton një plan të shkoqitur mirë për këtë detyrë, atëherë ajo, si një anije e vogël, do të hedhet andej-këndej nga stuhitë perëndimore dhe, më në fund, do të hasë në një shkëmb në të cilin do të shkatërrohet plotësisht.
Ajo që po dëshirojmë e provojmë të bëjmë këtu, është që të kontribuojmë e të përgatisim diçka për këtë plan, në pajtim me natyrën e politikës serbe.
Politika e Serbisë
Perandoria Osmane duhet të shthuret e kjo shthurje mund të ndodhë vetëm në dy mënyra:
1) kjo perandori ose do të ndahet, ose
2) ajo do të ndërtohet përsëri nga banorët e saj të krishterë.
Vërejtjet për ndarjen e perandorisë
Në lidhje me këtë rast, nuk do të flasim gjerë e gjatë, por duhet të vërejmë se në këtë ngjarje Rusia dhe Austria kishin për të luajtur rolet kryesore, për shkak se ato janë forca fqinje dhe në kufi me njëra-tjetrën.
Këto dy fuqi do të mund të merreshin vesh lehtë e të pajtoheshin se cilat vende dhe rajone do t’i përkisnin secilës. Austria mund të synojë vetë zotërimin e vendeve perëndimore, kurse Rusia për të pushtuar vendet lindore. Dhe, nga kjo, mund të jetë që një vijë e drejtë e tërhequr nga Vidini deri të Selaniku, do të mund të ishte zgjidhje në mënyrë të pranueshme, duke i kënaqur të dyja palët. Kështu, pra, në rastin e ndarjes, të gjithë serbët do t’i takonin vetëm Austrisë. Austria dhe Rusia e dinë fare mirë se Perandoria Turke, si e tillë, nuk do të ketë një të ardhme të gjatë. Të dy shtetet po e shfrytëzojnë këtë rrethanë që sa më shpejt të jetë e mundur t’i zgjerojnë kufijtë e tyre. Ato të dyja po veprojnë gjithsesi në këtë drejtim, që të ndalin e të pengojnë që në vend të Perandorisë Osmane të lindet një perandori e dytë e krishterë; sepse me atë rast për Rusinë do të zhdukej shpresa e bukur dhe gjasa e këndshme që të marrë dhe të mbajë Stambollin, që ishte plani i saj më i dashur që nga Pjetri i Madh; ndërsa për Austrinë nga kjo do të lindte rreziku kërcënues për humbjen e sllavëve të saj të Jugut.
Austria, prandaj, duhet nën të gjitha kushtet të detyrohet të jetë pa ndërprerje armik i shtetit serb; pra, marrëveshja dhe pajtimi me Austrinë, për serbët është një pamundësi politike; sepse ajo me këtë do t’i vinte vetvetes litarin në qafë. Vetëm Austria dhe Rusia mund të punojnë për rënien dhe për ndarjen brenda Perandorisë Turke. Ato kujdesen për këtë punë. Këtë gjendje, Rusia që shumë vjet po e ndreqë dhe po e përgatitë. Austria nuk mund të jetë ndryshe, por edhe ajo detyrohet të ndihmojë dhe të shikojë për vete, ashtu siç ka vepruar edhe me rastin e ndarjes së Polonisë. Është e natyrshme që të gjitha fuqitë tjera, nën udhëheqjen e Francës dhe të Anglisë, t’i kundërvihen zgjerimit dhe rritjes së Rusisë e të Austrisë. Ato, ndoshta, do ta konsiderojnë si mjetin më të mirë, me të cilin kjo ndarje do të mund të pengohet, që Perandoria Turke të shndërrohet në një shtetit të ri të pavarur të krishterë, sepse në këtë mënyrë vendi i zbrazët pas shkatërrimit të Turqisë do të plotësohej dhe vetëm në këtë mënyrë do të mund të ruhej në tërësi baraspesha evropiane. Pos kësaj, tjetër ndihmë nuk ka.
Shteti serb, i cili tanimë ka filluar fatlumësisht, por i cili doemos duhet të zgjerohet dhe të forcohet, ka bazën e vet dhe themelin e fortë në Perandorinë Serbe të shekujve XIII dhe XIV dhe historinë e pasur e të lavdishme serbe. Sipas kësaj historie, dihet se mbretërit serbë kishin filluar t’i presin turrin Perandorisë Greke dhe gati asaj do t’i jepnin fund dhe kështu në vend të Perandorisë Lindore Romake do të vendosnin Perandorinë Serbo-Sllave, dhe këtë do ta kompensonin. Car Dushani i fuqishëm, tashmë, ka pranuar stemën e Perandorisë Greke. Ardhja e turqve e ndërpreu këtë ndryshim dhe e pengoi këtë punë për një kohë të gjatë, por tani, meqë forca e Turqisë thuajse është thyer e asgjësuar, lypset të fillojë të veprojë e njëjta frymë, të kërkohen sërish të drejtat vetjake dhe puna e ndërprerë të vazhdohet sërish.
