Shkruar nga:HALIL RAMA
Në vitin 2003, Elton Myrteza Myrku u titullua oficer aktiv, duke nisur kështu rrugën e vështirë dhe të bukur të jetës ushtarake në Forcat e Armatosura Shqiptare, e cila iu shkëput në mes, ditën e kryerjes së aktit heroik për shpëtimin e dy jetëve që po mbyteshin në det tek Plazhi i Gjeneralit.
Pesë vjet më parë, pasi kreu me sukses Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm pranë Akademisë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, me rezultate të shkëlqyera, major Elton Myrku iu përkushtua për disa ditë fëmijëve, para se ata të fillonin vitin e ri shkollor. Rrugëtimin për në Lushnjë, për t’i dërguar dy djemtë te gjyshërit nga mamaja, e ndaloi për disa orë në Plazhin e Gjeneralit në Kavajë. Drekojnë dhe pastaj futen në det. Tek po luante me ta, në thellësinë rreth një metër, ku i madhi Roeli 11 vjeç luante me dallgët, të voglin, Jorikun 3 vjeç e kishte në qafë. Ndërkohë, një djalë rreth 11-12 vjeç në thellësi bërtet e kërkon ndihmë se po mbytej. Është vërtet tronditës rrëfimi i djalit të madh, Roelit: “Babi me Jorikun në qafë vrapon me shpejtësi. Arrin tek ai dhe e shpëton, duke e afruar që të kapet tek litari i shpëtimit. Pasi bindet se ai e komandonte veten dhe nëpërmjet litarit afrohet në cektësi, kthehet me djalin në njërën dorë për të dalë në breg, por në momentin e kthimit, një dallgë e fuqishme i përplaset në fytyrë duke e mbuluar”. Pak a shumë, kështu përshkruhet akti heroik, i major Elton Myrkut, që ndërsa kishte shërbyer me devotshmëri për disa vite në emisione paqëruajtëse, si në Afganistan, Irak e Kosovë dhe ishte flamurmabajtësi ynë në ceremoninë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, u mbyt në det për të shpëtuar dy jetë… Sipas ekspertizës gjyqësore, uji i detit ka depërtuar në diafragmën e frymëmarrjes dhe e ka paralizuar trupin e 41-vjeçarit Elton Myrku, i cili edhe ashtu në vështirësi është përpjekur ta mbajë djalin lart. Roeli tregon se ka thirrur për ndihmë, por nga të pranishmit në atë plazh është mundësuar vetëm nxjerrja në cektësi e djalit të vogël të cilin e kanë shpëtuar, ndërsa Eltonit, me vonesë i është dhënë ndihma, e kësisoj nuk është rikthyer në jetë. Ai shpëtoi dy jetë, duke sakrifikuar të tijën. Ky akt heroik legjitimohet edhe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, me vendimin Nr.12-2021-489/ 118, datë 30.03.2021, në të cilin theksohet fakti se: “…kemi të bëjmë me humbje të jetës së të ndjerit Elton Myrku, duke u mbytur në det aksidentalisht, pasi me një ndjenjë të lartë qytetarie, ka kryer një akt heroik human dhe vetmohues, duke u shpëtuar jetën nga mbytja në det të dy fëmijëve të mitur, në vendin e quajtur ‘Plazhi i Gjeneralit’ të Njësisë Administrative Synej, Bashkia Kavajë”
VLERËSIMI
“Eltoni ishte një ushtarak e profesionist i zoti, i dashur me shokët e vartësit e tij. Tek ai mbizotëronte ndjenja e sakrificës dhe e vetëmohimit ndaj detyrës. Detyra, Nderi, Atdheu për të ishin gjithçka. Ai së bashku me shokët kishte marrë pjesë në disa misione paqeruajtës jashtë vendit, si në Afganistan e Kosovë, duke manifestuar cilësi të rralla në kryerjen e tyre në dobi të paqes dhe sigurisë në botë”, -shkruan ndër të tjera ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH, Gjeneralmajor Prof. Asoc. Bajram Begaj (aktualisht President i Republikës), në telegramin e ngushëllimit për Familjen e të ndjerit Elton Myrku. Nga ky telegram që mban datën 06.09.2020 mësojmë se Eltoni, gjatë karrierës së tij ushtarake, gati 20- vjeçare, kreu me devotshmëri e përkushtim një sërë detyrash komanduese të nivelit të togës dhe kompanisë në Forcat Tokësore, duke shpalosur njohuritë dhe përgatitjen e lartë ushtarake të fituar gjatë studimeve në Turqi, por edhe në kurset e kualifikimit e të trajnimit brenda e jashtë vendit. Për disa vite ai punoi po me të njëjtin përkushtim edhe në Agjencinë e Informacionit dhe Sigurisë së Mbrojtjes. “Eltoni sapo kish përfunduar me sukses Kursin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe priste të fillonte një detyrë të re në përshtatje me kualifikimin dhe aftësitë e tij intelektuale dhe profesionale, por vdekja e papritur i ndërpreu në mes karrierën ushtarake, së cilës i ishte përkushtuar që në moshën 14 vjeçare. Ai kish ende ëndrra e plane për jetën e tij, por edhe për familjen, e sidomos për dy djemtë e tij ende të vegjël, por të gjitha këto iu ndërprenë, ashtu krejt papritur, duke lënë në pikëllim të madh familjen, të afërmit e gjithë shoqërinë e tij ushtarake e civile. Për shërbimet e shquara në kryerjen e detyrave të ngarkuara Eltoni është vlerësuar me urdhra e medalje të