KUTIA ME DRITA TË KUQE

Isha fëmij kur babai bleu televizorin.Nga ata bardhezi, të tipit Adriatik.Nga gëzimi, nuk fjeta atë natë.Mezi prisja darkën, të fillonte programi.Aty shihja sport,këngë, valle, dokumentarë historikë,teatër, film, biseda, përralla, e sidomos, lajme. Nuk them, njiheshim me situatën politike nga leximi I gazetave,informacioni politik, format e edukimit, por, si lajmet në televozor, nuk kish..Spikerit më të bukur, më seriozë, I zgjidhnin për të dhënë lajmet. Gazetarët me zërin më të ëmbël, komentonin ceremonitë dhe vizitat e Udhëheqësit.
Dhe pastaj, ajo figura e Udhëheqësit.. Aq I pashëm, aq karizmatik.Edhe në fotografi dilte bukur, por në televizor ishte ndryshe.E shihje të recitonte, të qeshte, të mallëngjehej, të kuvendonte gju më gju me popullin,të mbante iso në këngët labe,bile të fliste edhe greqisht..
Më kujtohet një herë në parakalimin e 1 Majit.Ishin mbledhur në shtëpinë time edhe gjitonët që nuk kishin televizor.Ne fëmijët ulur këmbëkryq mbi qylym, ndërsa të rriturit, në divan e karrike.Gjitonja ime kishte marrë edhe nënën 90-vjeçare.Sapo kish ardhur nga fshati.
Kur televizori tregoi gjithë udhëheqjen në tribunë, plaka theu heshtjen;
-Po kjo është thavmë moj bijë.Si I nxë kutia gjithë ata burra brënda?
Ne fëmijët qeshëm , ndërsa të rriturit u përtypën ca.
E kujtova habinë e asaj gjyshes më vonë, kur fillova të kuptoja ca gjëra. Siç duket ‘’ata burrat’’e donin më tepër nga unë televizorin. E kishin blerë më parë.Ishte televizori I tyre. Ishte zëri, syri, veshi, ngjyra dhe fuqia e tyre.Ata burrat, ishin aq të zotë, sa mund të rrëshqisnin lehtë jo vetëm në atë kuti magjike, por në çdo ambjent, në çdo shtëpi, në çdo skutë të trurit.Ata ishin të dashuruar me televizorin.
Erdhi koha e përmbysjeve te mëdha.Hodhëm poshtë televizorin e kuq bashkë me ata burrat brënda. Por fatkeqësisht, edhe udhëheqësit që pasuan, e ruajtën lidhjen e dashurisë me televizionin.Erëra të çuditshme po frynin mbi atë vënd të plagosur.
Në vitet ’90, pati një dyndje të periferisë drejt kryeqytetit.Në lagjen tonë, në krah të pallatit ku banoja, lartohej një kodër e gjelbëruar. Ne fëmijët loznim, ndërsa më lart, prindërit tanë, pasditeve, kuvendonin shtruar.
Një I panjohur, papritur, rrethon një pjesë të mirë të kodrës, dhe fillon punimet. Punë e parë, shkul një shtyllë nga vreshti aty pranë,dhe I lidh në majë flamurin amerikan.Pas dy muajsh ka ngritur shtëpinë e re. Vërtet sakrifikuam kodrën, gjelbërimin,lojën tonë, por fituam drejtuesin e ri.Pas dy vjetësh, mysafiri I paftuar, u zgjodh kryetar këshilli.Vërtet nuk ishte simpatik dhe me yll në ballë si Udhëheqësi dhëmbflori, por ishte I fuqishëm.Ai bashkë me të fortët e tij, kapën edhe kodra të tjera, e në fund, kapën kupolën e shtetit.
Shteti I ri filloi takimet me televizorin. Herë fshehur, herë gjysëm fshehur. E donte shumë, e donte për vete, me hir a me pahir.
Sot pas kaq vitesh, ajo lidhje erotike e pushtetit me ekranin e vogël, vazhdon.Kutia e televizorit është zvogëluar dhe ndriçuar me drita shumë.Kanalet televizive janë shtuar dhe shumuar.Pra qeveria I bie të mbajë lidhje dashurie me disa partnerë njëherazi.Duket absurde, e pa besueshme, e pa ndershme. Por në Shqipëri ndodh.Përgjigjen dhe shpjegimin na e jep Gabriel Garcia Marquez, bukur, shkoqur;
‘’Mund të jesh I dashuruar me disa persona njëkohësisht, me të gjithë me të njëjtin shpirt, pa tradhëtuar asnjë.Zemra, ka më shumë dhoma se një bordello’’.
18-5-2021 DHIMITËR SHKURTI.