21.5 C
Tiranë
E martë, 21 Tetor 2025

Mevlyde Mezini Saraçi

Zgjohuni nga ëndrrat

Fytyra të vrenjtura skeletesh pafytyrësie

Enden lirshëm mendimeve të trishtueshme

Viza vizë shkronjave ua paketojnë vlerësimet

Kuturu hapen dritaret e pazareve të pista

Në vend të fjalëve qarkullojnë fotografitë e zbehta

Për ti larë mëkatet e veta të shekullit të kaluar

Qajnë me lot krokodilësh sa të bëjnë të qeshesh

Të mjerë jeni ju që u besoni fjalëve të tillëve

Pse nuk ua plasni në fytyrë njëherë e mirë

O frikacakë të çmendurisë moderne facebukiane

Zgjohuni nga ëndrrat e mos e vrisni të vërtetën

“””””””””””””””””””

Mevlyde Mezini Saraçi
RECENSIION
“MEJA, ARENË E KRIMIT SERB KUNDËR CIVILËVE TË PAFAJSHËM SHQIPTARË DHE NDËRGJEGJE E VRARË E DREJTËSISË NDËRKOMBËTARE”Mund të jetë një imazh i teksti

Duke lexuar dorëshkrimin e librit “Meja e Gjakovës – Srebrenica e Kosovës, 27 04 1999”, të autorit Gjokë Sokoli, më riktheu në vitet e rënda për Kosovën, kur jeta jonë kërcënohej në çdo sekondë nga kriminelët serbë me të vetmin faj që ishim shqiptarë.

Autori i këtij libri është një dëshmitar i gjallë, i cili e ka përjetuar ngjarje të tmerrshme, për të cilat edhe më parë ka shkruar, por ja që kur njeriu i përvuajtur që kërkon drejtësi edhe dy dekada pas luftës, nuk mund të qëndrojë indiferent. Mbase në fundshekullin e nëntëmbëdhjetë ndodhi tmerri në mbarë Kosovën dhe jo vetëm, pasi Serbia agresore luftoi kundër civilëve shqiptarë dhe me armë të sofistikuara, vrau e masakroi mijëra njerëz të pafajshëm.

Kur gjithë bota u tronditë me pamjet nga masakrat serbe në Kosovë, atëherë edhe ndodhën, sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, për ta mbrojtur popullatën civile shqiptare nga shfarosja dhe gjenocidi serb në Kosovë.

Serbia fashiste, si hakmarrje ndaj djemve e vajzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbronin vendin tonë si dhe ndaj sulmeve të NATO-s, zgjodhën mënyrën më të tmerrshme kundër popullatës civile shqiptare, duke vrarë, masakruar dhe zhdukur njerëz të pafajshëm. Mbase kështu ndodhi edhe në fshatin Meje, kur u ndaluan kolonat e përndjekura me shqiptarë civilë, duke i ndarë meshkujt nga gratë dhe fëmijët të cilët i dëbuan në Shqipëri, ndërsa të gjithë personat e ndaluar i ekzekutuan në masë.

Më 27 prill 1999, në Meje janë vrarë 375 persona, ndërsa ende sot e kësaj dite rezultojnë të zhdukur edhe 16 persona.

Mbase Meja e Gjakovës nuk e pati jehonën e Srebrenicës edhe pse pikërisht këtu ndodhi krimi dhe njëra ndër masakrat më të tmerrshme kundër njerëzimit, me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës.

Aparati shtetëror serb, përmes formacioneve të veta ushtarake në gjithë Kosovën, në rreth katërqind masakra, ka vrarë 13.500 civilë shqiptarë, ka përdhunuar rreth njëzetë mijë gra e vajza, ka burgosur mijëra njerëz dhe ka shkatërruar mbi dyzet për qind të infrastrukturës.

Për t’i zhdukur gjurmët e krimit, kriminelët serbë në mënyrë të organizuar, mijëra persona të vrarë i kanë dërguar në Serbi duke i futur nëpër varreza masive, Mbase për gjithë këto krime duhet të ketë informacione dhe duhet të jep llogari vetë shteti serb, i cili të gjitha krimet i ka kryer me urdhrat e krye kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit dhe sot e kësaj dite heziton t’i hap dosjet, për të ikur nga fajësia dhe për të mos u ndëshkuar nga drejtësia ndërkombëtare, për krime lufte.

Libri “Meja-Srebrenica e Kosovës”, i autorit Gjokë Sokoli, përveç që na sjellë më afër ngjarjet dhe figurat e personave të ekzekutuar në Meje, mes të cilëve i ka edhe anëtarët e familjes, njëkohësisht vjen si një falënderim ndaj NATO-s por edhe thirrje për drejtësinë vendore e ndërkombëtare.

Ballina e librit e përzgjedhur nga autori Gjokë Sokoli dhe e punuar nga fotografi akademik, Z. Shkëlzen Rexha, në formë simbolike përmes varrezave të Mejes, paraqet dhembjen, vuajtjet, sakrificën dhe nga ana tjetër paraqet portretet e figurave kyçe që morën pjesë në vendimet për sulmet veri atlantike mbi caqet serbe siç janë: presidenti amerikan, Bill Klinton, sekretarja e shtetit, Madeleine Allbright, gjenerali i forcave të armatosura të SHBA-së, Wesley Clark, kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair, që ndihmuan popullatën shqiptare në ditët më të vështira.

Ky libër është i strukturar në katër kapituj. Në kapitullin e parë autori paraqet fjalën e mbajtur të ambasadorit amerikan Z. Philip Kosnett, me rastin e 20 vjetorit të masakrës së Mejes, i cili i drejtohet pjesëmarrësve të këtij përvjetori dhe mes tjerash thotë:

Së pari, të mos lejojmë askënd të harrojë apo mohojë arsyen pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës”

Në kapitullin e dytë autori Gjokë Sokoli, paraqet disa poezi në gjuhën shqipe dhe atë angleze, të shkruara nga autorë të ndryshëm dhe në kohë të ndryshme, të cilat u kushtohen të rënëve që u flijuan për

Kosovën, e që e dhanë më të shtrenjtën, jetën!

Pastaj vjen kapitulli i tretë ku është pjesa tematike e këtij libri dhe ku autori ka bërë renditjen e fotografive të të gjithë personave të vrarë dhe të masakruar, duke e shoqëruar secilën fotografi me emër e mbiemër, bashkë me datat e lindjes e të vdekjes. Në të njëjtin kapitull është edhe lista emërore me shënime për të gjithë të vrarët në masakrën e Mejes, më 27 prill 1999, për të vazhduar në kapitullin e katërt dhe të fundit me një album nga ngjarje të ndryshme që lidhen me rastin e masakrës së Mejes. Autori e përmbyllë librin me një pasthënie, duke shpalosur historinë tonë në etapa e deri tek lufta e fundit në Kosovë.

Libri “Meja e Gjakovës – Srebrenica e Kosovës, 27 04 1999”, të autorit Gjokë Sokoli, radhitet si dëshmi historike për të mos e harruar të kaluarën e dhembshme të kombit por edhe për të mos mbetur jashtë vëmendjes, masakra e Mejes e 27 prillit 1999.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.