=PUSHOFSH NË PAQE ALEKO DEDE!=

==============================
Bashkë me naten sterr e zezë sonte na u perhap dhe një lajm i zi, një lajm i trishtë: u nda nga jeta një shok e koleg i joni , ish oficer i Flotes Luftarako Detare, komandant e detar i zoti , i paharruari ALEKO DEDE!
Shumë lajme të trishta kemi perjetuar veçanrisht kët vit! Po na lënë shokët e mirë , shokët e detit , me të cilët u rritem e u burrëruam, u bëmë detarë e kuadro të devotshem nen drejtimim e tyre, po na lenë ata që na mësuen abecenë e të lundruarit në det, na mësuan të bëhemi detarë, të drejtojmë e komandojmë anijet, ti bëjmë ballë egersisë së detit diten e naten në kryerjen e detyrave luftarake!
Dhe njëri nga këta burra , ka qenë dhe komandant Aleko Dede: një burrë fisnik, bir i Himares trime e lëgjendare , që edhe pse lindi në Athinë u rrit e u mëkue në djepin e bregdetit , që per ninullë pati pati këngen : “Vajza e valëve” dhe per muzikë zhurmen e dallgëve që perplaseshin ditë e natë në ato shkëmbinjt stoik në breg që i bënë ballë detit e historisë! Si një shkëmb stoik qe dhe komandant Aleko Dede gjatë gjithë jetes së tij! Aq i lidhur me detin ishte Komandant Aleko sa dhe zëri i tij i gervishtur të ngjante me zhurmen e dallgëve kur perplaseshin në breg apo me njera tjetren! Kishte pamje deti me ato rrudhat në ballë si dallgë të detit e të jetes, por gjithëmonë i drejtë si shtiza e flamurit.
Që kur erdhi në Floten Luftarako Detare Aleko Dede solli pak Himarë, solli fisnikërinë e kësaj zone historike, solli lëgjendat e saj të panumurta, solli burrërinë e qendresen para çdo vështirësie, para çdo dallge në det e në tokë! Aleko ka qenë e mbeti si njëri nga bijtë më fisnik e më kreshnik të bregdetit e Himares nga vinte: i ditur, i paepur, njerzor, trim , i perkushtuar në çdo detyrë, i dashur e respektuar me shokët , koleget e vartësit, i shkrirë me të gjithë detaret e kuadrot, me një komunikim shumë shoqëror e miqësor, me një buzëqeshje të lindur si një valë deti që të bënte per vehte, si një babaxhan si në uren e komandimit dhe pranë oxhakut ku me bisedat e paharruara të tijë shkelqente e ngrohte si ai zjarri bubulak dhe fitonte vëmëndjen e respektin e të gjithëve, që me urtësinë e burrërinë e tij të bënte që ta kishe per model e ti ngjaje atij burri!
Aleko ishte një detar i lindur, sikur ishte perkund në djepin e dallgëve, s’pyeste në se ka det me dallgë apo ishte bunacë, ai kënaqesh e gezonte kur dilte në det, i dukej si shtëpia e tij, sikur vallzonte me dallget. Dhe ishte shembull e frymzim qendrese dhe per ndonjerin detar e kuader që e lodhte sëmundja e detit. Aleko mes kuadrove e detarëve ngjante si ai rrapi i moçem ku në vend të hijes shperndante eksperiencën e detarit të vjeter , qendresen, fisnikrinë e burrërinë e tij e të krahines nga vinte!
Ndaj e donin dhe e respektonin të gjithë detarë e kuadro ! Kishte zërin e trashë e të gervishtur por zemren , fjalen e komunikimin e kishte të ëmbël aq sa të dukej se ëmbëlsonte dhe vet detin!
Aleko Dede ishte dhe një kuader e komandues i aftë. E filloj jeten në Flotën Luftarako Detare në Pashaliman, në Brigaden e Nendetseve më detyren e Komandantit të anijes Silurkapse, më vonë u transferue në anijet ndihmuese të Flotiljes Durrsit, pastaj komandant Skuadrilje në Bazen Ushtarake Detare të Shengjinit, për disa vite Komandant i Regjimentit të Katerave Silurues në Shëngjin deri në vitin 1981 kur u transferue në Bazen Detare Durres me detyrë komandant i Detashmentit të Minimit detyrë kreu deri sa doli në pension detyra të cilat i kreu me nder dhe perkushtim atëdhetar. Aleko Dede ka një meritë të veçantë në pregatitjen e aftësimin e shumë kuadrove të rinj si komandant të Katrave Silurues që më vonë shkelqyen në këto detyra të rendsishme. Njihte mjaft mirë detin, anijet, artin e të lundruarit në det, dhe mbi të gjitha njihte njerzit e aftësitë e tyre! Dhe gjithëmomë pati arritje të larta.
