Pa trokitur
Hyn pa trokitur në shpirtin tim,
më fshin trishtimin dhe mallin e brishtë,
më kthen buzëqeshjen, emocionet e forta
e lulëzon ndjenja, pa ndrojtje e brenga.
Dimrin papritur nga sytë e largon
e pranverën më sjell kaq pranë,
Ti di të ndezësh diellin brenda meje
që të ndriçojë përherë shpirtin tim në heshtje.
“””””””””””””””””””””””””””
Politesse në polis…
Në tërësinë e mundësive
që na ofron jeta
Përpiqemi të kthejmë dëshirën në përvojë
Duke provuar veten
Dhe përvojën e kthejmë në fat të mirë apo të keq
Që na e vulos koha
Se duhet të përqëndrojmë vëmendjen
Sa te vetja,sa te të tjerët
Duke edukuar shqisat përmes fjalës
E të vllazërohemi me botën
Për ta emërtuar atë me zërin e qenies
Ndaj flasim e heshtim
Heshtim e flasim
Pa prishur ekuilibrin
E zgjerojmë kuptimin e vetes
Duke parë botën jashtë nesh
Larg nëndhesave të paditurisë,
Varfërisë e dëshpërimit
Me lirinë e plotë të krijimit
Larg kënaqësisë materiale
të të pakënaqurëve…