Këtë themel dhe këto baza të ndërtimit të Perandorisë Serbe, pra, duhet tani nga këto rrënoja dhe mbushje të pastrohen e të lirohen gjithnjë e më tepër, të nxirren në dritë dhe kështu mbi fondamentin e fortë e të përhershëm historik të ndërmerret e të vazhdohet sërish ndërtimi i ri. Nëpërmjet kësaj, kjo ndërmarrje në sytë e të gjithë popujve dhe të vetë kabineteve, do të fitonte një rëndësi që s’do të mund të tregohej me fjalë dhe do të fitonte një vlerë të lartë; sepse pastaj ne serbët do të dalim para botës si trashëgimtarët e vërtetë të etërve tanë të mëdhenj, të cilët nuk po bëjnë asgjë të re, pos që që po e ripërtërijnë trashëgiminë e stërgjyshërve të tyre. Pra, e tanishmja jonë nuk do të ketë lidhshmëri me të kaluarën, porse ajo do të përbëjë një tërësi të varur, një tërësi integrale dhe të strukturuar, dhe prandaj serbizmi, kombi i tij dhe jeta e tij shtetërore qëndron nën mbrojtjen e të drejtës së shenjtë historike. Synimit tonë nuk mund t’i vishet se kjo është diçka e re, e pabazë, se ky është një revolucion dhe përmbysje, por çdokush doemos duhet të pranojë se kjo gjë është politikisht e nevojshme, se është themeluar që në kohët e stërlashta dhe se rrënjët i ka në jetën e kamotshme shtetrore dhe popullore të serbëve, rrënjë të cilat vetëm po rrisin degë të reja dhe po fillojnë të lulëzojnë sërish.
Po qe se rilindja e re e Perandorisë Serbe shikohet nga ky këndvështrim, atëherë dhe sllavët e tjerë të jugut këtë ide do ta kuptojnë shumë lehtë dhe me gëzim, sepse në asnjë vend evropian nuk jeton aq fort kujtimi i së kaluarës historike në popull, si te sllavët e Turqisë, te të cilet po përmenden gjallërisht dhe me besnikëri gati të gjithë burrat dhe ngjarjet e lavdishme të historisë së tyre, madje edhe sot.
Dhe, për këtë, mund të llogaritet me siguri se kjo punë do të pranohet me kënaqësi te populli dhe nuk janë të nevojshme veprimet me dhjetra vjet në popull, që ai të mund ta kuptojë vetëm dobinë dhe përfitimin e vetëqeverisjes.
Ndër të gjithë sllavët e Turqisë, të parët janë serbët që me fuqi dhe mjete vetjake luftuan për lirinë e tyre; rrjedhimisht, ata kanë të drejtën e parë dhe me lot madje, që ta drejtojnë këtë punë. Qysh tani, në shumë vende, si dhe në disa kabinete, po e parashohin dhe parandjejnë këtë gjë: se serbët se shpejti do të kenë një të ardhme të madhe dhe kjo është ajo që ia ka tërhequr vëmendjen tërë Evropës ndaj Serbisë. Sikur ne të mos mendonim më përtej, por vetëm për principatë, siç është sot, dhe sikur në këtë principatë të mos qëndronte embrioni i perandorisë së ardhshme serbe, kjo nuk e bën botën gjithnjë e më të interesuar për Serbinë se sa për principatat e Moldavisë dhe të Vllahisë, në të cilat nuk ekziston parim i pavarur i jetës dhe të cilat pra konsiderohen vetëm vegëza të Rusisë.
Shteti i ri serb, në jug të Evropës, do t’i ofronte të gjitha garancitë se do të jetë një shtet i vlefshëm e i fuqishëm, dhe i cili do të mund të qëndronte ndërmjet Austrisë dhe Rusisë. Pozita gjeografike e vendit, sipërfaqja e tij tokësore, pasuria për nga prodhimet natyrore dhe fryma ushtarake e popullatës, ndjenja e mëtutjeshme e lartë dhe e zjarrtë kombëtare, prejardhja e njëjtë, gjuha e njëjtë – të gjitha këto tregojnë për vazhdimësinë e tij dhe për një të ardhme të madhe.
Për mjetet me të cilat do të mund të arrihej qëllimi serb
Kur me vendosmëri dihet se çka dëshirohet dhe kur vazhdimisht dhe fuqimisht diçka dëshirohet, atëherë mjetet për arritjen e qëllimit që i nevojitet një qeverie të aftë, do të gjenden edhe lehtë, edhe shpejt, sepse populli serb është aq i mirë sa që me të mund të arrihet, por në mënyrë të arsyeshme, çdo gjë.
Mjetet hyrëse
Që të mund të përcaktohet se çka mund të bëhet dhe si ka për t’u vepruar gjatë punës, qeveria detyrohet të dijë se në ç’pozitë e gjendje janë popujt e provincave të ndryshme që e rrethojnë Serbinë. Ky është kushti kryesor i përcaktimit të saktë të mjeteve. Për këtë qëllim, para së gjithash, lipset dërguar si hulumtues të gjendjes së këtyre popujve dhe vendeve, njerëz mendjemprehtë, të panënshtruar kompromiseve e paragjykimeve dhe besnikë ndaj qeverisë, dhe këta pas kthimit të tyre do të detyroheshin të jepnin me shkrim raport të saktë se si qëndron puna. Duhet të merren informata, veçanërisht, për Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë e Veriut. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme që me saktësi të njihet edhe gjendja e saktë e Sllavonisë, e Kroacisë dhe e Dalmacisë, dhe është e kuptueshme që këto përfshijnë popujt e Sremit, të Banatit dhe të Baçkës.
Këtyre agjentëve është e domosdoshme t’u jepen udhëzime se në ç’mënyrë do t’i vizitojnë këto vende dhe si do të udhëtojnë nëpër to. Ndër të tjera, duhet t’u shënohet se cilat vende dhe cilët persona duhet t’i njohin e t’i vështrojnë veçanërisht. Përveç instruksioneve materiale, këtyre duhet dhënë një instruksion i përgjithshëm, kryesor, në të cilin do të figurojnë pikat pasuese të përcaktuara, të cilat këta hulumtues detyrohen t’i përmbushin.
1. Do të vështrojnë gjendjen politike të vendit, veçanërisht të partive ekzistuese brenda tij; do të mbledhin shënime, sipas të cilave populli mund të njihet më mirë, si dhe ndjenjat e zemrës së tij, pra dëshirat sekrete të tij të mund të mësohen; por, para së gjithash, do të shënojnë atë që është e ditur dhe tanimë e thënë botërisht, e që duhet të konsiderohet nevojë e popullit.
