Sapo dalim në periferi të Salzburgut vjeshta austriake na josh me bukuri mahnitëse, me ngjyra që rrallëherë i kishim parë. Dita është shumë e bukur. Dielli duket sikur do të pikojë pikë-pikë nga gjethet e praruara të pemëve. Rruga fillon të gjarpërojë buzë një lumi të vogël, mes pyjesh të dendur që i veshin malet përreth luginës me veshje perandorake. Synimi ynë është të arrijmë në fshatin turistik Hallstat, buzë një liqeni të vogël, por shumë piktoresk, për të cilin kisha parë një telereportazh. Moza më detyron herë pas here të ndaloj makinën për të fotografuar pejsazhin, të cilin do dëshiroje ta merrje të tërin me vete.

Por do të duheshin qindra kilometra katrore fotografi.Të zhytur në këtë mahnitje që natyra e ofron bujarisht me bollëk, mendonim se në fshat do të mbeteshim të zhgënjyer e do ktheheshim sërish në pyjet me tapetin e gjetheve dhe mantelin shumëngjyrësh. Por, sapo arrijmë në Hallstat, një ah mahnitjeje na doli në mënyrë të pavullnetshme nga krahërori. Mbi pasqyrën e kaltër të një liqeni të kthjellët alpin reflektoheshin malet e larta mbi të cilat vjeshta ka hedhur penelatat e para të dëborës dhe shtëpitë e bukura me një arkitekturë të veçantë e njëra mbi tjetrën shpatit të malit. Ndonëse kemi ardhur herët dhe është mes jave, me vështirësi gjejmë vend për të parkuar në njërin nga parkinget e mëdhenj që ka fshati. Një dyndje e madhe turistësh në një fshat kaq të vogël. Mësojmë se fshati nuk ka as 800 banorë. Imagjinoni se si popullohet ai çdo ditë me një fluks prej 10 deri në 30 mijë turistë që vijnë nga e tërë bota. Vetëm autobuzë vijnë mbi 100 në ditë, pa llogaritur makinat private që nuk kanë të numëruar. Numuri i turistëve në vit e kalon numurin njëmilion. Kjo i sjell të ardhura të mëdha ekonomisë së fshatit, i cili praktikisht jeton vetëm me turizëm. Dyqane të shumta suveniresh, bare e restorante përherë plot, hotele ku duhet të prenotosh shumë kohë përpara për të zënë një vend.

Fshati ka vetëm një rrugë, me gjatësi rreth një kilometër e gjysmë. Pastaj nga nevoja e lëvizjes së njerëzve kanë hapur një si shteg, në pjerrësi të shpatit të malit. Shtegu, gati i padukshëm, në më të shumtën e rasteve kalon nëpër shtëpitë e banorëve të fshatit, si një koridor i gjatë dhe i ngushtë.