28.5 C
Tiranë
E martë, 1 Korrik 2025

Nikolle Loka

Doli nga botimi libri “Gjin Doda-Portreti i një humanisti”.
Me parathënie nga Pano Hallko, publicist i mirënjohur; me përcjellje nga Dashamir Shehu, ish Zëvendëskryeministër, Gjeneral Brigade Dedë Prenga dhe Dr. Ilmi Lalaj, ish Drejtori i Spitalit të Rrëshenit.No photo description available.
Gjin Doda, dekoruar me Urdhërin “Nënë Tereza” me këtë motivacion: “Për kontributin e çmuar për humanizmin, përkushtimin e treguar në shërbim të ruajtjes së shëndetit të njerëzve…”.Imazhi mund të përmbajë: një ose më shumë njerëz, njerëz që qëndrojnë, njerëz në skenë dhe kostum
….
Ky jetëshkrim, libri jetëshkrim i doktor Gjin Dodës, për shumë arsye, nuk mund të mos ishte edhe përshkrimi i rrugës së Mjekësisë shqiptare, të paktën në rrethet Kukës dhe Mirditë. Është vetë jeta e personalitetit të cilit i kushtohet libri, e ndërthurur me njërën nga dy arritjet më madhore të shtetit shqiptar në gjysmën e dytë të shekullit të XX-të. Me revolucionin e thellë në fushën e Mjekësisë. Një fushë ku u desh jo vetëm të nisej nga zero, por edhe përmbysja e koncepteve, zakoneve dhe mentaliteteve të trashëguara në shekuj. Revolucioni më i madh i shqiptarëve në shekullin e XX, nuk është Lufta e Dytë Botërore. Me gjithë rëndësinë e madhe që ajo ka, deri në ditët e sotme, edhe në ardhmëri. Pavarësisht baltës që mundohen të hedhin mjeranët mbi të. Sepse… “krejt rastësisht”, ajo Luftë-epopeja më e shkëlqyer e jona, na rreshtoi aty ku jemi dhe sot: Në krah të Perëndimit.
Megjithëkëtë, revolucioni më i madh, përmbysja më e madhe pozitive, ishte ajo që u krye në rrafshin familjar e shoqëror. Pakkush mund të dijë sot, një fakt për shembull. Në vitin jo aq të largët 1947, kur Gjin Doda ishte vetëm 5 vjeç, një automobil i madh i UNRRA-s, po çonte ndihma në një fshat të thellë malor, thasë me miell.Imazhi mund të përmbajë: 4 njerëz, Zmadho
Dimër, ditë e shkurtër, e i zuri nata në rrugën e asaj kohe, duke shkuar në një fshat. Diku, në një kthesë të rrugës së vështirë malore, dritat e fuqishme të makinës ranë mbi një burrë shtatlartë. Shoferi fiku makinën, por jo dritat e makinës. Udhëtari mesa duket nuk kishte shkrepëse dhe shkoi ta ndizte cigaren në…xhamin e fenerit të makinës!
Buzëqeshën dhe pasi i ndezën cigaren, i thanë: – Hip lart! Ai u ngjit në karroceri dhe i hodhi të gjithë thasët me miell anës së rrugës, të cilën e njihte symbyllur. Dikur, arriti makina në fshat. Por në karrocerinë e makinës, nuk ishin, as malësori, e asnjë thes me miell…
Dy vjet përpara kësaj ngjarjeje, e pikërisht në Shkurt të vitit 1945, Ndrec Ndue Gjoka, kishte ndezur shumë drita njëherësh, në Sholth, e në të gjithë Mirditën. Kishte hapur ai në ditët e acarta të fillim shkurtit `45, shkollën e Sholthit, me mësues Llesh Dodën, xhaxhain e Gjinit. Në errësirën totale që përshkruam më sipër, sytë e atyre fëmijëve ndritnin, si pishtarë të ndezur për të ndriçuar të ardhmen. Ata sy ndritnin, se merrnin dritë nga sytë e Ndrec Ndue Gjokës, i cili ditën e parë të atij viti shkollor, hyri në klasën e tyre dhe u prezantoi mësuesin e parë. – “Kjo do të jetë dita e parë e shkollës për ju. Vështirësitë do t’i kalojmë shpejt”, – u tha ai…Imazhi mund të përmbajë: 1 person
Autori i këtij libri, publicisti i mirënjohur Nikollë Loka, i ka qëmtuar me art të gjitha ato shndërrime madhore që ndodhën në jetën e shqiptarëve dhe të asaj krahine. Dhe i ka prurë, përmes një pune kërkimore që meriton admirim.