2. Lipset kujdes sidomos për gjendjen ushtarake të popullit e vendit: siç janë fryma luftarake, armatimi i popullit; pastaj numri dhe disponimi i ushtrisë së rregullt; ku gjenden depot dhe arsenali i luftës; në ç’vend prodhohen gjërat për nevoja të luftës, siç janë municioni dhe armët, ose prej nga merren dhe importohen në vend etj.
3. Do të përpilojnë përshkrimin ose karakteristikën si dhe listën e burrave që kanë ndikimin më të rëndësishëm dhe më të madh, duke mos përjashtuar prej saj ata të cilët do të jenë kundërshtarë të Serbisë.
4. Ç’mendohet në provinca të ndryshme për Serbinë, ç’pret populli prej Serbisë, dhe ç’dëshirojnë njerëzit nga ajo dhe për çka frikësohen prej saj. Natyrisht, këtij udhëzimi, doemos, duhet shtuar edhe atë se çka guxon e mundet secili i dërguar të tregojë e të kumtojë tani për tani për politikën serbe; cilat dhe çfarë shpresa guxon të zgjojë dhe në çka duhet ta përqendrojë kujdesin dhe vëmendjen, sidomos të miqve të atjeshëm të Serbisë.
Së pari t’i shënojmë marrëdhëniet tona ndaj Bullgarisë
Ndër të gjitha vendet sllave, Bullgaria gjendet më e afërt me qytetin e lavdishëm të Perandorisë Turke; pjesa më e madhe e këtij vendi është e afrueshme lehtë; këtu gjenden pozicionet më të rëndësishme ushtarake të turqve dhe gjysma më e madhe e eushtrisë së tyre. Në asnjë vend tjetër evropian nuk konsiderohet se turku është aq i sigurt e edhe tani zotërues si në këtë; përveç kësaj, bullgarët gati nga të gjitha armët janë të privuar dhe tashmë kanë mësuar të dëgjojnë e të punojnë, bindja dhe puna janë bërë zakon për ta. Por, këto vërejtje nuk duhet të na pengojnë që vlerën e mirëfilltë të bullgarëve të mos e mësojmë, të mos e njohim, ose, edhe më keq, ta përbuzim. Fatkeqësisht, është e vërtetë se bullgarët janë dega me madhe e popullit sllav në Turqi, ata gati kurrfarë besimi nuk kanë në forcat e veta, por vetëm me nxitjen e huaj që vjen nga vende të huaja (nga Rusia) ata marrin guxim te lëshohen në përpjekje e tentime për t’u çliruar. Ata gjithmonë e konsiderojnë Rusinë si një fuqi e cila për shpëtimin dhe çlirimin e tyre mundet dhe dëshiron të bëjë më së shumti. Përveç asaj që Rusia do t’i bënte për vete dhe bullgarëve, në vend të zgjedhës turke do t’ua vinte zgjedhën e vet edhe më të ashpër, ajo përndryshe, sikur se është treguar, nuk guxon drejtpërdrejt me ushtrinë e vet t’u shkojë në ndihmë bullgarëve, sepse Evropa tanimë e ka njohur natyrën e mirëfilltë të atyre synimeve, gjoja bujare, të rusëve, përkitazi me Turqinë dhe, në të vërtetë, do të shkaktohej një luftë e posaçme evropiane, po që se Rusia edhe një herë do të kalonte përtej Danubit. Për këtë shkak, Rusia kujdeset që, me ndërmjetësimin e të tjerëve, të veprojë dhe të shkaktojë atë që vetë nuk mund ta bëjë drejtpërdrejt. Kështu, në këtë punë, princi Mihajllo ka qenë vegël e tyre e verbër dhe ajo me të vërtetë do të dëshironte t’i kthehej atij plani, të cilin kishte filluar ta zbatonte në vepër me ndërmjetësimin e princit Mihajllo.
Por, meqë qeveria e princit Aleksandar nuk gëzonte besimin e Rusisë, sepse ajo nuk lejonte të përdorej si mjet i verbër, atëherë shihet se Rusia është ë e detyruar të veprojë për përmbysjen e qeverisë së tanishme, që pas rrëzimit të saj të mund të formojë një qeveri për planet e saj.
Të gjitha përpjekjet për ta mashtruar Rusinë dhe për ta bindur atë se qeveria e tanishme do të ndjekë planet e saj, do të ishin plotësisht të pasuksesshme. Kur vetë Rusia të vërejë se në Serbi po thellohet fryma popullore e pavarësisë, atëherë ajo nuk do t’u besojë kurrfarë propozimeve që do të bëheshin; sepse Rusia është shumë më dinake se sa të ngatërrohet në një kurth që është në kundërshtim me interesat e saj. Për më tepër, edhe më tej mund të mendohet që Rusia tërë synimet e Serbisë për hyrë në një Aleancë më të ngushtë dhe në një marrëveshje me sllavët e tjerë të Turqisë, sikur vetëm t’i zbulonte e mësonte, do t’i përdorte vetëm për atë që këta njerëz të cilët këtë do ta drejtonin nga Turqia, Austria dhe qeveritë e tjera t’i tradhtojë që nëpërmjet kësaj të mund ta bindë Evropën se ajo nuk ishte Rusia, por është Serbia komplotiste që Rusinë e kundërshton dhe e cila po i ndihmon synimet e këtilla pëmbysëse. Mirëpo, edhe përkundër të gjitha këtyre, Rusia me ëndje do të njoftohej, do të informohej, për këto marrëveshje që, në këtë mënyrë, të mund ta njihte gjurmën dhe rrjedhën e tyre dhe këto pak nga pak të mund t’i marrë e t’i përdorë për vete.
