“””””””””””””””””””””
Ditë e diel
Përsëri e djelë sot
përsëri e njëjta monotoni
asgjë nuk ec, nuk lëviz
si vite pa histori,
Burrat po të njejtët
lloto sporti,në lokalin e radhës
kapërdisur kafe e raki,
dielli po njësoj
këtë ditë vjeshte
kurrnac, ngroh
vetëm me njërin sy.
Vajzat vështrime provokuse,
djemtë për prenë e radhës
fiks të nesërmen
ta tregojnë me krenari.
Politika sherin e ditës
dilema: çlirim a pavarësi?
blu,rozë, të kuq,mavi.
Kanarinat rrinë mbyllur në kafaz,
këndojnë po njësoj si dje,
asnjë përçartje për pak liri.
Dhe shpresa jonë e fundit
astrologjia, planetet,
yjet, qielli,
Po yjet vetëm
të vështrojnë dinë
si në romanin e Arçibald Kronin.
Një çift po celebron dashurinë
ç’rëndësi ka:
në kishë,xhami a bashki
planet afatshkurtëra
përflasin gojdhëna
ndarjesh gjithsesi,
Deti prap kishte dallgë
nuk solli asnjë pulëbardhë!!!
Ehhhhh…Gratë si gratë,
shtëpiake të dëshpëruara
harruar menjanë
shkundin,fshijnë, lajnë,
gatuajnë, hekurosin,
të heshtura si rrobat
që rafteve palosin.
Iku dhe kjo e djelë
asnjë çast qetësie pushim,
gratë cfilitur
vetëm me veten, heshtjen,
dhe mendimet e strukura.
Po ju gra
pse dreqin s’gjeni kohë për veten
të beheni të bukura?!
Sanie Degjoni Ndreka