Shkollimi i Dr. Gjin Dodës, nis në shtëpinë e thjeshtë në Zall- Xhuxhë. E kishte prurë fati e jeta, që njerëzit e asaj shtëpie të shkolloheshin, të paktën dy breza para Gjinit. Prandaj Gjini, në fëmijërinë e hershme të tij, ndër sendet e para që preku në atë shtëpi, ishin librat. Me zell të madh ai mbaroi 7 vjeçaren në fshat, e me shumë zell dhe sedër, mbaroi shkollën e Infermierisë në Shkodër. Ishte paracaktuar diku, ku ne nuk arrijmë dot, e ishte “i dënuar” ai njeri të shkëlqente në gjithë jetën e tij. Është një “Kimi” e veçantë që i përgatit këto fenomene, e kryesisht janë Geni dhe Trolli, kur ndodhen në orët e mira të tyre.
…Më 17 korrik të vitit 1958, me firmën e Drejtorit të shkollës Mjekësore të Shkodrës Adem Halili, e me firmën e përfaqësuesit të Ministrisë së Shëndetësisë Dr. Baftjar Xhindi, të cilët e morën në provim, Gjin Dodës iu dha Diploma e Ndihmësmjekut dhe e drejta e ushtrimit të profesionit…
Dr. Gjin Doda, i takon atij brezi të shqiptarëve, që mori mbi supet e njoma të tij zgjidhjen e problemeve të kohës. Me përpjekje mbinjerëzore, ata kryen një revolucion shumë planesh në të gjitha fushat e jetës. Kryesisht, “qilizmën” në mendjet e njerëzve. E ky revolucion shoqëror, ishte shumë herë më i madh por edhe më i vështiri, i të gjithë revolucioneve për t`u realizuar. Dhe Gjini e brezi i tij, në të gjithë Shqipërinë, e realizuan me sukses. Ata shkulën nga rrënjët zakonet prapanike dhe bestytnitë fetare, të cilat ishin përgjegjëset kryesore për prapambetjen e tmerrshme ku ndodhej Malësia jonë.
Në vitin 1959, Dr. Gjini në Vaspas, ishte në krye të aksionit për lyerjen e shtëpive me gëlqere. Vaspasi u dallua në rang rrethi. Në një raport nga Kukësi shkruhet: – “U lyen me gëlqere 532 shtëpi nga brenda, e 238 nga jashtë. U rregulluan 129 puse uji. U larguan bagëtitë nga 1430 banesa”… Vetëm në vitin 1962, nëpër shtëpitë fshatare të zonave u fut jorgani dhe dysheku.Imazhi mund të përmbajë: E brendshme
Dr. Gjin Dodës i takoi dy herë në jetën e tij, ta niste nga zeroja në krahinën e Fanit.
Herën e parë, në fillimet e jetës së tij, themeloi me vuajtje dhe nga hiçi, në Vaspas e në Fan, shërbimin shëndetësor. Por atëherë, vuajtja ishte e justifikuar. Sepse prapambetja që vinte nga shekujt, konsiderohej legjitime. Edhe për faktin se vendi kishte dalë nga Lufta. E jo se ajo luftë “na shkatërroi mjekësinë” në Fan e në Mirditë. Por sepse kur filloi punën e ndihmësmjekut Gjin Doda, ende shtëpitë e vendasve ishin të rrënuara, ende i kishin trarët të djegur nga lufta.
Fati e solli që Dr. Gjin Doda të punonte ndihmës i mjekëve-firma të njohura të Mjekësisë shqiptare si Ferdinand Paparisto, Dragush Delvina, Rushit Xuxi, Fatmir Doda dhe Ali Sulejmani, të cilët shkonin nga Tirana për të shërbyer në Kukës e Mirditë.
Nuk ishte rastësi fakti, që Komiteti Ekzekutiv i Mirditës, vetëm katër ditë pas lirimit të tij nga ushtria, e emëroi Dr. Gjin Dodën në Spitalin e Fanit.
Jo rrallë, gjatë punës së tij si infermier, kryeinfermier, ndihmësmjek dhe Inspektor në Mirditë, ai u përball me goditje nga fronti i luftës së klasave. Gjini i mundi pjesët e kalbura të sistemit, me Mirësinë dhe aftësitë profesionale të tij. Lehësit mediokër partiakë, ai i mbajti në distancë me personalitetin e fortë që kishte.