Dhe, sa më tepër që Serbia qeveriset pavarësisht, aq më pak besim do të ketë te Rusia dhe në qoftë se Rusisë nuk do t’i shkojë kurrsesi për dore që këtë gjendje në Serbi ta ndryshojë dhe një politikë të këtillë të pavarur të Serbisë ta zhdukë, atëherë ajo me gjasë do të përpiqet që t’i largojë nga Serbia gjithë sllavët e Turqisë. Të gjithë ata t’i përçajë ndërmjet vete dhe t’i mbajë në një mosharmoni, kurse vetëm me secilën degë veç e veç do të hyjë në marrëdhënie dhe në marrëveshje. Pra, nëse Serbia te ky ndikim nuk do të tregohej më vepruese dhe më e kujdesshme se Rusia, atëherë këtë Rusia do të mund ta tejkalonte.
Në këtë punë kërkohet kujdes nga mashtrimet. Rusia kurrë nuk do të përulet para Serbisë, dhe nëse ajo e sheh se Serbia nuk do t’i shërbejë asaj me plot besnikëri dhe pa kushte, atëherë ajo të gjitha kushtëzimet do t’i hedhë poshtë me krenari e me përbuzje. Zatën, ajo me të vërtetë edhe këshillimet e urta të diplomatëve të vet, siç është Liveni, i ka hedhur poshtë me ashpërsi, mu për atë se këta kishin propozuar vetëm një shtendosje të përkohshme; pra, a mund të mendohet se ajo do të tregohet ndaj të huajve më e prirë se sa ndaj shërbëtorëve të vet besnikë? – Por, më në fund, sikur në Serbi të mos gjendet askush që do të donte t’i dorëzohej Rusisë pa kusht dhe sikur Rusia të ishte e detyruar të punonte me ata që dëshirojnë t’i shërbejnë vetëm nën kushte të caktuara, atëherë ajo nuk do të ngurronte që edhe me këta të lidhet e të punojë, sepse ajo më në fund nuk do të mund ta linte Serbinë me të gjithë, por përderisa ajo të gjejë njerëz në Serbi që do t’i nënshtroheshin pa kusht, serbët e tillë ajo kurdoherë do t’ua kundërvë patriotëve të vërtetë.
Rusia nuk i lejon vetes që nga një shtet aq i vogël, siç është Serbia, t’i paraqiten kushte; ajo kërkon që këshillat e saj të dëgjohen pa kusht si urdhra dhe ata që dëshirojnë t’i shërbejnë asaj detyrohen edhe t’i dorëzohen plotësisht. Vërtet, herë-herë duket se ajo pranon të gjithë që t’i shërbejnë, por ajo nuk i përdor për asgjë, sepse ndonjëri sish nuk gëzon besimin e saj dhe kështu nëpërmjet kësaj mënyre të veprimit zhduket çdo rast që ajo të mund të mashtrohet.
Nëse Serbia dëshiron të dalë nga gjendja e tanishme e nënshtrimit, e tëra duhet të përpiqet që pak nga pak, duke asgjësuar forcën politike të Turqisë, ta përvetësojë atë për vete; sepse mu kjo është ajo pikë në të cilën politika serbe dhe ajo ruse bien në konflikt, meqë edhe Rusia po vepron në dobësimin e fuqisë politike të Perandorisë Turke. Por, nga kjo pajtueshmëri kurrsesi nuk del se objektivat dhe qëllimet e të dyjave janë të njëjta dhe se, sipas kësaj, politika e tyre duhet doemos të jetë në harmoni e në pajtueshmëri. Të them shkurtimisht: Serbia patjetër duhet të orvatet që nga godina e shtetit turk të heqë vetëm gur pas guri e t’i marrë nga aty që të mundet nga ky material i mirë mbi themelin e vjetër e të mirë të Perandorisë së lashtë serbe të ndërtojë sërish e të mund të ngre shtetin e ri serb. – Qysh tani, përderisa Serbia gjendet nën qeverisjen turke, është e mundur që ky ndërtim të përgatitet e të parapërgatitet, sepse punët e këtilla nuk mund të ndërmerren e të kryhen në momentin e fundit.
Këtu është folur më gjerësisht për natyrën e politikës ruse dhe serbe, e kjo mu për arsye se Bullgaria është ai vend në të cilin ndikimi rus dhe ai serb më së shumti dhe më së pari takohen domosdo.
Është folur këtu gjerësisht dhe është treguar se për ç’arsye nuk mund të pajtohen politika serbe me atë ruse; por ne themi në të njëjtën kohë edhe këtë se Serbia me askënd nuk do të mund të arrijë më lehtë qëllimin e vet, pos në pajtueshmëri me Rusinë, por kjo mund të bëhet vetëm atëherë sikur Rusia të pranonte përsosshmërisht dhe plotësisht kushtëzimin e Serbisë, e cila qëllimin e cekur më përpara d. m. th. do ta siguronte ardhmërinë e vet në pikëpamje të shtrirjes. Një aleancë ndërmjet Serbisë dhe Rusisë me të vërtetë do të ishte gjëja më e natyrshme, por që kjo të arrihet varet nga vetë Rusia, kurse Serbia duhet ta përqafojë duarhapur, por kurdoherë pasi të bindet se Rusia po propozon me gjithë zemër e sinqeritet, gjë kjo që mund të bëhet nëse ajo shmanget nga sistemi i saj i gjertanishëm, d. m. th. , nëse konsideron se është më e natyrshme aleanca natyrore me Serbinë qoftë ajo edhe e vogël, se sa më me Austrinë, për të cilën ajo po i ruan sllavët e Perëndimit. Ndonëse unë nuk shpresoj se Rusia ndonjëherë do të dojë t’i priret e t’i ofrohet sinqerisht Serbisë, prapëseprapë është e domosdoshme që kjo të përmendet këtu se çfarë dobie do të kishte për Serbinë, dhe se edhe pse është folur aq shumë kundër Rusisë, kjo nuk është bërë nga urrejtja, por nga nevoja e domosdoshme në të cilën na ka detyruar vetë Rusia me aq shumë veprime të saj.
