DETALPINJA-UDHA E DIELLIT
-Poemë nga Fran UKCAMA – Fier-
Sot si kurrë kalipeç,
Më ka marrë shqiponja në krahë,
Si dikur nëna në lpungë,
Fymëzimit në shtigje me i grahë,
Me u ngjitë në Alpe,
Si pip frasni dikur,
Me e ngul shpirtin mbi gurë..
Me e mbjell në bjeshkë e vërri,
Ëndrrën e kaherme të bardhë,
Mbi Jezercë e mbi Kaki,
me ngjitë detin dallgë e valë..
Deh moj zemër,
Moj shqiponjë ti nanë arbnore,
Ma merr shpirtin,
Ma merr frymën,
Ma merr kangën nis prej Shkodre,
Me kalue në shtigje prore,
Si dikur me Teutën,
Me Rozafën ,
me legjendën,
Pjetër Spanin, Lekë Dushmanin,
Shungullimë Luginës Drinit,
Synit hanës,
Ballit Diellit,
Vetimë kreshtash,
me sokllimë të Lekë Dukagjinit!!
Qe,
u zgjua agim i qeshur,
U ringjall ëndërra e vjetër,
Në trojë shpirti, jo në letër,
Shengjinin me e lidhë me Pejën!!
Ah, krahnue, mos u gand,
Ah zog shpirti, mos u ndal,
Mos u ndal duhimë arbrore,
Lezhë, Shkodërloce,
Koman,
Kape Drishtin për dore,
Lidhi rrfanë trojet anëmëanë,
Si kanë kanë,
Si vetë Zoti e ka thanë!!
Udha e kaltër gegnore,
Fis më fis, bajrak më bajrak,
Në kështjella të Lekës këto arbnore,
Ndizi zjarret flakadan..
Merre Shalën, merre Shoshin,
Merr Dushman
Merr Berishën fisin amë,
Dil në Nikaj- Mertur,
oh sofrën,
Amën, shpirtin, aty kam,
Aty rrajë, aty kullë,
Aty krevetin e diellit,
Aty ku vezllon një hanë,
Të shumtët janë,
Nën njat mriz , shpatull gjanë,
Ku pushojnë babë dhe nanë..
Ku bilbil këndon në korije,
Atje më pret Betosha,
Blakja,
Oh amëmadhja,
Madhështorja, shtroje shpirti,
E bekuemja ime,
ITAKA!!
Më pret një orë,
më pret një zanë,
Kalterime mbi liqene,
Drini tash tre djem i ka,
Fierzë, Koman edhe Dejën,
Tre Liqene,
Tre gjigandë të dritës Kombit,
Lavdi Zotit,
Lavdi tokës GjergjKastriotit,
Mes Valbonës edhe Drinit,
Mu në qytetzën e shëjtrimit,
Raja me tetë kisha shënjue,
Aty ku Kombi ka kulme,
Në lashtësi e në ditë sodi,
Pulti- Vatikani i Gegnisë Epër,
Më nalt fiset,
Lidhë në bujari, besë trimëri,
Krasniq-Gash,
Në botë si këto nuk gjen kund tjetër,
Valbonën,
Varse florini,
Çikën e kaltër të Alpeve!!
Kush ma ndritë udhën me borë,
Kush ma çon Shkodrën në Gjakovë,
Kush ma zbret Pejën në Lezhë,
Kjo andërr ilire-arbërore,
Që ndër shekuj ka mbetë ndezë!!
Nga tjellhorja, Rana e Hedhur,
Nga shejtorja e Shengjinit,
Shteg më shteg udhnjajës diellit,
Kaltërimit artor qiellit,
Me u ulë në Rrafsh Dukagjinit,
Ujin e ngjelm
Me e njoftë me borën,,
Me rrokë Pashtrikun, Jezercën,
Në Rugovë të kreshnikëve,
Me shtrue sofrën,
Sofrën e ndritur të Arberisë,
Me i bashkue dejet e Shqiperisë,
Mal e det,
Si Tëpartë lanë amanet!!
Ky asht shpirti i Kombit ndezë
Ky asht dielli i përflakë,
Kangëkushtrimi, dragonj në bjeshkë,
Deti në Alpe,
Alpet në det,
Heu Gegni, zoti dritë,
Dritë frymim pa pra të dhantë,
Nderi dhe lavdia,
Krenaria e bukuria,
meteor,
Udhës diellit pas të ardhtë!!