…Në vitin 1968 kreu punën fizike në spitalin e Fanit, vetë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Ciril Pistoli. E ai nuk shkoi atje “për klimë”. Por banoi dhe përveshi mëngët në Fan. Me autoritetin që i jepte Ligji, e pajisi spitalin me materiale, ujë të pijshëm, pajisje për lavanteri dhe me ilaçe. Madje ai çoi në spitalin e Fanit një pediatre me përvojë, doktoreshë Verën dhe laboranten Kozeta, të cilat ndihmuan në vizitat e fëmijëve dhe për analizat laboratorike në ato vite, kur ende nuk kishte laborator në spital.
Prandaj ai Spital zonal në vitin 1970, do të shpallej Spitali model në zonën e Veriut.
Por doktori punonte në “dy” spitale. Sepse kur kthehej nga puna në shtëpinë e tij për t`u qetësuar, ai gjente njerëz në radhë, që e prisnin t`i vizitonte. Në pamje të parë, dukej sikur ky “spital”, konkurronte me spitalin e shtetit. Gjë që nuk ishte e vërtetë. Sepse doktori ishte po ai, Dr. Gjini i spitalit, i cili në këtë “spitalin” tjetër, ishte edhe i zoti i shtëpisë. Por pacienti që vinte në shtëpi, gëzonte statusin e mikut që trokiti në derë. Po, e konkurronte shtëpia spitalin, madje në një pikë, “e kishte mundur” spitalin e Fanit. Sepse ofronte diçka që asnjë lloj spitali në botë, nuk mundet ta ofrojë. Ngrohtësinë familjare, një kafe apo edhe një gotë. Por edhe një shtrat për të fjetur, kur i sëmuri vinte nga larg. Po pse jo, edhe një palë këpucë apo atlete, kur pacienti ishte fëmijë i vogël, e i kishte të grisura ato të tijat. Kuptohet, bashkëshortja e tij Bardhja, i jepte këpucët e njërit prej fëmijëve të saj, sepse… Ndodhte që njëri nga ata, të kishte të njëjtin numër të këmbës me pacientin!
Dr. Gjin Doda, ishte “njeriu orkestër” i mjekësisë. Më mirë të themi, ishte një Spital më vete. Ai u shërbeu njerëzve në shumë pozicione, me nivel të lartë profesionalizmi. Ishte njëherazi: ndihmësmjek, farmacist, ndihmës dentist duke arritur të kryente mbushje dhëmbësh, ishte një pediatër i sprovuar, Ndihmës inspektor në Drejtorinë e Higjenës dhe Epidemiologjisë, por edhe Radiolog e mjek ftiziatër. Epo Spitali prandaj quhet spital. Sepse i ka të gjitha specialitetet. Ato specialitete, që dr. Gjini i zotëronte të gjitha, në perfekt.
Ekipet mjekësore që shkonin në Fan ato vite, nga Kukësi, Rrësheni, apo Tirana, Pikën e tyre të Referimit kishin Dr. Gjinin. Nuk mund të kishin tjetër, as më të aftë profesionalisht, e as njohës më të thellë të gjendjes dhe mentalitetit.
Diagnozën e Doktor Gjin Dodës, nuk e ndryshonin mjekët e rretheve.
Nga 25 mjekë që shërbyen në Fan deri në vitin 1990, 21 ishin nga rrethet e tjera dhe vetëm 4 nga Mirdita.
Prandaj Gjin Doda me fisnikërinë e tij të lindur, shprehej:- “E si mund të flas unë për sakrifica, kur të tjerët vinin nga rrethe të largëta të Jugut, ku kishin lënë familjet e tyre”?!
Hera e dytë që e nisi nga zero, ishte në fillimet e të ashtuquajturës demokraci “made in Albania”. Vendi u shkatërrua, u dogj dhe u vodh në mënyrën më të paskrupullt, nga ata që “rrëzuan diktaturën”. Diktaturën, e cila ua dorëzoi shtetin me çelësa në dorë atyre farë “trimave”. U prenë pyjet, plantacionet me pemë dhe vreshtat e pafund, u hodhën në erë galeritë e minierave, ndërtesa publike u shembën me themel pasi u plaçkitën, çka kurrë në Histori, pushtues nuk i ka bërë, e nuk mund t`i bëjë.
Në këtë lloj lufte, pa pushtues pra, në vitin halleshumë 1992, populli i Fanit, ia besoi qeverisjen e tij, Kryedoktorit të kohërave të asaj Krahine, Doktor Gjin Dodës, me shumicë dërrmuese votash. E Gjinit i duhej të përballej sa me hallet e njerëzve që kishin mbetur pa bukë në kuptimin e plotë të fjalës, aq edhe me “Ligjin” famëkeq, 24/1. Ai angazhoi në aparatin e asaj Komune, vlerat njerëzore dhe intelektuale. Edhe pse numrat ishin tmerrësisht të limituar.