Edhe disa fjalë për Bullgarinë dhe pastaj do të vazhdojmë. Nëse disponimin shpirtëror të popullit në Bullgari e kemi njohur mirë dhe nëse për ato mjete patriotike që ai popull posedon e kemi çmuar shumë pak, atëherë detyrohemi të themi se këtu gjenden shumë larg orvatjet më të mëdha për çlirimin e atdheut nga zgjedha turke. Dhe, sërish, Rusia synimet e veta kryesore i drejton këndej, sepse ky vend gjendet mu para portës së Konstandinopojës dhe është i vendosur në këtë rrugë; por edhe përkitazi me Serbinë, Bullgaria ka po atë pozitë e rëndësi që ka edhe për Rusinë. Po qe se Rusia vetëm disa vjet do të vepronte kështu në Bullgari, sikurse ka vepruar gjer tani dhe nëse gjatë kësaj kohe Serbia lejon që atje të veprojë Rusia, pa bërë gjë edhe Serbia, me të vërtetë, ndërkaq, do të arrijë sukses aq të madh sa që nuk do të nevojitet më aspak ndonjë ndikim serb në Bullgari. Le të jetë kjo për Serbinë shenjë dhe vërejtje dhe ajo le të mos harrojë asnjëherë se vetëm atëherë mund të presë miqësi politike nëse dashurinë tonë ndaj mikut e kemi treguar e dëshmuar qysh më përpara. Serbia detyrohet të bëjë diçka për Bullgarinë, sepse dashuria dhe ndihma domosdo duhet të jenë të ndërsjella.
Pra, pasi për Bullgarinë e sotme shënuam shkurtimisht pozitën dhe rëndësinë e madhe të saj për Serbinë dhe pasi thamë diçka për ndikimin rus që mbretëron atje, po kalojmë në atë që të përvijojmë disa mjete hyrëse për atë se si duhet ngulitur ndikimin serb në Bullgari.
1. Bullgarët nuk kanë institucione edukative dhe arsimore; së këndejmi do të duhej që Serbia t’ua hapte shkollat e veta bullgarëve dhe, sidomos, të urdhërohet që të ketë disa bursa për bullgarët e rinj në Serbi.
2. Kleri bullgar të shumtën ishte kryesisht grek, jopopullor bullgar; së këndejmi do të ishte shumë e dëshirueshme dhe e dobishme që një numër bullgarësh të rinj të kryenin shkollën teologjike në Serbi dhe si priftërinj të ktheheshin në atdheun e tyre, në mesin e popullit të tyre.
3. Do të duhej të shtypeshin në Serbi libra lutjesh (uratash) dhe libra të tjerë kishtarë, si dhe vepra bullgare; këtë mjet të rëndësishëm Rusia tash që moti po e përdor, kështu që edhe Serbia detyrohet të orvatet që në këtë t’ia tejkalojë Rusisë.
4. Nevojitet që njerëz të aftë e të besueshëm të udhëtojnë nëpër Bullgari, të cilët vëmendjen e popullit bullgar do ta tërhiqnin drejt Serbisë dhe te i cili do të zgjonin ndjenjat e tij miqësore ndaj Serbisë dhe qeverisë serbe dhe bashkë me këtë edhe shpresën ta ringjallin se Serbia më të vërtetë do t’u dalë në ndihmë bullgarëve për shpëtim dhe do të kujdeset për lumturinë e tyre.
Politika serbe për Bosnjën, Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë e Veriut
Kur marrim në shqyrtim më për së afërmi sipërfaqen dhe pozitën gjeografike të këtyre vendeve, frymën luftarake të popullatës së tyre, si dhe atë opinion dhe mënyrë të të menduarit të tyre, ne do të vijmë lehtë në mendimin se kjo është ajo pjesë e Perandorisë Turke, në të cilën Serbia do të mund të ketë ndikim më të madh. Përcaktimi dhe rregullimi i përhershëm i këtij ndikimi na duket se tani për tani (më 1844) është detyra kryesore e politikës serbe në Turqi.
1. Kur dy popuj fqinj duan të lidhin ndërmjet vetes një aleancë më të ngushtë e më të afërt, atëherë para se gjithash lipset doemos të hapet kufiri sa më mirë, për t’u lehtësuar sa më shumë e për t’u bërë sa më i gjallë komunikimi i pandërprerë. Mirëpo, Serbia është ndarë nga këta bashkëkombës në Turqi me njëfarë muri kinez dhe komunikimin e ka lejuar vetëm në shumë pak vende; ka shtëpi nëpër qytete të mëdha, të cilat mbi dyer për hyrje dhe dalje kanë (nazelinin) e Principatës së Serbisë. Së këndejmi, rojat në kufijtë tanë, vërtet, të mos pakësohen, porse që vendet e takimit, të daljes dhe të hyrjes në kufirin serb të shumohen kundruall Bosnjës. E pse jo edhe kundrejt Bullgarisë?
Përbërja e vendosur e reparteve në kohën e vet ka mundur të jetë e dobishme, por të mbahet ky sistem edhe tani do të kishte atë domethënie që Serbinë ta vetmojë e ta mbyllë, e kjo gjë është në kundërshtim të plotë me ardhmërinë dhe me përparimin e saj.
2. Duhet shkuar nga ajo që dy popuj, ortodoks lindor dhe ai rimokatolik, të merren vesh ndërmjet vete e të dakordohen për politikat kombëtare, sepse vetëm në këtë mënyrë kjo politikë mund të ketë sukses të mirë.