ndryshme ushtarake nga autoritetet më të larta në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FA”, – shkruan ndër të tjera ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH, Gjeneralmajor Prof. Asoc. Bajram Begaj. Nga ky telegram ngushëllimi mësojmë, gjithashtu, se Elton Myrku, përveçse një ushtarak i zoti e me cilësi tepër të rralla, ishte një bashkëshort i denjë, një prind shembullor, një mik dhe shok i rrallë për të gjithë ata që punuan dhe e njohën nga afër. Duke i shprehur ngushëllime familjes, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH shkruan se “Me vdekjen e Eltonit Forcat e Armatosura humbën një kuadër profesionist të shkëlqyer, prindërit Myrtezai dhe Serja djalin e tyre të vetëm, dy djemtë, Roeli dhe Joriku humbën prindin, njeriun më të dashur e të pazëvendësueshëm, bashkëshortja Rodina, njeriun e jetës…”
DEKORIMI
U lind në Dibër më 22 mars 1979 në një familje me ndjenja të larta patriotike e liridashëse. Pasi kreu shkollën 8-vjeçare në vendlindje me rezultate të shkëlqyera, Elton Myrteza Myrku, me dëshirën e madhe për të qenë pjesë e Forcave të Armatosura, kreu me sukses Shkollën e Mesme ushtarake në Bursa të Turqisë, e në vijim Akademinë e Forcës Tokësore dhe Kursin bazë të Oficerit në Ankara. Gjatë kohës së shkollimit në Turqi, për shtatë vjet ishte kampion në vrapimin me pengesa, i dekoruar nga Shefi i Shtabit të Ushtrisë Turke. Babai i tij, Myrtezai tregon se në një nga kampionatet e atletikës në Stamboll, meqë ekipi shqiptar nuk u paraqit, ambasada jonë atje e merr si përfaqësues nderi dhe Eltoni parakalon me Flamurin tonë Kombëtar me ekipet e vendeve pjesëmarrëse. Ishte atlet me ekipin e “Partizani”-it, ku gjatë një kampionati është vlerësuar me vend nderi në Kore. Para emërimit (pas mbarimit të shkollës) ka marrë pjesë në lojërat olimpike të ushtrive në Itali.
MISIONET
Në vitin 2005 shkon me togën e tij si komandant i Misionit të 5-të Paqeruajtës në Afganistan, ku i nderon me vizitën e tij ish-Presidenti Moisiu. Këtu, në Kabul, Eltoni është në krahun e majtë të kreut të shtetit shqiptar, si një nga komandantët më shembullorë të forcave tona paqeruajtëse.
Në misionin e dytë shkon në Irak ku qëndron 9 muaj, por pa trupat tona, në përbërje të forcave amerikane, ku vlerësohet me medaljen “Për merita lufte”. Më 18 korrik 2008 shkon me kompaninë e tij në misionin e tretë në Afganistan.
Elton Myrku është oficeri i parë shqiptar që ka stërvitur trupat e NATO-s. Si i tillë, në vitin 2010 ai është pjesë përbërëse e kontigjentit tonë ushtarak dhe flamurmbajtësi i Flamurit tonë kombëtar në ceremoninë e parakalimit në krye të flamujve të 27 vendeve, me rastin e pranimit të Shqipërisë në NATO. Tre herë, nga 6 muaj ka shërbyer në Kosovë, në ndihmë të Forcave Mbrojtëse të Kosovës.
Në vitin 2003, Elton Myerteza Myrku u titullua oficer aktiv, duke nisur kështu rrugën e vështirë dhe të bukur të jetës ushtarake në Forcat e Armatosura Shqiptare, e cila iu shkëput në mes, ditën e kryerjes së aktit heroik për shpëtimin e dy jetëve që po mbyteshin në det tek Plazhi i Gjeneralit.
Pesë vjet më parë ai u përcoll me të gjitha nderimet që meritonte për në banesën e fundit, me fjalë lamtumire nga një ushtarak i lartë në emër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Po ashtu, vlerësim shumë i lartë nga Prefekti i Qarkut Dibër, ishushtaraku shembullor Nexhbedin Shehu dhe nga hungarezi Petër, shef madhor i ushtrinë hungareze. Lamtumira ju dha nga familjarë, të afërm, miq e shokë, kolegë të tij, shok të njohur në shërbimin në Kosovë. Dhjetëra bashkëstudentë të tij në Turqi janë shprehur me lot në sy e dhimbje të thelle se krenoheshin me Eltonin, duke thënë në unison: “Ai ishte krenaria jonë dhe mburreshim me të…”.
Sot familja e tij, bashkëshortja Rodina, djemtë Roeli dhe Joriku jetojnë në Frajburg të Gjermanisë: Rodina, fizikante atje, i madhi Roeli nxënës në klasën e tetë me rezultate të shkëlqyera dhe prej tre vitesh si shahist ka përfaqësuar Landin në takime kombëtare në rang Gjermanie (i vlerësuar me medalje e me titullin “mjeshtër në lojën e shahut” dhe lojtari më i mirë në të rinjtë. Derisa i ati Eltoni, humbi jetën në një akt heroik, Roeli ishte shembullor me moshat e reja të “Partizani”-t në futboll, të cilat i përfaqësoi edhe në një takim në Gjermani. Gjithsesi, prindërit Myrtezai e Serja, bashkëshortja Rodina, djemtë Roeli e Joriku jetojnë me dhimbjen, por dhe me krenarinë për djalin, bashkëshortin dhe prindin shembullor, Elton Myrkun. Ndaj dhe, për këtë karrierë të shkëlqyer ushtarake dhe për aktin heroik të pesë viteve më parë ai e meriton të shpallet “Dëshmor i Atdheut”