11.5 C
Tiranë
E mërkurë, 11 Mars 2026

Me poetin dhe shkrimtarin:Edmond Andrea Shallvari

Pyeta Danten, Shekspirin dhe Kafkën për titullin.
Të tre mblodhën supet.
Nga larg masknjerëzit ngjajnë si mjekëroshë
Qofshin meshkuj apo femra
Nga afër si të huaj, jashtëtokësorë
Që s’njohin ç’është e qara dhe qeshja
Që s’kanë as gojë për të ngrënë
Domethënë as buzët e puthjes
Me këmbë e duar bëjnë shenjë
Si besimtarët gjatë lutjes
Nga larg masknjerëzit ngjajnë me manekinë
Arratisur nga vitrina dyqanesh të mbyllur
Nga afër si fantazma që trembin njerinë
Njeriun e vetes, brenda vetes humbur
Me gjuhë njeriu mundohem t’ju flas
Me buzë njeriu mundohem t’ju qesh
Me lotë njeriu mundohem të qaj
Por humb mes tyre, njëlloj sikur vdes
Ndërkohë bashkë me ta,
Ringjalljen pres
“””””””””””””””””””””

Kalë në lëmë vimë vërdallë
Jemi bërë për t’u qarë
Për t’u qeshur jo më pak
Kalë në lëmë vimë vërdallë
Shkelim veten me revan
Me revanin e pandalshëm
Sikur bëjmë histori
Veten bëjmë më të famshëm
Qysh kur ishim Pellazgi
Pellazgi dhe Iliri
Më pas arbër dhe shqiptarë
Në të voglën Shqipëri
Çajmë historinë me pallë
Me pallë drurësh edhe gurësh
Me pallë hekuri edhe fjalësh
Të pabesë murosur urës
Dhe në muret e Rozafës
Gruan e vëllait të vogël
Pabesisht nga dy vëllezër
Mburravecë para botës
Filozofë të gënjeshtrës
Të gënjeshtrës dhe mashtrimit
Ndaj vetvetes, përtej saj
Qysh nga çasti i krijimit
I vazhdimit dhe më pas
Dhe më pas, kur të tjerët
Na lanë pas dhjetra shekuj
Shqipëtarët mbetur vetëm
Lumturohen duke vdekur
Duke vdekur shpirtërisht
Në çdo gjë e për gjithçka
Pellazgisht e shqiptarisht
Nga kurbani në kurban
Për ca plehra, për ca horra
Vënë majës së Olimpit
Xhuxhmaxhuxhë kthyer në Zotra
Trup e shpirt të shkurtabiqit
Ç’të vazhdoj të them më tepër
Dhe pse kam shum’ për të thënë
Shqiptarkali po e mbyll jetën
Duke u vërtitur nëpër lëmë
“”””””””””””””””””””””””””””””

Letër Njeriut (14)
Po të erdhi keq për mua
Për të keqen e gjithë njerëzve
Bëmë më të njerëzuar
Se po vuaj qindra shekujve.
Kthehu prapa në Eden
Apo grimcës së krijimit
Nëse veten aty s’gjen
Kthehu kohës së shpërthimit.
Asaj kohe të fillesës
Kur materia mori formë
Kur veç engjëjve lindën njerëz
Me selinë këtu në Tokë.
Kape çastin tënd fatal
Kur mëkatin njerëzove
Ishte kurthi më i madh
Lojë mes djajve edhe zotërve.
Kur t’ia kthesh Evës mollën
Ta largosh nga ajo pemë
Zerja veshët mos dëgjojë
Se ç’i thotë djalli vetë.
Lidhe veten edhe ti
Me litarë pas një peme
Duro joshjet që të vijn’
Aq tërbuese prej sirene.
Po i bëre gjithë këto
Gjithë këto e shumë të tjera
Zoti vete do t’japë një moll’
Sepse është e dijes pema.
Po të pres shekuj me radhë
Vetë Zoti po të pret
Njerëzuar siç ke dalë
Pa mëkatin në Eden.
Kaq shkrojta sot për ty, o Njeri
Nga dhoma e spitalit, Çmenduri.
@Edmond Shallvari
Cikli “Letër njeriut” është në librin me poezi të zgjedhura, vëllimi i tretë, i cili botohet dhe shpërndahet nga AMAZON
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.