Në shënjë respekti po kujtoj një epidod të para 40 viteve, më 1981 në Budin Shëngjin me Komandant Aleko Deden:
Aleko ishte komandant Regjimenti Katerave Silurues e unë Shefi i Propogandes në Bazen Detare të Shëngjinit. Zhvillohej një stervitje me trupa më det .Komanda e Shtabi i Bazes ishte në Vendkomanden e Luftes në Shëlbum. Komamdant i Bazes ishte emermadhi Ndue Jaku.
Ishte dita e pestë e stervitjes . Të lodhur e të raskapitur si Komanda e Shtabi i Budit dhe efektivi i anijeve , katerave Silurues në det me dallgë dhe naten. Në kulmin e lodhjes e të stresit të stervitjes më thërret Komandant
Ndue Jaku
dhe më thotë;:
-Mëhill , na shkruaj ndonjë gjë e na bëj per të qeshur që ta sfidojmë e ta shkundim pak lodhjen e stresin e stervitjes papushim. U çudita !Komandant Ndueja ishte një kuader e komandant që s’njihte lodhje, me një perkushtim heroik , ditë natë neper harta e variante luftarake si në një luftë të vertetë , që s’mbyllte sy per gjumë . Pasi u binda që e kishte seriozisht i thashë:
– Ça situate luftarake do jepni per trupat?
– Varianti i perdorimit nga ana e armikut të Lëndëve Helmuese Luftarake . Nga sulmi i armikut ka gjet vdekjen Komandanti i Regjimentit: Aleko Dede.
Dhe shkova e pregatita një Nekrologji per Aleko Deden ku u mundova të ta bëj sa më të dhimbshme , ashtu siç e meritonte po të ishte e vertetë Aleko Dede.
Pasi e mbarova shkova te Komandant Ndue Jaku dhe i them se jam gati por i propozova që të kishte më shumë efekt do të ishte ta thërrisnit këtu Alekon dhe ta dëgjonte vetë direkt.
– Po tha , plotsisht dakort , Aleko është rruges dhe tani duhet të jetë duke arritur tek ne.
– Mirë – i thashë: unë po rri gati te Qendra e Zërit dhe sa të hedh hapin tek hyrja e tunelit të filloi ta lexoj.
Dhe kështu ndodhi. ALEKO dëgjoj Nekrologjinë e tij dhe u emocionue aq shumë sa kur arriti e iu paraqit Komandant Ndues i shkonin lotet varg në faqet e tij të rrudhura si dallgë deti.
– Çke Aleko – luftë është dhe mund të ndodhi- i tha komandant Ndueja.
Loti i tij na perloti dhe ne që e kishim marrë pak si me gaz…
– Dëgjo Komandant Ndue Jaku!
Ju falenderoj me zemer per kët vlersim që më bëtë në se do të kisha vdekur. Kam një amanet:
Nuk dua gjë tjeter në botë prej jush veç kur të vdes me të vertetë të ma lëxoni kët Nekrologji- dhe lotet i shkonin litarë. U emocionue shumë ai dhe ne.
Kanë kaluar plot 40 vjet e më duket si sot.
Më fal Komandant Aleko Dede që nuk munda ta gjej atë Nekrologjinë e para 40 viteve dhe ta shperndaja sot në kët ditë zie e dhëmbjeje per ju, por në mbajtjeje të atij Amaneti , se Amanetin nuk e tret as dheu, s’mund të rrija pa thënë dy fjalë lamtumire per ju!
Të qoftë i lehtë dheu Aleko Dede!
Pushofsh në paqe!
Ngushllime familjes tuaj të dashur!
Lamtumirë Komandant Aleko Dede!
Ti do jetosh në kujtesen e mosharrimit tonë!
Na e bëj hallall Komandant Aleko Dede që të vdiqem e të qamë para 40 viteve se ti ishe rrap i vjeter 85 vjeçar dhe jetove dhe 40 vite të tjera mes nesh dhe mes nesh do të kujtojmë gjithëmonë!