Nga një goditje e rëndë dhe e pakthyeshme e tensionit, sot më, 25.2.2021, u nda nga kjo jetë Lulash Ndoc Gila, një burrë i nderuar, një mik e dashamirë me të gjithë ata që takoj e punoj, njeriu gojëmbël, tradicional dhe bashkëkohor, një zotni i vërtetë në sofër e tavolinë, në rrugë e zyrë, në karrigë e në sallë, familje e shoqëri, në drejtim dhe zbatim.
Lulash Ndoci u lind në një truall të hershëm, të përmendur për mirë në breza, në Gecaj të Lotajve të Shalës. Ishtë filiz, naturisht jo aspak i vetëm dhe u bë mriz në trojet e gjyshit Gjon Ndoci dhe Bejto Ndocit, burra të përmendur për luftë e punë, për shtëpi e shoqëri, për sofër e mikpritje, në kuvende e kushtrime, në Kodër të Gecajve, u rrit me mesimet e vyera të brezave të parëve, të prindërve e axhave të tij, të burrave të Lotajve e të Shalës, përfitoj dije e kulturë të plotë popullore tradicionale dhe e pasuroj gjatë jetës me kulturën bashkokohore.
Lulashi është djali i Ndoc Gjonit dhe Leze Marashes, kjo, bijë në shtëpinë e përmendur për mirë të Marash Sokolit të Mekshajve të Nënmavriqit të Shalës.
Është arsimuar për mësuesi, e kjo e përgatiti jo vetëm në drejtim të edukimit të brezit të ri, por edhe për jetën shoqërore të fshatit, të zonës, të krahinës dhe më gjerë.
Kolektivizimi i bujqësisë e gjenë në detyrën e mësuesit, por nevoja e kohës, kultura dhe përgatitja e tij, dhe pa tjetër tabani familjar i tij, e thirri që të drejtonte në ekonominë e përbashkët që u ngrit në Lotaj. Ai bashkë me shokët e tij, me urtësinë, qetësinë, tolerancën e bashkëpunimin e ndërsjelltë me bashkëfshatarët e tij pati rezultate për kohën kur drejtoj.
Reformimi e riorganizimi, dhe me kërkesën e tij, rikthehet në detyrën e arsimtarit duke punuar në disa fshatra të Dukagjinit, dhe kudo flasin vetëm mirë për të.
Por përsëri koha e thirri në drejtimin e Këshillit të Bashkuar në Pult, që u zgjodh për disa vite, pastaj si kryetar i degës së kuadrit në zonën Shalë, deri më ndrrimin e sistemit politik. Vitet e fundit të punës para daljes në pension i kaloj përsëri në arsim.
Lulashi krijoj familjen duke u martuar me Marien, bija e Kolë Delisë nga Gimaj, burrë e familje me za në Gimaj, Shalë e Dukagjin. Ata ngritën një familje shumë të mirë për tua pasë lakmi. Maria ishte mbështetje e plotë dhe e fuqishme në gjithë punën dhe jetën e Lulashit, në familje e shoqëri, me besnikërinë e saj, me kulturën e mirësjelljes së saj, me mikpritjen e saj, e gjithmonë e gatshme vetëm për të ndihmuar shokun e saj të jetës, që sot vdekja i ndau.
Kjo përiudhë e vështirë pandemie e dimëri jo të lehtë, është pengesë e madhe për përcjedhjen për në banesën e fundit të këtij burri të nderuar dhe të shumë e shumë të tjerëve më parë.
Ai po ngjitet në amshim, për tu bashkuar me prindërit, gjyshat, vëllezërit, axhat e ëngjullin e vogël, djalin e tij, i ndarë nga jeta në moshë fëmijnore e shumë shokë e miq, midis të cilëve edhe bashkëfshatarët e tij, shokët, kumbarët e dashamirët, Marash Kola e Ndoc Grimaj, të ndarë nga jeta kohët e fundit.
Lulash, ty të kishim shumë mik e shok, e jo vetëm unë, por dhjetëra e qindra sepse dije vetëm të bëje miq e shokë, por dhe të ruaje miqësinë dhe shoqërinë. Ti po ndahesh nga ne, nga kjo jetë dhe ndarja kurdoherë është mjaftë e mërzitshme, por po len familjen tënde shembullore, bashkëshorten Marie, djalin, vajzat, që u kujdesën shumë për ty, dhe plot nipa e mbesa, veçanërisht djemtë e axhes Martin që të qëndruan pranë në çdo moment, po len një shoqëri shumë të mirë dhe të pastër që lotojnë për ty, të cilët janë e duhet të jenë krenar për gjithë punën dhe jetën tënde.
U largove nga kjo jetë me ballin lart e fytyrën e pastër. Jemi krenar që të kishim dhe ndjejmë dhimbje që u largove nga kjo jetë. Do të donim që të kishim edhe shumë kohë midis nesh, por i gjithëfuqishmi kështu mendoj.
Miku im Lulash, bashkë me Zef Lulash Sokolin, e lat një amanet, një mesazh, një testament, për brezin e sotëm dhe ata që vinë, nëpërmes faqeve të librit “Lotajt e Shalës” që ju studiuat dhe botuat, që është një kujtesë shumë e vlefshme jo vetëm për Lotajt kudo janë, por për të gjithë ata që mund ta marrin në dorë.
Ëme shoqe Gjystja, kushrina dhe dashamirsja jote me plot respekt, dhe unë ndjejmë shumë dhimje për ndarjen tënde nga jeta, Lulash, por këtë na e shton edhe ma shumë pamundësia për të përcjedhë për në banesën e fundit.
Pushofsh në paqe, e lehtë dhe e bekuar të qoftë toka që të mban o Lulash Ndoci!