Atij i takoi përsëri t`i kalonte fshatrat e Fanit, shtëpi më shtëpi. Kësaj here për t`u siguruar atyre bukën e gojës, por stetoskopin e kishte në çantë. Kur i shkelte në rininë e hershme të tij për shëndetin, kishte aleat shtetin, i cili e mbështeste në çdo hap. Kurse tani kishte “aleat”, shtetin kodosh demokratik, i cili ditën e mbështeste me fjalë, e natën ndërsente bandat, për të hedhur në erë zyrat e Komunës.
Gjin Dodës i qëlloi të drejtonte pushtetin në kohët kur kishte lëvizur jo vetëm sistemi, jo vetëm pushteti, jo vetëm njerëzit, por edhe varret dhe varrezat. Sepse edhe varrezave, u dolën “pronarët”! Pozicionin e Kryetarit të Komunës, ai e themeloi si Institucion. Vite më pas, ai u bë qytetar i Tiranës.
Doktori pensionist nga krahina e thellë e Fanit, ishte shembull qytetarie dhe një vlerë e shtuar për Tiranën, një nga lezetet e pakta të saj.
Kjo jetë në segmentet e saj na bashkon me shumë njerëz. Njihemi shumë kohë me ta, e ndodh të na zhgënjejnë, ose ne nuk i kemi njohur ata, ose ata nuk na kanë njohur ne. Shkruesi i këtyre radhëve, Dr. Gjin Dodën e njohu shumë mirë, edhe pse kurrë nuk e takoi në jetë. Edhe ai më ka njohur mua, sepse po të ishim bashkë në një udhëtim, e unë do kisha problem akut me shëndetin, ai do ma shpëtonte jetën.
Njohja nuk është vetëm kontakti dhe prezenca fizike. Është shumë më tepër sesa kaq. Është më së pari çështje përjetimi dhe perceptimi. Gjin Doda nuk zhgënjeu askënd. Edhe në jetën që vazhdon, ai askënd nuk ka për të zhgënjyer…
Dr. Gjin Doda, përveç intelektit të lindur e të kultivuar, ishte pajisur nga natyra, me një prezencë imponuese. Ndër rastet e pakta, kur bukuria fizike përputhej me bukurinë e shpirtit. Edhe pse burrë sharmant e me diksion të shkëlqyer, që deklamonte edhe kur bisedonte, ai kurrë nuk i shikoi bashkënjerëzit e tij “nga sipër”.
Përpara se të bëhej legjendë, Gjin Doda ishte njeri. Kur u krijua legjenda, njerëzit u morën me legjendën dhe harruan njeriun.
Pastaj, ndryshoi koha, ndryshuan njerëzit, doktorët, por jo sëmundjet dhe të sëmurët. Pra duhej të rikthehej origjinali i legjendës, njeriu Gjin Doda, doktor Gjini, kësaj here më pak legjendë, e më shumë njeri.
Botimi i këtij libri, mundëson riardhjen e heroit kryesor të tij, riardhjen e njeriut Gjin Doda. Cilësitë njerëzore të tij, nuk ka nevojë të shprehen, as me përralla, e as me legjenda. Ato janë shprehur me punën e tij shkencore, mishëruar në jetët e shpëtuara, në librin e vizitave të Spitalit të Fanit, dhe në librin e vizitave në shtëpinë e tij.
Njerëz të afërt të Dr. Gjinit, e kanë peng faktin që atij nuk iu krijua mundësia të mbaronte Universitetin. Lind pyetja: – Çfarë më tepër, do t`u kishte ofruar njerëzve ai, me një diplomë në xhep? Thënë ndryshe: Sa emra mjekësh me diplomë janë harruar sot, e nuk i përmend askush.
Njeriu, shoqëria që për këtë arsye quhet njerëzore, kanë nevojë për idhuj. Por jo për “Idhujt pa krena”, që thoshte Migjeni ynë i madh. Ka nevojë për intelektualë shërbëtorë të tillë si Gjin Doda, të cilët rrokin përmasat e shenjtorëve, të paktën siç na i kanë përshkruar këta të fundit.
Në Xhuxhë kanë nisur e po flasin gurët. Gurët që po zbulohen njëri pas tjetrit, e që në nëndheun e atij vendi, kanë ruajtur në shekuj, kodet e qytetërimit të racës sonë.
Edhe Dr. Gjin Doda, është një gur i çmuar i atij trolli, por nga ata të mbitokës. Vendndodhja ndryshon. Misionin, e kanë të njëjtë.
Gjin Doda është njeriu i djeshëm, që bart fuqinë e argumentit për të frymëzuar njerëzit e sotëm, por edhe në ardhmëri…
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.