Është detyrë e Serbisë që bazat kryesore të kësaj politike t’ua propozojë të dy pjesëve të popujve të atjeshëm, sepse ajo në këtë punë mund të veprojë me rëndësi dhe duket se e ka për detyrë sipas përvojës shumëvjeçare. Njëra nga bazat kryesore është: parimi i lirisë së plotë konfesionale. Ky parim doemos do t’u pëlqejë e do t’i kënaqë të gjithë të krishterët, e kush e di, mbase pas një kohe edhe muhamedanët. Por, ligji shtetëror më i rëndësishmi dhe themelori duhet të paraqitet e të vërtetohet me këtë: dinjiteti princëror doemos duhet të jetë trashëgues. Pa këtë parim, që përbën unitetin e dinjitetit më të lartë shtetëror, nuk mund as të paramendohet bashkimi i përhershëm e i qëndrueshëm shtetëror ndërmjet Serbisë dhe fqinjve të tjerë serbë. Nëse boshnjakët nuk do ta pranonin këtë gjë, nga kjo me siguri do të pasonte copëtimi i serbëve në principata të vogla provinciale krahinore nën familjet e veçanta sunduese, të cilat do t’i dorëzoheshin pashmangshëm ndikimit të huaj e të moçëm; sepse ata do të kishin zili ndërmjet vetes dhe do t’ia kishin lakmi njëra-tjetrës. Këto familje kurrë nuk do të lejonin që interesin e dobësisë së vet t’ia flijojnë familjes tjetër, madje as atëherë sikur nga një flijim i tillë do të varej përparimi i të gjithë këtyre popujve.
Nga këto pozicione themelore pason se, po që se para këtij bashkimi të përgjithshëm të serbëve që ka filluar të transformohet veçanërisht në Bosnjë, sa që ky transformim po bëhet asisoji që të shërbejë vetëm si përgatitje për atë bashkimin e përgjithshëm të të gjithë serbëve e të provincave, në një mënyrë kjo që është e vetmja që mund të llogaritet në arritjen e atij qëllimi të madh dhe atij interesi që është për të gjithë këta serbë i njëjtë. – Unë këtu Serbinë po e vë përpara, vetëm ngase vetëm ajo mund ta përgatisë këtë gjë dhe e ka për detyrë ta kultivojë pa ia ndarë, deri në kohën e cila do të sjellë ekzekutimin e këtij plani dhe Serbia do të veprojë deri në kohën kur do të piqen kushtet.
– Kushdo që këtij populli ia dëshiron të mirën, ai nuk guxon t’ua rekomandojë boshnjakëve dinjitetin princor trashëgues. Në rastin e tillë, le të zgjidhen ndër ta njerëzit më të rëndësishëm nga mbarë populli, madje jo për gjithë jetën, por vetëm për një kohë të caktuar, të cilët do ta formonin si njëfarë këshilli. Me këtë pushtet, qoftë edhe provincial dhe i ndarë, do të mbetej e hapur rruga për përparim; atëherë Serbia në kohën e duhur do të mund të lidhej dhe të bashkohej me Bosnjën, sepse atëherë kjo lidhje mbetet e mundshme dhe e besueshme.
Parimi i tretë themelor i kësaj politike është: uniteti i kombit, për të cilin përfaqësues diplomatik duhet të jetë Komiteti i Principatës së Serbisë. Njëherit, pra, duhet bërë që boshnjakët dhe sllavët e tjerë tek ai të gjejnë mbrojtje dhe çdo ndihmë tjetër, kurdo që për këtë të jetë nevoja dhe të tregojë vlerën e këtij parimi. Në këtë pikëpamje, Serbia detyrohet të jetë e bindur se ajo është padrone, protektore e të gjithë sllavëve të Turqisë dhe se vetëm atëherë kur kjo ta marrë mbi vete këtë detyrë, sllavët e tjerë do t’ia lënë asaj këtë të drejtë që ajo në emër të tyre të thotë e të veprojë diçka. Po që se Serbia ua jep fqinjve të saj atë shembull fatlig e të keq se ajo mendon vetëm për vete, kurse për telashet dhe për përparimin e të tjerëve nuk do të çante kokën, por këto do t’i shikonte me indiferencë, atëherë me siguri edhe ato do ta ndiqnin vetëm shembullin e saj, nuk do ta dëgjonin dhe, kështu, në vend të harmonisë dhe unitetit, do të shfaqej mosbesimi, zilia dhe fatkeqësia.
3. Gjithashtu është e domosdoshme edhe ajo që jo vetëm të gjitha bazat e ligjit, Kushtetuta dhe të gjitha rregullimet kryesore të Principatës së Serbisë në Bosnjë dhe Hercegovinë të shtrihen e të zgjerohen në popull, porse edhe ajo që brenda një kohe të caktuar disa boshnjakë të rinj të pranohen në shërbimin shtetëror serb, me qëllim që këta të ushtrohen praktikisht në degën politike dhe financiare të administratës, në judikaturë dhe në arsimin publik, të mësohen dhe të përgatiten për nëpunës të atillë, të cilët atë që kanë mësuar në Serbi do të mund ta jetësonin më vonë në vepër në atdheun e tyre. – Këtu është e nevojshme të përmendet veçanërisht kjo: pos të tjerëve, këta njerëz të rinj duhet mbikëqyrur e edukuar asisoji që në punën e tyre të mbizotërojë plotësisht ajo ideja shpëtimtare e bashkimit të përgjithshëm dhe e përparimit të madh. Kjo detyrë nuk mund të rekomandohet mjaftueshëm.
