11.5 C
Tiranë
E mërkurë, 25 Mars 2026

Iliaz Bobaj

1. KRITIKA
(epigram)
Dy çika lekë e ka pensionin,
ndaj kritikon pushtetin Agroni i ngratë.
Kurse Hasani kritikon ashpër Agronin,
vetëm se kritikon pushtetin…atje lart.
2. NJERIU I SMIRËS
(epigram)
Lavdia ecën rrugës krenare,
Smira skërmit dhëmbët aty pas portës.
Kur lavdia është e tij, himnizon lavdinë,
me dhëmbët e smirës, kafshon lavdinë e botës.
3. ANALFABETËT
(epigram)
Po shtohen analfabetët nga dita në ditë,
nuk dinë të shkruajnë as emrin e vet.
Sot dija ka mbetur si fëmijë e braktisur,
jetojmë në kohën kur leku të bën mbret.
Zvarriten pas lekut njerëzit e shkretë.
Shpesh pa prestigj, pa pikë dinjitet…
4. XHAKETAT E VJETRA
(epigram)
Të gjithë kanë përdëllesë për xhaketat e vjetra,
ndaj në garderoba i mbajnë për nostalgji.
Vërtet i mbajnë, po xhaketat e vjetra,
në kohët moderne, nuk i vesh njeri…
5. NUK ËSHTË VËSHTIRË…
(epigram)
Nuk është vështirë të bëhen arrogantë drejtuesit,
të bëhen diktatorë, s’është vështirë, gjithashtu,
kur i himnizojnë ca kallinj pa farë,
kur i kthejnë në mit ca kunguj pa tru.
…Janë ata që ecin pas tyre kuturu.
6. NJERËZIT E LIRË
(epigram)
Thonë se sot njeriu jeton i lirë
dhe njerëzit jetojnë në qetësi.
Po e vërteta është ndryshe, të gjithë e dinë:
sot jetojnë njerëzit e lirë pa liri.
7. TË SHKEL…
(epigram)
Të shkel sa mund ai që ka lekë
dhe s’ka mëshirë ta shkelë të gjithë botën.
Por më rëndë nga të gjithë, në kohën tonë,
të shkel ai që ti i jep votën.
8. QYTETI
(epigram)
Qyteti kish rreth dyqind mijë banorë,
mes tyre gjeje njerëz, po të kërkoje me ngutje.
Sot qyteti ka arritur një milion banorë,
janë shtuar banorët, po njerëzit janë në zhdukje.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.