Leximi i Ungjillit shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, në Kafarnaum, të shtunën, Jezusi hyri në sinagogë dhe filloi të mësojë.
Njerëzit mbetën të habitur nga mësimi i tij, sepse mësonte si ai që ka autoritet e jo porsi skribët. Shi atëherë ishte në sinagogën e tyre një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë dhe bërtiti:»Çka ke me ne, o Jezu Nazareni? A erdhe të na zhbish? Unë e di kush je: Shenjti i Hyjit!« Jezusi iu kërcënua: »Hesht dhe dil prej tij!« Shpirti i ndytë, si e përplasi pa mëshirë dhe si lëshoi një britmë të madhe, doli prej tij. Të gjithë u tmerruan dhe i thoshnin njëri – tjetrit: »Ç’u bë kështu!?» Ja, një mësim i ri i paisur me pushtet! »Ky urdhëroka deri edhe shpirtërave të ndytë dhe ata po e dëgjokan!« E menjëherë u hap zëri për të gjithkund në të katër anët e krahinës së Galilesë.
Fjala e Zotit
…. Meditohet
Jezusi i mësonte të tjerët si dikush që ka autoritet: nuk e dimë se çfarë u ka mësuar të tjerëve Jezusi atë ditë, por dimë se fjalët e tij kanë kanë ngjallur çudi dhe mahnitje në dëgjuesit. Ajo që na çudit se në sinagogë, vend i kultit, i lutjes, ishte një njeri i pushtuar prej shpirtit të ndytë. Askush nuk e kishte vënë re ndonjëherë këtë. Prania, mësimi dhe autoriteti i Jezusit e vënë në siklet shpirtin e së keqes i cili fillon të bërtasë. Mjafton një fjalë e vetme e Jezusit për ta bërë të ikë. Fjala e tij është e vetmja që ka pushtetin ta kthejë njeriun në dinjitetin dhe lirinë e plotë, duke i bërtitur e duke e përzënë shpirtin e së keqes që shumë herë banon edhe ndër në, për shkak të mëkatit dhe të besimit tonë të kufizuar në Të. Për ta ndjekur Jezusin dhe për të qenë nxënësit e tij, pra, nuk mjafton tërheqja dhe entuziazmi fillestar, siç kemi parë në pjesën e djeshme; duhet ta pranojmë Fjalën e tij, të dëgjojmë mësimin e tij dhe të lejojmë të lirohemi prej asaj që na bën skllevër. Ai është Zoti i jetës sonë, vepron me autoritet dhe mund të na lirojë. Për të nuk ka gjë të pamundur.