4. Për t’u zmbrapsur popujt e konfesionit katolik nga Austria dhe ndikimi i saj dhe për t’iu afruar më tepër Serbisë, është e domosdoshme që kësaj t’i kushtohet vëmendje e veçantë. Kjo gjë më së miri do të mund të arrihej nëpërmjet fretërve të atjeshëm, ndër të cilët më e rëndësishmja është se duhet përfituar për idenë e bashkimit të Bosnjës dhe Serbisë. Për këtë qëllim, do të ishte e domosdoshme të jepet urdhër që ndonjë libër uratash dhe këngësh me lutje dhe këngësh kishtare të shtypen në tipografinë e Beogradit; – e pas kësaj edhe librat e uratave për të krishterët ortodoksë, një përmbledhje këngësh popullore e cila do të shtypej në njërën anë me shkronja latine e në anën tjetër me shkronja cirilike; pos kësaj, si shkallë e tretë, do të mund të shtypej historia e shkurtër dhe e përgjithshme popullore e Bosnjës, në të cilën nuk do të guxonte të mos gjendej lavdia dhe emrat e disa boshnjakëve që kanë kaluar në fenë muhamedane. Vetvetiu supozohet se kjo histori domosdo do të duhej të shkruhej në frymën e sllavizmit, dhe plotësisht në frymën e unitetit kombëtar të serbëve dhe boshnjakëve. Nëpërmjet shtypjes së këtyre veprave të përshtatshme patriotike, si dhe nëpërmjet veprimeve të tjera të domosdoshme, të cilat duhet përcaktuar e mbikëqyrur në mënyrë të arsyeshme, Bosnja do të çlirohej nga ndikimin austriak dhe ky vend do të drejtohej më tepër nga Serbia. Në këtë mënyrë, njëherit, Dalmacia dhe Kroacia do t’i merrnin në dorë veprat, shtypja e të cilave në Austri është e pamundshme dhe me këtë do të pasonte një lidhshmëri më e ngushtë e këtyre vendeve me Serbinë dhe Bosnjën. Në këtë vepër duhet kushtuar vëmendje e posaçme historisë, për të cilën u bë fjalë më lartë, dhe ajo duhet shkruar nga një njeri i aftë dhe thellësisht mendjemprehtë.
5. E tërë tregtia e jashtme e Serbisë është në duart e Austrisë. (Kjo është një e keqe për të cilën përcaktimet më të sakta po ua lë për shkoqitje njerëzve nga financat, kurse unë për këtë do të cek vetëm diçka që është e domosdoshme të hyjë në këtë plan dhe të plotësojë rëndësinë e tij). Të zhvillohen lidhje të drejtpërdrejta tregtare nëpërmjet Zemunit me shtetet e huaja, gjithmonë do të jetë një gjë e mundshme. Andaj, Serbia detyrohet për një rrugë të re tregtare, e cila do ta çonte Serbinë në det dhe për të atje do të krijonte një skele. Rruga e këtillë, që tani për tani është e mundshme, është vetëm ajo që përmes Shkodrës shpie në Ulqin. Tregtari serb, me prodhimet e veta natyrore, do të gjente këtu anijetarët dhe tregtarët dalmatinë, bashkëfisnikët e vet dhe, njëherit, do të gjente njerëz shumë të shkathtë e të aftë, të cilët me rastin e blerjes se mallrave të huaja do t’u shërbenin mirë e ndershëm dhe do t’u gjendeshin për çdo nevojë. Pra, aty do të jetë e domosdoshme të hapet një agjenci tregtare serbe dhe nën mbrojtjen e saj të vihet shitja e prodhimeve të Serbisë, e edhe blerja e mallrave të Francës dhe të Anglisë.
Te kjo punë qeveria do të detyrohej të bënte hapin e parë në këtë drejtim, duke gjetur dhe duke emëruar një agjent tregtar në Ulqin, i cili prej andej do t’i tregonte me gisht tregtarit serb se nga duhet të shkojë. Ky agjent, duke hyrë në komunikim me tregtarët tanë të vendit, në mënyrë të shëndoshë do të studionte mënyrën se si do të drejtohej atje tregtia jonë me përfitim dhe, kur qeveria të sigurohej për këto përfitime, atëherë mundet në gazeta të japë shpalljen e fitimeve që do të vijnë nga ajo anë e tregtisë sonë, e kjo do të thoshte që tregtarët tanë të dërgohen në këtë vend dobiprurës. – Po që se vetëm disa tregtarëve do t’u shkonte për dore edhe atje do t’i kryenin punët mirë e me fitim, atëherë edhe të tjerët do ta pasonin shpejt shembullin e tyre, dhe pak nga pak do të hapej kjo rrugë tregtie pa kujdesin e përhershëm të qeverisë për këtë; sepse tregtarët pastaj vetë do t’i hapnin rrugën vetvetes, kurse agjenti i qeverisë do të kujdesej vetëm që tregtarët tanë që të mos pësojnë atje kurrfarë presioni. – Nga ky urdhër do të pasonte që çmimi i prodhimeve serbe të ekspozuara në jug, do të ngrihej në veri, kurse çmimi i mallrave që sillen në Serbi nga veriu, do të ulej nga konkurrenca e mallrave të sjella nga jugu. Thënë me një fjalë, me këtë mënyrë Serbia do të shiste më shtrenjtë e do të blinte më lirë.
Në pikëpamje politike, ky mjet do të kishte rëndësi jo më të vogël, sepse agjenti i ri serb do të gjendej midis popullatës serbe dhe ky rast do të bartte një ndikim më të madh të Serbisë në shqiptarët e veriut dhe në Malin e Zi, dhe këta janë mu ata popuj që mbajnë çelësat e dyerve te Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të vetë Detit Adriatik. Vendosja e kësaj agjencie serbe dhe themelimi i saj atje, jemi të bindur se do të konsiderohej si veprim politik i Serbisë, i një rëndësie jashtëzakonisht të madhe ndër ata popuj, kështu që një lidhshmëri më e ngushtë e asaj popullate me Serbinë do të arrihej shumë lehtë.
