7.5 C
Tiranë
E martë, 17 Shkurt 2026

Ndue Lazri

NË FSHATIN MË TË BUKUR TURISTIK TË AUSTRISË
( Fshat i klonuar nga kinezët)
Të vizitosh një vend të bukur turistik si Austria nuk do të thotë ta drejtosh syrin vetëm tek kryeqyteti, Viena,aristokratja e Europës, apo nga qytete të tjera të mëdha si Salzburgu, Graci, e plot të tjera. Mjafton të shtrish hapin tej këtyre qyteteve dhe bukuri magjepsëse të shpalosen me liqenet e shumtë alpinë, si sy të kaltër që vëzhgojnë malet e thepisura përreth majave të të cilave ka mbretërinë e përhershme dëbora. Pasi ishim vendosur në qytetin e Moxartit, Salzburg, vendosëm të spostoheshim në zonën malore Salzkammergut, nja 70 kilometra larg. Është një zonë me maja të larta që arijnë nga 2000-3000 metra, e cila prej vitesh është shpallur pasuri e UNESCO-s.
Sapo dalim në periferi të Salzburgut vjeshta austriake na josh me bukuri mahnitëse, me ngjyra që rrallëherë i kishim parë. Dita është shumë e bukur. Dielli duket sikur do të pikojë pikë-pikë nga gjethet e praruara të pemëve. Rruga fillon të gjarpërojë buzë një lumi të vogël, mes pyjesh të dendur që i veshin malet përreth luginës me veshje perandorake. Synimi ynë është të arrijmë në fshatin turistik Hallstat, buzë një liqeni të vogël, por shumë piktoresk, për të cilin kisha parë një telereportazh. Moza më detyron herë pas here të ndaloj makinën për të fotografuar pejsazhin, të cilin do dëshiroje ta merrje të tërin me vete. Por do të duheshin qindra kilometra katrore fotografi.Të zhytur në këtë mahnitje që natyra e ofron bujarisht me bollëk, mendonim se në fshat do të mbeteshim të zhgënjyer e do ktheheshim sërish në pyjet me tapetin e gjetheve dhe mantelin shumëngjyrësh. Por, sapo arrijmë në Hallstat, një ah mahnitjeje na doli në mënyrë të pavullnetshme nga krahërori. Mbi pasqyrën e kaltër të një liqeni të kthjellët alpin reflektoheshin malet e larta mbi të cilat vjeshta ka hedhur penelatat e para të dëborës dhe shtëpitë e bukura me një arkitekturë të veçantë e njëra mbi tjetrën shpatit të malit. Ndonëse kemi ardhur herët dhe është mes jave, me vështirësi gjejmë vend për të parkuar në njërin nga parkinget e mëdhenj që ka fshati. Një dyndje e madhe turistësh në një fshat kaq të vogël. Mësojmë se fshati nuk ka as 800 banorë. Imagjinoni se si popullohet ai çdo ditë me një fluks prej 10 deri në 30 mijë turistë që vijnë nga e tërë bota. Vetëm autobuzë vijnë mbi 100 në ditë, pa llogaritur makinat private që nuk kanë të numëruar. Numuri i turistëve në vit e kalon numurin njëmilion. Kjo i sjell të ardhura të mëdha ekonomisë së fshatit, i cili praktikisht jeton vetëm me turizëm. Dyqane të shumta suveniresh, bare e restorante përherë plot, hotele ku duhet të prenotosh shumë kohë përpara për të zënë një vend.Mund të jetë një imazh i Mimoza Meço, në këmbë, këpucë, pemë dhe natyra Fshati ka vetëm një rrugë, me gjatësi rreth një kilometër e gjysmë. Pastaj nga nevoja e lëvizjes së njerëzve kanë hapur një si shteg, në pjerrësi të shpatit të malit. Shtegu, gati i padukshëm, në më të shumtën e rasteve kalon nëpër shtëpitë e banorëve të fshatit, si një koridor i gjatë dhe i ngushtë.
Hallstat që nga viti 1371 është bërë një fshat tregëtar. Deri në shekullin e 18-të hyrjet e daljet në fshat bëheshin vetëm nëpërmjet ujit, nëpër një lumë që rrjedh nga liqeni e derdhet në Danub. Liqeni është i vogël, me një gjatësi prej pak më shumë se 8 kilometra e gjerësi dy kilometra. Por është mjaft i thellë e në pika të veçanta thellësia e tij arrin deri në 125 metra.Nëpër të tani lëvizin më shumë tragete të vogla, me të cilat turistët shijojnë pamjet e pejsazhit malor përreth liqenit. Të tjerë turistë nëpërmjet teleferikut ngjiten tek platforma panoramike në formë ballkoni, ku nga një lartësi prej 350 metrash shijohet nga lart bukuria e fshatit dhe e liqenit.Mund të jetë një imazh i pemë, natyra dhe mal
Ky fshat i bukur turistik e ka origjinën më të hershme, rreth 7000 vite më parë, kur nisi të shfrytëzonte minierat e kripës që përbënin një pasuri të madhe. Sot ato vizitohen nga turistë të shumtë, siç vizitohen edhe shpellat e bukura, gropat e akullta dhe ujëvara që ndodhet jo larg vendbanimit. Kur e shikon nga larg fshatin, ai ngjan si një qerpik i bukur, nën të cilin liqeni ngjan si një pikë loti.
Bukuritë e këtij fshati ngjallën fantazinë e një manjati kinez të një shoqërie të pasur minierash. Ai dërgoi për disa kohë agjentët e tij, të cilët silleshin si turistë, por ata fotografonin thuajse çdo centimetër katrore të fshatit. Qëllimi ishte për ta klonuar këtë fshat, duke ndërtuar një të njëllojtë në Kinë. Ai investoi gati një miliard dollarë dhe për një vit arriti të ndërtojë Hallstatin kinez në provincën Guandong. Po t’i shikosh fotografitë nga ai fshat kinez e ke të vështirë të gjesh dallime me fshatin austriak. Por siç është shprehur një gazetar kinez: Fshati mund të bëhet njëlloj, por nuk janë të njëjta trashëgimitë historike e kulturore, për të cilat Austria mund të krenohet.Mund të jetë një imazh i Ndue Lazri, në këmbë, pemë dhe mal
Ngjitemi me anë të teleferikut tek platforma panoramike në formë ballkoni. Një ngjitje pak e frikshme, se pjerrësia është mbi 70 gradë. Ngjitja bëhet me kabinë të mbyllur me kapacitet 24 persona. Kabina niset çdo çerek ore e, duke parë çmimin e biletave, llogaritet se çfarë fitimi i sjell ekonomisë së fshatit vetëm kjo linjë jo më shumë se 300-400 metra e gjatë. Panorama prej ballkonit panoramik është me të vërtetë e mrekullueshme.
Austria ofron gjithandej pamje të tilla, mjafton të marrësh iniciativën, një hartë të vogël turistike e të kesh një bashkudhëtare të një mendjeje, që i pëlqejnë bukuritë natyrore e kulturore. Ishte një ditë e bukur dhe e veçantë, që do nxiste fantazinë për ditët në vazhdim. Austria me histori perandorake është aristokratike edhe në shpalosjen e bukurive të saj.
Ndue Lazri
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.