Franca dhe Anglia jo vetëm që nuk do ta kundërshtonin këtë, por bile edhe do ta ndihmonin, kurse Porta, po ashtu, nuk do të ishte kundër, ngase me këtë një skele e saj do të lulëzonte sërish.
6. Për të pasur një ndikim më të madh te boshnjakët e konfesionit lindor, për Serbinë nuk do të jetë detyrë e rëndë. Ndryshe, më tepër maturi dhe vëmendje kërkon ajo që të përfitohen boshnjakët katolikë. Në ballë të këtyre qëndrojë fretërit françeskanë. Përveç shtypjes së librave që përmendëm më lart, a mos do të ishte mirë dhe e përshtatshme që një nga këta fretër boshnjakë të emërohet në Liceun e Beogradit si profesor i gjuhës latine dhe i ndonjë shkence tjetër. Ky profesor do të mund të shërbente si ndërmjetës ndërmjet Serbisë dhe katolikëve në Bosnjë, sepse me këtë ne kishim për të bërë një hap sprove të parë dhe do të kontribuonim për të provuar tolerancën. Po, a nuk kishte mundur po ky frat të krijonte këtu një kishëz katolike për katolikët që jetojnë këtu, me ç’gjë do të evitohej ngritja e një kishëze nën ndikimin austriak, gjë që do të pasonte më herët apo më vonë. Këtë kishëz (kapelë) do të mund të vinim nën udhëheqjen e konsullit frëng këtu. Kjo do t’i jepte shkas dhe rast Qeverisë së Francës që me këtë punë të merrej intensivisht dhe me këtë Serbia do të lirohej nga rreziku prej një kishe katolike, që do të ishte nën ndikimin e Austrisë në Beograd.
7. Karagjorgje ka qenë prijës ushtarak për nga natyra dhe me shumë përvojë; ai nuk ka mundur ta parashohë atë rëndësi shumë të madhe ushtarake që për Serbinë ka Mali i Zi dhe që do të ketë gjithmonë, kurdo që kemi të bëjmë me përpjekjen që Bosnja dhe Hercegovina të ndahen nga Turqia e t’i aneksohen Serbisë. Depërtimin e këtij duke në Sjenicë dhe Novi-Pazar, të gjithë serbët ende e mbajnë mirë në mend dhe nuk është nevoja që propozimin pasues ta mbështesim me të dhëna të reja. Serbia le ta ndjekë edhe në Mal të Zi shembullin e Rusisë dhe le t’i japë peshkopit ndihmën e rregullt vjetore në para. Në këtë mënyrë, Serbia, për një çmim të vogël, do ta këtë miqësinë e vendit, i cili mund t’i tubojë së paku 10. 000 ushtarë malësorë.
Këtu duhet vënë re edhe atë se shtyrja e kësaj ndihme për momentin e fundit nuk do të këtë suksesin dhe pasojat e dëshiruara; duke qenë se Rusia me të drejtë do të mund të thirrej në ndihmën shumëvjeçare e të përhershme, kurse propozimin e ri serb, të bërë nga domosdoja, mund ta diskreditojë e ta sjellë në dyshim; dhe malazezët atëherë do të thoshin: serbët nuk na ndihmuan neve kur kishim nevojë, gjë e cila është dëshmi se nuk janë miq tanët, porse dëshirojnë vetëm tani për tani të na shfrytëzojnë.
Sremi, Baçka dhe Banati
Në shikim të parë, domosdo do të duhej të mendohej se Serbia me këto vise është dhe qëndron në lidhjet më miqësore; meqë prejardhja e tyre, gjuha, feja, të drejtat dhe zakonet, janë të njëjta me ato serbe në Serbi. Nëse puna nuk qëndron ashtu, atëherë dukja e tillë, së paku në një pjesë, i takon Serbisë; sepse kjo nuk është përpjekur mjaftueshëm për atë që të përfitojë miqësinë e këtyre serbëve. Por, duhet shpresuar se, përkundër tërë ndikimit armiqësor të Austrisë, kjo marrëdhënie e gabuar do të ndërpritet e do të përmirësohet me kalimin e kohës, madje në atë masë në të cilën Principata e Serbisë të tregohet gjithnjë e më tepër si shtet i rregulluar mirë, i fuqishëm dhe i kulturuar.
Tani për tani, në mos asgjë tjetër, do të duhej së paku të njiheshin njerëzit e rëndësishëm të këtyre krahinave dhe atje të themelohet një gazetë e rëndësishme serbe, e cila, nën Kushtetutën e Hungarisë, do të mund të vepronte dobishëm në interesin serb dhe e cila do të redaktohej nga një njeri shumë i sinqertë, siç është p. sh. z. Haxhiqi, ose ndonjë tjetër si ai.
Për bashkimin me sllavët e Çekisë
Për këta sllavë, me këtë rast, nuk do të flasim shumë, ngase ata jo vetëm që nuk do të hyjnë në këtë plan, por ngase, sipas shumëkujt, që në fillim do të bëhej njëfarë gjëje jopraktike. Së këndejmi, ne, duke kaluar këtë shkurtimisht dhe duke lënë që interesat që do të kishim nga ky bashkim të njihen me kryerjen e vetë këtij plani, tani për tani po porosisim e po rekomandojmë vetëm kaq se është e domosdoshme të fillohet me njohjen e Serbisë me sllavët e Çekisë, të Moravisë e të Sllovakisë, madje në një mënyrë shumë të kujdesshme dhe tepër të urtë që kjo punë të mos mund t’i bie në sy Austrisë”.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.